Zhvillohet konferenca shkencore “25 vite Drita Islame”

Revista “Drita Islame” dekorohet me medaljen e arit “Naim Frashëri” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë SH.T.Z. Bujar Nishani.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka zhvilluar sot konferencën shkencore “25 vite Drita Islame”, në kuadër të 25 vjetorit të themelimit të organit të parë mediatik të Komunitetit Mysliman, revistës “Drita Islame”.

Në këtë përvejtor jubile Presidenti i Republikës së Shqipërisë SH.T.Z. Bujar Nishani, i ka akorduar revistës “Drita Islame” titullin “Naim Frashëri” me motivacion “për kontributin e saj në zgjimin e ndërgjegjes fetare e kombëtare, me anë të promovimit të atdhedashurisë, harmonisë, mirëkuptimit, kulturës e vlerave humane të besimit Islam në mbarë kombin shqiptar” , duke ia dorëzuar kreut të KMSH-së H. Skender Bruçaj.

Në konferencë ishin të pranishëm Presidenti i Shqipërisë z. Bujar Nishani, kryetari i KMSH-së Haxhi Skender Bruçaj, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Baba Edmond Brahimaj, Kryemyftiu i Kosovës Hafiz Naim Tërnava, Myftiu i Gostivarit Hafiz Shaqir Fetahu, Kryetarja e Komitetit Shtetëror të Kulteve Loreta Aliko, përfaqësues të Trupit Diplomatik dhe të bashkësive fetare, klerikë, akademikë, profesorë, studiues, besimtarë, etj.

Në fjalën e tij në ceremoninë e hapjes presidenti z. Bujar Nishani vlerësoi rëndësinë dhe kontributin e “Dritës Islame” në çështjen fetare e kombëtare si dhe për standartet e saj të larta.

“Në janarin e këtij viti u mbushën plot 25 vjet nga lindja e kësaj gazete, që përbën një datë simbol edhe për historinë e shtypit të lirë në Shqipëri. Ka mbi 25 vjet që dielli u shfaq rishtazi mbi mjegullën që ndenji aq gjatë mbi vendin, tokën, njerëzit, shtëpitë, shpirtrat dhe besimet tona. Si toka në dritën e diellit ndriçoi edhe “Drita Islame”, gazeta juaj e përdëllyer. Ju i gëzoheni këtij realiteti të ri me gjallërinë karakteristike që ju portretizon.

25 vjet më parë ‘Drita Islame’ ndezi dritën e saj për të mos ta shuar më kurrë. Ashtu si në këto 25 vjet kur ajo ka shkëlqyer me standardet e saj të larta, unë uroj që edhe për ne, lexuesit e saj, ajo të mbetet gjithmonë ‘dritë’.
Diku në fillim të shekullit XIX, në qytetin Vajmar të Gjermanisë, shkrimtari gjerman Gëte i mbylli sytë me fjalët “dritë”, ‘më shumë dritë’, e unë duke parë përputhshmërinë jo edhe aq rastësore të fjalës ‘dritë’ të Gëtes në ‘Dritën Islame’, marr shkas që këtë fjalim vlerësimi për gazetën apo revistën tuaj ta mbyll me urimin: ‘Dritë, sa më shumë dritë në kulturën tonë dhe në faqet e ‘Dritës Islame’ që mendjet e shpirtrat tonë të ndriçohen nga mirësia njerëzore!”, tha mes të tjerash presidenti Bujar Nishani.

Kryetari i Komunitetit Mysliman H. Skender Bruçaj, u shpreh se “Drita Islame” është një paketë optimale, e cila ofron këshillat dhe udhëzimet më të mira, me zbatimin e të cilave njeriu bëhet më i denjë për familjen, më i dobishëm për shoqërinë dhe për kombin në tërësi.

“Në këtë përvjetor të themelimit të saj, revista “Drita Islame” vjen me dëshirën për të hyrë në shtëpinë e çdo myslimani, dhe pse jo të çdo shqiptari, që do të mësojë sadopak për myslimanët, jetën dhe vizionin e tyre.

Duke përgëzuar të gjithë ata që janë bërë pjesë e kësaj reviste, si dhe stafin e saj për punën e kryer, që ajo të dalë në formën më të mirë, i urojmë jetë të gjatë dhe kandili i saj mos u shuajt kurrë”, theksoi z. Bruçaj.

Rolin dhe kontributin e revistës e përshëndetën edhe krerët e bashkësive islame të Kosovës dhe Maqedonisë si dhe kreu botëror i bektashinjve.

Konferenca u moderua nga nënkryetari i KMSH-së z. Gazmend Aga si dhe u shfaq një dokumentar mbi historikun e gazetës (revistës).

Pas seancës së hapjes konferenca ka vijuar me promovimin e librit “Bibliografia e gazetës Drita Islame (1992-2011)”, si dhe me tre sesionet shkencore, ku referuan studiues të ndryshëm nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.

Në fund, Drejtoi i Kulturës, z. Dorian Demetja dhe Drejtori i Medias, z. Agron Hoxha shpërndanë çertifikata mirënjohje për kontribuuesit e saj ndër vite.

28 shkurt 2017

Burimi:

Leave a Reply