Nga errësira në dritë

Me rastin e 25 vjetorit të lirisë së besimit 

“Ata dëshirojnë ta fikin dritën (fenë) e Allahut me gojën e tyre, por Allahu ka vendosur vetëm që ta përsosë dritën e Vet, edhe sikur mohuesit ta urrejnë këtë gjë”

Terri i kuq kaploi Shqipërinë

(13 nëntor 1967)

Më 13 nëntor 1967, Presidiumi i Kuvendit Popullor, me dekret nr. 4337, shfuqizoi të gjitha ligjet dhe dekretet e mëparshme mbi komunitetet fetare dhe statutet e tyre. Ky vendim normalisht binte ndesh me çdo lloj të drejte të sanksionuar në Konventat Ndërkombëtare, por për Partinë Komuniste nuk kishte aspak rëndësi, përkundrazi, ky ishte vetëm fillimi i ‘tunelit’ të errësirës komuniste. Partia, e cila përfaqësonte njëkohësisht Shtetin Shqiptar, e intensifikoi akoma më shumë luftën e hapur ndaj fesë. Nismat e saja ishin të shumta, duke filluar nga: mbyllja e medreseve, shembja e objekteve të kultit, persekutimi i klerit dhe familjarëve të tyre, kanosje, kërcënime, internime, burgosje e tortura, deri në ekzekutim dhe fshehje të kufomave. I njëjti vlerësim dhe gjykim vlente për klerikët e besimtarët, pra për cilindo që tentonte të praktikonte apo propagandonte fenë. Kjo luftë e hapur jo vetëm që ishte ndërmarrë praktikisht, por u urdhërua me dekret ‘Partie’ që të ligjërohej. Nuk u mjaftua me kaq, por u sanksionua dhe në Kushtetutën e Re të Republikës së Shqipërisë, në vitin 1976. Në nenin 37 të Kushtetutës theksohej qartë se: “Shteti nuk njeh asnjë fe dhe përkrah e zhvillon propagandën ateiste për të rrënjosur tek njerëzit botëkuptimin materialist shkencor.”

Kjo gjendje terri që kaploi Shqipërinë vazhdoi deri në fillim të dekadës së fundit të shek. XX (1989-1991). Ky regjim rezistoi derisa e dërgoi Shtetin Shqiptar dhe mbarë shqiptarët në faliment total, derisa shqiptarët u përfshinë nga kriza e urisë dhe krizat e gjithanshme. Me bjerrjen e Shtetit, detyrimisht Partia vulosi fundin e regjimit dhe njëkohësisht fundin e saj, duke i lënë shqiptarët në ‘baltë’, ta rifillonin nga e para ngritjen e Shtetit të ri Shqiptar, bazuar në parimet e lirisë dhe demokracisë, ashtu si mbarë bota ishte orientuar pas dështimit të sistemit komunist.

Aromë lirie pas 23 vitesh robëri

(Nëntor 1990)

Në fillimin e viteve ’90, një erë e re po përfshinte Shqipërinë. Ndryshimi po fillonte nga zemrat dhe mendjet e njerëzve, pikërisht nga besimi i tyre, më saktë nga e drejta për t’u shprehur, për ta shfaqur besimin, për të publikuar dhe për të ushtruar besimin-fenë e tyre lirisht. Karvani i lirisë nuk kishte kthim mbrapa, për ta vënë në veprim atë çka njerëzit besonin në zemrat e tyre dhe prej kaq vitesh, për të ushtruar ritet fetare të cilat ishin ndaluar me të padrejtë. Vërtet që vendin e kishte kapluar uria dhe kriza e gjithanshme, por shqiptarët e kuptuan që, nëse besimi nuk ekziston, nëse ndjenjat e tyre nuk orientohen aty ku qetësohen shpirtrat, atëherë asgjë tjetër nuk i vlen një shpirti të robëruar. Për këtë arsye, ndryshimi filloi pikërisht me lirinë e të shprehurit (fjalës), të mendimit, të ndërgjegjes dhe të besimit, të cilat prej kohësh ishin përfshirë në Konventa Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, amenduar në protokollin nr. 11, Romë, 4 nëntor 1950. Është pikërisht neni 9 në këtë konventë, që përfshin Lirinë e Mendimit, ndërgjegjes dhe të fesë, në të cilin tekstualisht shkruhet:

