Medreseja e Tiranës zhvilloi panairin shkencor 2025, panair ky i cili solli në jetë dijet teorike të nxënësve nëpërmjet projekteve inovative dhe eksperimenteve shkencore.
Përpos mësuesve, prindërve dhe të ftuarve të ndryshëm nga shkolla të tjera 9-vjeçare të Kryeqytetit, të pranishëm në këtë evenimet ishin gjithashtu Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu dhe Drejtori i Arsimit në KMSH, z. Elton Karaj.
Gjatë këtij panairi, nxënësit e Medresesë patën mundësinë të paraqesin projektet e tyre shkencore, duke demonstruar përkushtimin, pasionin dhe aftësitë e fituara në mësimdhënie.
Projektet e sjella nga ata shtriheshin në fusha të ndryshme të shkencës, si fizika, kimia, teknologjia, biologjia dhe matematika, duke e kthyer ambientin e Medresesë në një qendër të gjallë të dijes dhe inovacionit.
Ky panair është kthyer tashmë në traditë dhe synon të nxisë kreativitetin, mendimin kritik dhe zbatimin praktik të njohurive nga ana e nxënësve.