Radikalizimi dhe degjenerimi i tij në ekstremizëm të dhunshëm tashmë është një realitet i dhimbshëm në shoqërinë tonë. Ky është një fakt dhe hapi më i madh i ndërmarrë në këtë pikë është pranimi i tij si i tillë. Nëse kemi edhe shqiptarë të rekrutuar në organizata terroriste me profil fetar ose jofetar, do të thotë që diçka ose dikush ka luajtur rol në startimin e aktiviteteve, që kanë nxitur këta persona të mobilizohen në shërbim të ekstremizmit. Këto celula duhen identifikuar dhe “kuruar”. Dhe pikërisht këtu mendoj se roli i gruas ka të bëjë shumë.
Siç dihet tashmë, ekstremizmi i dhunshëm është një proces i përbërë nga disa faza, që kanë karakteristikat e tyre dhe shenjat paralajmëruese. Në relacione të ndryshme të konferencave të organizuara në lidhje me çështjen në fjalë, theksohet se gruaja ka një rol shumë të rëndësishëm identifikues të simptomave të radikalizimit, duke qenë se ajo është në brendi në shoqërisë dhe në komunikim të vazhdueshëm me elementë, që mund të kenë hedhur hapat e para drejt radikalizimit. Bashkëngjitur me këtë, ajo mund të jetë një burim thelbësor informacioni për ata që punojnë kundër ekstremizmit. Nisur nga kjo, roli tradicional i gruas në shoqëri si bashkëshorte dhe nënë, në mënyrë unike, mund ta kthejë atë në një element të fuqishëm të parandalimit të radikalizimit. Sa më herët që të ndërhyhet, aq më e thjeshtë është zgjidhja.
Gjithashtu, duhet të jemi shpresëdhënës dhe të themi që nuk duhet humbur shpresa as nga personat tashmë të implikuar në aktivitete të dhunshme. Një emigrant në vende me aktivitete terroriste shkruan kështu për nënën e tij: “Unë jam i etur për të përqafuar përsëri nënën time, për të puthur fytyrën e saj dhe për t’ia dëgjuar zërin! Lutem që Allahu të pranojë sakrificën time dhe të më lejojë të ndërmjetësoj për të.” Kjo është lidhja e fortë mes nënës dhe fëmijës, që asnjëherë nuk shuhet. Kështu që nënat mund të jetë efektive edhe në fazën finale, që mundësisht të jetë deradikalizimi i personave në fjalë. Çelësi i suksesit të organizatave terroriste të mirëstrukturuara është propaganda me të gjitha format. Nëse gruaja do të luajë rolin e saj në formën më të mirë, atëherë antipropaganda është antidoti, të cilën nëna, motra, apo gruaja aktive në shoqëri, mund ta kryejë në formën më të mirë, sepse ndodhet në një pozicion të volitshëm.
Patjetër që këtu lind nevoja për trajnime. Në shoqëritë ku radikalizmi është një realitet, kurset intensive janë të nevojshme për gratë, në mënyrë që ato të marrin informacion në lidhje me shenjat e radikalizimit dhe metodat e parandalimit.
Ne, si myslimanë, jemi të sigurt se nëse gruaja do të ruajë pozitën e saj në shoqëri dhe të luajë rolin që i takon për nga natyra e krijimit, ashtu siç është çelësi i formimit të një shoqërie të shëndoshë, po ashtu është edhe ilaçi shërues për sëmundje të thella si radikalizmi.