  1. Çdokush ka të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes e të fesë; kjo e drejtë nënkupton lirinë për të ushtruar fenë ose besimin, qoftë individualisht ose kolektivisht, publikisht ose privatisht nëpërmjet kultit, mësimdhënies, praktikave dhe kryerjes së riteve.
  2. Liria e shfaqjes së fesë së tij ose besimeve të dikujt nuk mund t’i nënshtrohet kufizimeve të tjera, përveç atyre të parashikuara nga ligji dhe që përbëjnë masa të nevojshme në një shoqëri demokratike në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, të shëndetit ose të moralit, ose për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të të tjerëve.

Fillesat e saj kjo nismë drejt lirisë i kishte në qytetin e Shkodrës, në djepin e kulturës dhe qytetërimit shqiptar. Disa ditë para myslimanëve, lëvizjen për lirinë e fesë e nisën katolikët. Pikërisht më 4 nëntor 1990, me nismën guximtare të Dom Simon Jubanit, në varrezat e Rrmajit në Shkodër, ku u mbajt një meshë me rreth 200 deri në 300 besimtarë katolikë. Më pas një tjetër do të pasonte më 11 nëntor 1990.

Pa humbur kohë, të njëjtën praktikë ndoqi hoxha, i cili ishte dergjur burgjeve për vite të tëra, Hafiz

Sabri Koçi. Edhe pse dëshira e tij kishte qenë e kahershme që një ditë të rikthehej me predikimin e tij gojë-ëmbël para besimtarëve, burgosja dhe torturat që kishte hequr me vite të tëra në burgjet e komunizmit, nuk e lanë që të guxonte më herët. Por tani, karvani i lirisë ishte zgjuar te mbarë shqiptarët, kështuqë dhe myslimanët, që përbënin shumicën e popullsisë, nuk mund të duronin më gjatë pa praktikuar fenë e tyre. Me në krye Hafizin Sabri Koçin, ata ndërmorën nismën për të falur namazin e parë pas 23 vitesh, pikërisht në Shkodër, në Xhaminë e Plumbit, e ndërtuar nga Bushatllinjtë. Jehona e këtij veprimi ushtoi në mbarë botën.

H. Sabri koçi, Prijësi që rrezikoi jetën pas 20 viteve burg vetëm për fenë

Në krye të kësaj lëvizje, që në thelb kishte të drejtat dhe lirinë e fjalës, të mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë, lirinë e të shprehurit të besimit, u vendos Hafiz Sabri Koçi, i cili ishte shumë i lidhur me besimtarët e Shkodrës dhe gëzonte një reputacion të lartë si fetar dhe si qytetar. Ai qe treguar i çiltër, i sinqertë, dashamirës dhe i afrueshëm në jetën ditore e në detyrë, por njëkohësisht autoritar e serioz në lidhje me fenë. Hafizi kishte qenë gjithmonë në gatishmëri të plotë për të ndihmuar popullin në hallet e problemet e përditshme, madje shpeshherë kishte bërë më shumë me shpirtin e sakrificës që e karakterizonte këtë ‘burrë të bardhë’.

Hafiz Sabriu e nisi detyrën si imam në Shkodër në vitin 1939 dhe për 15 vite rresht shërbeu pa u lodhur. Pasi komunistët e larguan nga Shkodra, ai u kërkua nga besimtarët me këmbëngulje që të ishte imam në një nga xhamitë e qytetit. E transferuan si nënmyfti në Krujë (1954), me pretekstin e ngritjes në detyrë, por realisht Partia e shihte si rrezik autoritetin dhe popullaritetin që gëzonte në popull, prandaj dhe e transferoi. Për një kohë fare të shkurtër ai u bë i parapëlqyeri i krutanëve, fitoi zemrat e tyre. Të gjendur para kësaj situate, ‘shokët e partisë’ menduan që ta ‘lartësojnë’, ta ngrenë akoma më shumë në detyrë, nga nënmyfti në Myfti, por gjithmonë në një tjetër rreth të panjohur për Hafizin, pikërisht në Kavajë.

