(Pa) vetëdija e një rituali

Ramazani është koha kur besimtari kryen një nga ritet e urdhëruara nga Krijuesi i tij. Kësisoj, krijesa i afrohet gjithnjë e më tepër Atij, i Cili ofron dhjetëditësh pas dhjetëditëshi mëshirë, falje e shpëtim nga flakët e ferrit -siç e njohin laikët – dhe zjarri i Xhehenemit, siç u është bërë e njohur besimtarëve.

Efektet shëruese në trupin e krijesës janë të shumta, pasi shkencërisht është provuar se mbi 80 sëmundje shërohen me anë të agjërimit; ndërsa ato shpirtërore janë të pallogaritshme, ku vështirë se gjendet fjalë për të shprehur kënaqësinë që i jepet këtë botë agjëruesit, kur trokasin çastet e pas-iftarit:

Dy kënaqësi të mëdha ka besimtari, në dynja kur çel iftarin dhe në ahiret kur takon Allahun xh.sh.”– thotë profeti ynë, Muhamedi a.s. Ndërkaq, shpërblimi atëbotë për këtë rit mbetet i pamatë.

Është e kuptueshme se një besimtar është i ndërgjegjshëm për veprimin që kryen, por çfarë ndodh me një krijesë laike, e cila nuk i nënshtrohet me vetëdije procesit të agjërimit? Edhe kjo krijesë, e cila e konsideron veten si “moderne” për t’iu nënshtruar “zakoneve prapanike”, rezulton se agjëron dhe e ndërpret atë “pa vetëdije”.

Nëse marrim në shqyrtesë veprimtarinë e laikut perëndimor, që nga SHBA (Anglia), në Francë e deri në Spanjë, do të vërejmë një fenomen “të çuditshëm” ku amerikanët (anglezët), francezët e spanjollët e thonë me gojën e tyre se e ndërpresin (thyejnë) agjërimin, çka logjikisht nënkupton se e kanë nisur atë.

Konkretisht: kur anglezët dhe amerikanët ngrihen në mëngjes, ata i nënshtrohen vaktit breakfast (break-të thyesh, të ndërpresësh; fast- të agjërosh), kur francezi ngrihet nga shtrati, ai i nënshtrohet vaktit (petit)dèjeuner (dè- të thyesh, të ndërpresësh; jeuner- të agjërosh), kur spanjolli çohet në mëngjes, ai i nënshtrohet vaktit desayunar (des-të thyesh, të ndërpresësh; ayunar-të agjërosh).

Përmbledhtazi, secili prej laikëve thelbësisht perëndimorë – normat e të cilëve na kërkohet t’i zbatojmë në emër të integrimit e reformimit – kryejnë të njëjtin rit (ual) si edhe ai i myslimanëve “prapanikë”.

Po ku qëndron vallë ndryshimi mes këtyre abstenimeve?

Nëse një laik “modern” agjëron pa vetëdije, një mysliman “prapanik” agjëron me vetëdije, nëse i pari shpërblehet për këtë veprim në këtë botë, i dyti shpërblehet në këtë dhe atë botë, por nëse i pari dëmshpërblen në atë botë, i dyti shpërblehet atje…

Sidoqoftë, besimi hyjnor është për të zotët e mendjes dhe jo për zotat e saj.

Enkelejda Avxhiu

 

ramazan.al

Leave a Reply