Shpeshherë Islami paragjykohet sidomos në lidhje me pozitën dhe funksionin që i ka caktuar gruas. Një grua që është “vetëm nënë dhe bashkëshorte”, të izoluar nga shoqëria, joaktive dhe të paemancipuar, askush nuk do ta donte. Në fakt, një individ me tipare të tilla nuk është gruaja ideale që Islami kërkon. Ky është thjesht prototipi i gruas, që ka prodhuar qasja tejet maskiliste e disa shoqërive islame. Me pretekstin që gruaja të mbrohet, shpeshherë asaj iu vu kyçi dhe u izolua. Madje arriti deri atje, saqë edhe ajo vetë mendoi se hapësira dhe e drejta e saj në shoqëri ishte vetëm kaq. E pashmangshme ishte lindja e lëvizjeve feministe, të cilat ndonjëherë e nxorën gruan nga shtëpia dhe nuk e futën dot më në të. Pra gruaja harroi rolin e saj si nënë dhe bashkëshorte, numri i divorceve u rrit dhe fëmijët mbetën të pambrojtur. Është e vërtetë që gjithkush duhet të ketë lirinë të përzgjedhë për mënyrën e jetesës së tij, por njeriu mund të gjendet edhe në situata të tilla që i imponojnë disa detyra. Ç’mund të presim nga një fëmijë, nëna e të cilit e ka braktisur vetëm sepse ka përzgjedhur të mos jetë nënë. Shmangia e këtyre detyrave dhe mosplotësimi i rolit ashtu siç duhet, sjell deformime në shoqëri, dhe një nga më të rrezikshmit është radikalizimi që çon drejt ekstremizmit të dhunshëm.
Islami propozon rrugën e mesme. Ai proklamon faktin se gruaja është krijuar në një formë të caktuar dhe ka detyra e përgjegjësi, që burri ndoshta mund t’i kryejë, por jo si ajo. Barazia gjinore është e rëndësishme, por kjo s’do të thotë që nëna do të jetë baba dhe babai do të jetë nënë, sepse natyrshmërisht është e pamundur, patjetër, përveç rasteve kur mungon njëra figurë. Prandaj gruaja do të jetë nënë, do të jetë bashkëshorte dhe motër, por nga ana tjetër ajo duhet të ketë guximin të jetë aktive në shoqëri. Këtë e kërkon edhe feja jonë. Islami erdhi në një shoqëri që kishte probleme serioze në qasjen ndaj gruas. Atëherë ishte turp që të lindje vajzë dhe etërit kishin dy opsione: ose t’i varrosnin të gjalla vajzat e tyre, ose të jetonin me turp gjithë jetës. Sa për rolin e gruas në shoqëri, ai ishte thuajse inekzistent. Islami, vetëm në pak vite, bëri që ajo shoqëri e degraduar moralisht të pranonte fjalën: “Gjysmën e fesë do ta mësoni nga Aishja r.a. (bashkëshortja e Profetit a.s.)”. Si mund të quhet kjo një fe që kërkon të izolojë gruan?
Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, thekson “pjesëmarrjen e barabartë dhe përfshirjen e plotë në të gjitha përpjekjet për ruajtjen dhe promovimin e paqes dhe sigurisë”. Këtë predikon edhe besimi ynë. Në rastin e parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm, nëse gruaja duhet trajnuar për të luajtur një rol konkret, atëherë edhe fetarisht ajo është e motivuar për të plotësuar detyrat e saj. Ndërkohë që në çështjen e anti-narrativës kundër radikalizimit, gruaja besimtare është edhe më e pajisur me materiale fetare për nxitjen e pozitives, promovimin e lirisë, e të drejtave të njeriut dhe sigurimit të harmonisë e paqes mes njerëzve. Roli aktiv i gruas në shoqëri, duke ruajtur edhe rolin e saj si nënë dhe edukatore e pazëvendësueshme, sjell një sukses thuajse të garantuar kundër radikalizmit dhe ekstremizmit. Për këtë, nëse do ta lokalizonim edhe më tepër, gruaja shqiptare ka nevojë të inkurajohet dhe të pajiset me indikacionet e duhura. Kështu, ajo do të ruajë familjen, dhe jashtë saj do të përhapë pikëpamjet anti-ekstremiste, të cilat, në një formë më të strukturuar, mund të kryhen me programe të ndryshme të ndërgjegjësimit dhe informimit shoqëror.
Në relacionet e institucioneve të sigurisë, citohet edhe fakti se femrat shpeshherë janë rekrutueset më të suksesshme të grave të tjera që bashkohen me organizata terroriste e ekstremiste. Kjo tregon njëkohësisht potencialin e punës dhe mundësitë që gruaja posedon. Atëherë ne duhet të gjejmë mënyrën më të përshtatshme për t’i mobilizuar ato kundër ekstremizmit. Allahu na dhëntë të gjithëve sukses në këtë detyrë të madhe!
Fatma Karaj
/Revista Drita Islame – Shkurt 2017/