Kreu i KMSH-se H.Bujar Spahiu mori pjese ne ceremonin e fillimit te vitit te ri shkollore


Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, ishte i pranishëm në ceremoninë e çeljes në Medresenë e Tiranës, ku përpos tij në këtë ceremoni ishin të pranishëm Drejtori i Arsimit në KMSH, z. Elton Karaj, Drejtori i Medresesë, z. Ndriçim Gjimi, stafi pedagogjik i këtij institucioni arsimor, familjarë dhe nxënësit e ciklit fillor dhe atij të mesëm.
Në fjalën e tij kryetari Spahiu, u shpreh entuziast për fillimin e një tjetër viti shkollor plot me sfida duke uruar të gjitha palët për sa më shumë suksese dhe mbarësi.
“Suksese të panumërta në nisje të këtij rrugetimi në të cilin do të përballeni me sfida, por do të keni edhe arritje pas çdo sfide, e pas çdo arritje do të jeni edhe më të pajisur me dije të reja. Dita e parë e shkollës është një moment i rëndësishem për të gjithë, veçanërisht për vogelushet e klasave të para, për të cilët shënohet fillimi i hapjes së mijëra dritareve të reja. Një urim i veçantë shkon për nxënësit e medreseve tona, le të jetë ky vit shkollor frymëzues dhe plot energji pozitive për ta! Për të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit, ju dëshiroj vetëm suksese! Pas çdo suksesi tuaj qëndron përparimi i kombit tonë!” – u shpreh ai.
Të pranishmit i përshëndeti gjithashtu edhe Drejtori i Arsimit në KMSH dhe Drejtori i Medresesë, të cilët përcollën mesazhe të ndryshme urimi.
Pas përfundimit të ceremonisë së çeljes së këtij viti të ri shkollor, nxënësit e medresesë vijuan me shpërndarjen nëpër klasat përkatëse ku edhe filluan ditën e parë të shkollës për këtë vit.

Leave a Reply