Emërimi si myfti në Kavajë (1956) i nxori më shumë në pah aftësitë e tij, sidomos dëshirën shoqëruar me veprim që feja islame të praktikohej më shumë nga besimtarët që gjithmonë e më shumë po i largoheshin asaj duke u angazhuar me ‘punët e partisë’. Kavajasit e pritën shumë miqësisht Hafizin, madje ata e ndihmuan që të rihapte shumë xhami të mbyllura në qytet dhe në mbarë rrethin. Nuk do të zgjaste shumë kur sërish i vjen urdhri për transferim, e kësaj radhe në Korçën e largët, ndërkohë që kërkesat e shkodranëve për ta rikthyer në qytetin që i dha famë nuk reshtnin asnjëherë. Kështu, H. Sabriu, në kundërshtim me urdhrin, niset për në Shkodër, duke u rikthyer sërish pas disa vitesh shkëputjeje (1959). Aty do të shërbejë si imam xhamie deri kur e arrestuan më 4 qershor 1966. Ai vuajti për vite të tëra burgjeve të komunizmit vetëm për shkak të besimit, vetëm për petkun fetar dhe predikimet që kishte mbajtur para se të arrestohej.

Në një intervistë të mëvonshme, që gazetarët i marrin Hafizit, pasi i bëhet pyetja: A menduat për pasojat që mund të kishit në drejtimin e kësaj ceremonie? Ai kujton e thotë: “Duke kujtuar të gjitha vuajtjet e mundimet, nuk kisha se çfarë të humbisja. I përkrahur nga djemtë dhe i ftuar nga rinia e mbrekullueshme shkodrane, unë e ndjeva veten superior ndaj atyre që duhej të kisha frikë.”

Por duhet theksuar se Hafizin e kishin thirrur në Degën e Punëve të Brendshme vetëm një ditë më parë dhe ai pohon se: Është e vërtetë që para se të vinte ajo ditë më thirrën në Degën e P. Brendshme, ku më thanë se në asnjë mënyrë nuk duhej të shkoja në këtë tubim, pasi rinia është e nxituar. Unë iu thashë se: Do t’i përgjigjem thirrjes së tyre, gjithmonë sipas rregullave, dhe besoj se çdo gjë do të shkojë me qetësi.

E premte, 16 nëntor 1990, datë e shënuar për myslimanët shqiptarë

Pjesëmarrësit në këtë ngjarje tregojnë se ajo ka qenë një ditë sa e gëzueshme dhe mallëngjyese, po aq e guximshme dhe e rrezikshme për të ardhmen e besimtarëve. Sipas Faik Hoxhës, ish Myftiut të Shkodrës, iniciativën e guximshme për të hapur xhaminë, për të falur namazin e ditës së xhuma, në thelb për të ripërtërirë fenë, për të rifutur të drejtën e ushtrimit të lirë të besimit fetar, e mori rinia e Shkodrës.

Kështu që, më 16 nëntor 1990, rinia e qytetit të Shkodrës, e përkrahur nga besimtarë të moshave të ndryshme, bëri thirrje për rihapjen e xhamisë së Plumbit, u këndua Ezani dhe u fal xhumaja e parë.

Sipas kujtimeve të Myftiut Hoxha: “Mbarë populli i udhëhequr nga Hafiz Sabri Koçi, morën rrugën nga Qyteti i Shkodrës drejt Xhamisë së Plumbit, në këtë tubim ku u mblodhën rreth 60.000 pjesëmarrës nga qyteti dhe nga fshatrat.”

Rreziku ishte shumë i madh, por zemrat e besimtarëve nuk mund të rezistonin më ndalimin e praktikimit të fesë.

