Skender Bruçaj zgjidhet Kryetari i ri i KMSH-së

Këshilli i Përgjithshëm, i mbledhur sot në mbledhjen e tij të zakonshme, zgjodhi z. Skender Bruçaj si kryetarin e ri të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Kreu i KMSH  Skender Bruçaj
Kreu i KMSH Skender Bruçaj

Pas përfundimit të mandatit të Kryetarit H. Selim Muça, kandidaturat për detyrën e kryetarit ishin: z. Bujar Spahiu, nënkryetar i KMSH-së; z. Skender Bruçaj, nënkryetar i KMSH-së; z. Dorian Demetja, drejtor i Burimeve Njerëzore pranë KMSH-së.

Kryetari në detyrë H. Selim Muça në fjalën e tij falënderoi bashkëpunëtorët e ngushtë dhe anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm për mbështetjen e vazhdueshme në përmbushjen e kësaj detyre. “Ju falënderoj për mbështetjen dhe besimin që më keni dhënë në çdo moment. Të njëjtën gjë shpresoj ta bëni edhe me pasuesin tim në këtë detyrë të shenjtë e fisnike”, u shpreh z. Muça.

Përfaqësuesit myslimanë i shprehën z. Muça mirënjohjen për kontributin e dhënë në këto vite. Ata vlerësuan gjithashtu rolin e tij efikas në drejtimin e institucionit dhe angazhimin maksimal në kryerjen e detyrës.

Këshilli i Përgjithshëm e shpalli H. Selim Muçën kryetar nderi dhe anëtar i përhershëm i Këshillit të Përgjithshëm të KMSH-së, me motivacionin: “Për kontributin e vyer në konsolidimin e vlerave fetare dhe atdhetare në shoqërinë shqiptare”.

Z. Bujar Spahiu u tërhoq nga gara, duke e quajtur të mjaftueshme dhe një përgjegjësi të madhe detyrën që kryen aktualisht si nënkryetar i KMSH-së. Ndërsa dy kandidatët e tjerë prezantuan platformat dhe vizionin e tyre për të ardhmen e institucionit, duke kërkuar bashkëpunimin dhe kontributin e të gjithë myslimanëve. Gjatë prezantimit pati diskutime dhe pyetje të ndryshme në lidhje me programin, por edhe mbi çështje që preokupojnë institucionin dhe besimtarët.

Votimi për zgjedhjen e kryetarit të ri u zhvillua në mënyrë të fshehtë. Nga 101 anëtarë që ka Këshilli i Përgjithshëm, në votim morën pjesë 99 vetë. Fitues me shumicë votash u shpall z. Skender Bruçaj.

H. Selim Muça i dorëzoi në shenjë simbolike Kryetarit të ri çallmën dhe xhyben e tij, duke i uruar suksese dhe mbarësi në këtë mandat pesëvjeçar.

Më pas, z. Bruçaj me dorë mbi Kur’an bëri betimin konform statutit përpara anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm, si vijon:

“Betohem në emër të Allahut, se do të vazhdoj me besnikëri e përkushtim urdhrat e Islamit, do të punoj me ndërgjegje të plotë islame për lartësimin e fesë së Allahut, do të zbatoj me përpikëri Statutin dhe Rregulloren e Komunitetit Mysliman, dhe do të punoj me ngulm për forcimin e ndjenjës kombëtare e atdhedashurisë ndër myslimanët e Republikës së Shqipërisë. Allahu më ndihmoftë!”

Në fjalën e tij të parë si drejtuesi më i lartë i institucionit zyrtar të Islamit në Shqipëri, z. Bruçaj ndër të tjera u shpreh: “Jam i ndërgjegjshëm për peshën e rëndë të detyrës që më është besuar mua sot, një amanet i shenjtë i Zotit të Lartësuar dhe një përgjegjësi e madhe ndaj kombit shqiptar. Për ta mbajtur këtë barrë unë jam nevojtar i mbështetjes së Allahut dhe lutjeve të të gjithë besimtarëve. Shërbimin tim ndaj këtyre qindra mijëra besimtarëve e vlerësoj si parësor dhe të paçmuar. Unë zotohem para Allahut dhe ju të gjithëve, që do të punoj me sinqeritet, devotshmëri dhe përkushtim që Komuniteti Mysliman i Shqipërisë të vazhdojë të luajë rolin e tij të rëndësishëm dhe të përfaqësojë me dinjitet myslimanët shqiptarë brenda dhe jashtë vendit.”

Pas ceremonisë së betimit, anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm e uruan z. Bruçaj për detyrën e re.

Kush është Skender Bruçaj?

Skender Bruçaj ka lindur në rrethin e Malësisë së Madhe më 22 qershor 1976.

Pasi mbaroi arsimin 8-vjeçar në vendlindje, ai u bë pjesë e kontingjentit të parë të studentëve që u nisën nga KMSH drejt Turqisë në vitin 1992.

Kështu më 1996 ai kreu Medresenë Bejkoz në Stamboll, Turqi. Më pas ai ndoqi studimet në Institutin e Gjuhëve të Huaja pranë Universitetit të Bosforit, ku pasi mbrojti gjuhën angleze, vazhdoi studimet në Fakultetin e Shkencave Sociale – dega Psikologji.

Gjatë viteve 2000-2011 kreu studimet pasuniversitare, ndërsa aktualisht është duke ndjekur studimet për doktoraturë me temë: “Menaxhimi i Cilësisë në Arsim”.

Për disa vite ka punuar si konsulent për disa komani të huaja.

Në vitin 2008 është emëruar Drejtor i Qendrës së Planifikimit të Karrierës në Universitetin “Epoka”.

 shtator 2008 është emëruar nga Komuniteti Mysliman si Kryetar i Komisionit të Hartimit të Dosjes për hapjen e Universitetit “Hëna e Plotë-Bedër”. Me hapjen e universitetit ai fillon të japë leksione si pedagog në Fakultetin e Shkencave Humane në Departamentin e Shkencave Islame dhe atë të Drejtësisë në tre gjuhë: shqip, anglisht dhe turqisht.

Në periudhat shtator 2011-dhjetor 2013, krahas lektorit në lëndët Psikologji Sociale dhe Psikologji Islame në universitet, ai ka qenë gjithashtu përgjegjës i Departamentit të Drejtësisë dhe zv/dekan i fakultetit të Shkencave Humane në Universitetin “Bedër”.

Skender Bruçaj ka qenë gjithashtu Drejtor i Qendrës për Edukim të Vazhduar dhe Formim Profesional në Universitetin “Bedër”.

Duke parë përgatitjen e tij të gjerë akademike, Kryesia e KMSH-së, në dhjetor 2013 e emëron atë nënkryetar të KMSH-së.

Z. Bruçaj ka disa marrë pjesë në shumë konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, si referues në emër të Universitetit Bedër dhe Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Ai njeh disa gjuhë të huaja si anglisht, turqisht dhe italisht.

Z. Bruçaj është i martuar dhe ka dy fëmijë (djem).

8 Mars 2014

www.kmsh.al

Leave a Reply