Xhamia e Namazgjasë, Këshilli i Ministrave jep lejen për fillimin e punimeve

Në selinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, është zhvilluar sot paradite ceremonia e dhënies së lejes së ndërtimit, e cila i hap rrugën fillimit të punimeve për ndërtimin e Xhamisë së Madhe në kryeqytet.

Ceremonia mblodhi kryeministrin Edi Rama, përfaqësuesit më të lartë të komuniteteve fetare, ministrin e Mirëqenies Sociale Erion Veliaj, ministren e Kulturës Mirela Kumbaro, kryetarin e Komitetit Shtetëror për Kultet Ilir Hoxholli, myftinj e imamë, besimtarë e qytetarë të kryeqytetit dhe të rretheve, që kishin ardhur për të marrë pjesë në këtë ditë të veçantë.

Në fjalën e tij kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj, theksoi se sot, pas shumë vitesh pritjeje, me vullnetin e Zotit të Madhëruar, pastaj me dëshirën e të gjithë faktorëve, arritëm që t’i japim fund pritjes dhjetëravjeçare të besimtarëve të kryeqytetit, por jo vetëm.

“Me vullnetin e Zotit të Madhëruar, me lutjet e dhjetëra-mijëra besimtarëve të Tiranës, e të mbarë shqiptarëve, si dhe me mbështetjen e qeverisë shqiptare, arritëm që t’i japim fund pritjes shumëvjeçare të besimtarëve, duke kurorëzuar të gjitha hallkat për ndërtimin e Kompleksit Namazgja, duke shpresuar që t’i përçojë brezave me radhë besim, dashuri dhe dije”, u shpreh z. Bruçaj.

Kryeministri Rama e cilësoi këtë datë historike jo vetëm për myslimanët, por për të gjithë shqiptarët, teksa u shpreh: “Sot përfundon më në fund dhe përgjithmonë historia e tejzgjatur e pengimit politik ndaj besimtarëve myslimanë për të pasur xhaminë e tyre të madhe krahas besimtarëve katolikë dhe atyre ortodoksë”.

Duke përshëndetur durimin e treguar nga KMSH, z. Rama tha: “Ju keni përcjellë melhem atje ku ka pasur një plagë të hapur për kaq vite me radhë.”

Sipas z. Rama, kjo ditë mbart një simbolikë të veçantë për myslimanët dhe për vetë kryeqytetin, pasi me ndërtimin e kësaj xhamie plotësohet mozaiku i objekteve të kultit në kryeqytetin e të gjithë shqiptarëve.

Në përmbyllje të ceremonisë, Kryeministri Rama i dorëzoi kryetarit Bruçaj lejen e plotë të ndërtimit të kompleksit Namazgja.

Projekti

Xhamia e re që do të ngrihet në sheshin e Namazgjasë është projektuar nga studio “Hassa” e arkitektit turk Muharrem Hilmi Shenalp, i cili ka projektuar xhami të ndërtuara në shumë vende të botës, si në Tokio, Berlin, Këln, etj. Xhamia do të jetë një objekt me kapacitet faljeje për 5.000 besimtarë njëherësh. Objekti i kultit do të jetë mjaft kompleks duke përfshirë një qendër kulturore, ambiente shërbimi, zyra, salla konferencash, si dhe Muzeun e parë Islam në Ballkan, etj, me një arkitekturë funksionale që i përgjigjet kritereve dhe kërkesave të kohës dhe i hapur për të gjithë qytetarët.

Sheshi i Namazgjasë

Namazgjaja ka qenë një fushë karakteristike e Tiranës ku myslimanët kanë falur namazet me rastin e bajrameve. Selvitë qindravjeçare flasin për lashtësinë e saj. Ajo është e vjetër sa vetë Tirana dhe u caktua si e tillë nga Sulejman Pasha, i cili ndërtoi ndërtesën e parë të Tiranës, xhaminë me emrin e tij. Kjo hapësirë është dëshmitare e ngritjes së flamurit më 26 nëntor 1912, si dhe e shumë ngjarjeve të rëndësishme të historisë së kryeqytetit.

Këtë ditë Tirana e pret prej shumë vitesh, kur edhe revista zyrtare e Komunitetit Mysliman “Zani i Naltë” e vitit 1938 e shtronte si problem në një kohë kur Tirana numëronte vetëm disa mijëra banorë dhe kishte 40 xhami.

27 Nëntor 2014

/Drita Islame/

Leave a Reply