Besimtari shkodran, Rasim Sokoli, kujton e thotë: “Pak çaste para fillimit të ceremonisë, u kërkua që një djalë i ri duhej të hapte mitingun dhe më pas t’ia jepte fjalën Hafiz Sabriut.

Unë dola jashtë dhe aty në mes të njerëzve thirra një djalë, Ardian Isa Golemin, nipin e Haxhi Hafiz Abaz Golemit, e ftova në shtëpinë e familjes Myftia para tubimit , më pas Hafiz Sabriu, unë dhe Ardiani, hipëm në tribunë.”

Në intervistat e shumta lidhur me këtë datë Hafiz Sabriu ndër të tjera është shprehur se: Data 16 nëntor 1990 do të mbetet e paharruar në kujtesën time. E kam të freskët momentin kur u ndodha para një mitingu prej mbi 55.000 vetësh. U entuziazmova dhe m’u deshën disa çaste për të më kaluar emocionet. Nuk përshkruhet gëzimi dhe kënaqësia e asaj dite.

Një nga gazetat më të mëdha në botën arabe, El-Hilal, duke pasqyruar ngjarjet që po ndodhnin në Shqipëri, në një artikull të saj me titull “Shqipëria i kthehet fesë”, ndër të tjera kishte intervistuar Hafizi Sabriun, i cili ishte shprehur: “Gëzimi më i madh imi ka qenë më 16 nëntor…sikur linda përsëri. Kur shkova te xhamia, ç’të shihja? Ishte mbushur zi (plot) me njerëz. Vargu i tyre zgjatej deri në kala. Altoparlantët rreth e përreth. S’mund të bëje asnjë hap. Të gjithë filluan tekbiret. Brohoritnin. Masa gjithnjë e më tepër merrte flakë.

Dikush u desh t’i qetësojë duke thënë se fetarisht nuk bënte kështu. Policia kishte ardhur…binin përforcime të reja. Rinia kishte vendosur që po të ishte nevoja edhe të jepnin jetën. Kam hipur në një tribunë të ngritur për atë qëllim. Mezi e përmbajta veten dhe s’mund t’u besoja syve të mi. Thashë: A jam në mend apo s’jam!? S’kisha parë në jetën time aq të tubuar, mbi 55.000 vetë. E mora fjalën dhe mbajta një bisedë të shkurtër. E pashë veten aq të lumtur saqë nuk kisha gajle edhe sikur t’u bëja kurban (të sakrifikohesha). Nuk kishte gëzim më të madh për jetën time.

Në fjalën e mbajtur Hafiz Sabriu nuk mund të mos i përmendte ata që i shkaktuan kaq shumë vuajtje atij dhe mbarë popullit shqiptar. Por ndryshe nga komunistët terroristë, Hafizi ishte shumë zemërgjerë. Edhe pse e burgosën padrejtësisht mbi dy dekada, ai nuk kërkoi hakmarrje ndaj zullumqarëve, por u shpreh me një lutje të sinqertë: O Zot, bëj që të falimentojnë zullumqarët me zullumqarët (të padrejtët, komunistët E. Sh.), njëri me tjetrin, të paguajnë hakun ndërmjet tyre.

Duke përkujtuar këtë ngjarje, këtë ndodhi të madhe pas 3 viteve (1993), Ismail Muçej, ish-kryeredaktor i gazetës “Drita Islame”, shprehet: “Deshi s’deshi qeveria e asaj kohe, feja u legalizua praktikisht, duke dhënë shkëndijën e parë për qytetet dhe fshatrat e tjera të Shqipërisë, të cilat filluan të hapin njëra pas tjetrës faltore.”

Kjo ishte dita e parë e lirisë së besimit, e cila për çdo vit do të kujtohet me mallëngjim nga myslimanët shqiptarë. Jehona e asaj dite të xhuma vazhdon të përjetohet akoma edhe sot pas 25 vitesh.

Edmond Sharka

/Revista Drita Islame – Nëntor 2015/

Leave a Reply