Ministri i Jashtëm turk, vizitë në xhaminë e Et’hem Beut


Ministri i Jashtëm i Turqisë, Ahmet Davutoglu, zhvilloi sot paradite një vizitë në xhaminë e Et’hem Beut në kryeqytet.

Ministri Davutoglu u prit nga Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, i cili pasi i uroi mirëseardhjen e njohu me historikun e kësaj xhamie simbol të Islamit në Shqipëri dhe rëndësinë e saj për myslimanët dhe qytetarët kryeqytetas.

Në vizitën e tij në xhaminë e Et’hem Beut z. Dauvtoglu shoqërohej nga ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, Hasan S. Ashan.

Myftiu Ylli Gurra, pasi e falënderoi shefin e diplomacisë turke për vizitën dhe fjalët e ngrohta, i dhuroi atij si kujtim nga Shqipëria një panoramë të xhamisë së Et’hem Beut. Ndërsa ministri Davutoglu i dhuroi Myftiut një kopje të Kur’anit Fisnik.

Më pas, ministri Davutoglu, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij të afërt, ka parë nga afër sheshin e Namazgjasë, vendin e caktuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë për ndërtimin e xhamisë së re të kryeqytetit.
/Drita islame/

Leave a Reply