Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, organizuan sot ekspozitën me temë: “Themelimi i Komunitetit Mysliman Shqiptar, ngjarje historike kombëtare”, ekspozitë kjo e cila vjen për publikun e gjerë në kuadër të 100-vjetorit të themelimit të institucionit.
Në ceremoninë hapëse të kësaj ekspozite që u zhvillua në hapësirën para xhamisë “Et’hem Beu”, ishin të pranishëm Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Drejtori i Arkivave të Përgjithshme të Shtetit, z. Ardit Bido, Drejtori i Kulturës pranë KMSH-së, z. Dorian Demetja, Myftiu i Tiranës, Lauren Luli, imamë, besimtarë dhe media të shumta.
Në fjalën e tij për mediat, Kryetari Spahiu, pasi falenderoi Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivit të Shtetit për bashkëpunimin në realizimin e kësaj ekspozite, u ndal shkurtimisht në etapat më të rëndësishme të institucionit në këtë 100-vjetor.
“Ka qenë një shekull plot me sfida. Ka patur momente të vështira si në fillimet e të funksionuarit si institucion i pavarur po ashtu edhe në periudhat e mëvonshme, siç është sprova e rëndë e komunizmit, rithemelimi pas viteve ’90, i cili vinte në kushte me kontekst krejtësisht të ndryshëm nga ç’ka qenë më parë. Por, falë Zotit, ia kemi dalë. Dëshmitë historike të gjithë këtij shekulli nuk mungojnë. Ashtu siç e shohim edhe sot në këtë ekspozitë të përbashkët ato flasin për një histori të lavdishme të Komunitetit Mysliman.” – tha Kryetari Spahiu gjatë fjalës së tij.
Ndërsa, z. Bido, në 100-vjet të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, theksoi rolin e klerikëve në historinë e shtetformimit tonë. Sipas tij, ata kanë një kontribut për tu vlerësuar në hedhjen e bazave të forta të kulturës, arsimit, dhe identitetit tonë kombëtar.
Pas fjalëve përshëndetëse për mediat e pranishme, ekspozita u hap edhe për publikun e gjerë, të cilët shprehën interes për ta vizituar dhe për tu njohur nga afër me zhvillimet kryesore të institucionit këto 100 vite.
Burimi: https://www.kmsh.al/zhvillohet-ekspozita-me-teme-themelimi-i-komunitetit-mysliman-shqiptar-ngjarje-historike-kombetare/