Bismil-lahi Rrahmani Rrahim!
Me emrin e Allahut të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!
Falenderimet i takojnë Allahut xh.sh., paqja dhe bekimet qofshin mbi Profetin Muhamed (a.s.), familjen e tij të nderuar, shokët dhe të gjithë besimtarët deri në ditën e fundit.
Të dashur besimtarë myslimanë
Të nderuar qytetarë shqiptarë, motra dhe vëllezër!
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë themeluar në vitin 1923, nga burra të mençur dhe të urtë, atdhetarë dhe patriotë, rilindas dhe dijetarë myslimanë shqiptarë, si Haxhi Vehbi Dibra, Hafız Ali Korça, Hafiz Ibrahim Dalliu, e qindra të tjerë, është një ndër institucionet më të vjetra dhe me traditë të kombit shqiptar.
Ringjallja nga hiri i ndalimit dhe persekutimit ateist, ishte një sfidë dhe sakrificë e madhe për nismëtarët e parë të rihapjes së besimit në vitet ’90 në Shqipëri. Lus Allahun që t’i mëshirojë gjithë ato burra me në krye Hafiz Sabri Koçin për rolin historik, që kanë luajtur në konsolidimin e institucionit të besimit islam në vendin tonë.
Në botën që çdo ditë vjen e globalizohet, ne kemi sfida të shumta përballë. Prandaj, sot më shumë se kurrë, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është i ndërgjegjshëm për këtë realitet dhe synon të luajë rolin e tij të rëndësishëm në shoqërinë shqiptare, në vazhdim të traditës së vet shekullore, në gjurmët e dijetarëve dhe hoxhallarëve tanë të shquar myslimanë shqiptarë.
Stafi i përkushtuar dhe i kualifikuar i Komunitetit Mysliman në qendër e në rrethe, ka merita të mëdha për arritjet dhe zhvillimet pozitive të deritanishme. Për këtë arsye i falënderoj të gjithë dhe i përshëndes. Në mënyrë të veçantë dua të falënderoj Kryetarin e Nderit Haxhi Selim Muçën për të gjithë kontributin e dhënë në krye të këtij institucioni, duke realizuar ndërtimin e qindra xhamive, hapjen e shumë medreseve, Universitetit Bedër, etj.
Jam i ndërgjegjshëm për peshën e rëndë të detyrës që më është besuar mua sot, një amanet i shenjtë i Zotit të Lartësuar dhe një përgjegjësi e madhe ndaj kombit shqiptar. Për ta mbajtur këtë barrë unë jam nevojtar i mbështetjes së Allahut dhe lutjeve të të gjithë besimtarëve. Shërbimin tim ndaj këtyre qindra mijëra besimtarëve e vlerësoj si parësor dhe të paçmuar.
Unë zotohem para Allahut dhe ju të gjithëve, që do të punoj me sinqeritet, devotshmëri dhe përkushtim që Komuniteti Mysliman i Shqipërisë të vazhdojë të luajë rolin e tij të rëndësishëm dhe të përfaqësojë me dinjitet myslimanët shqiptarë brenda dhe jashtë vendit.
Në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha institucionet shtetërore shqiptare dhe të gjitha komunitetet fetare në vend, do të vazhdojmë të punojmë me dedikim që na karakterizon për të promovuar vlerat tona të përbashkëta dhe për t’i përçuar brezave të ardhshëm bukuritë e pafundme të besimit. Do të punojmë gjithashtu, për të ndarë nesër me familjen europiane modelin dhe shembullin e përkryer të harmonisë dhe mirëkuptimit ndërfetar, që na karakterizon ne si popull shqiptar në përgjithësi, dhe si besimtarë myslimanë në veçanti.
Lus Allahun e Madhëruar, që të na japë sukses dhe t’i japë mirësi e begati mbarë popullit shqiptar, kudo që ndodhet.
Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të gjithë ju!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!
8 Mars 2014
www.kmsh.al