Vjenë, Departamenti i Shkencave Islame, pjesë e Konferencës Ndërkombëtare të Teologjisë Islame në Europë

Vjene01

Në datat 27-28 janar 2019 është mbajtur në Universitetin e Vjenës në Austri, Konferenca Ndërkombëtare e Departamenteve dhe Fakulteteve të Shkencave Islame, si dhe Instituteve Teologjike dhe Pedagogjike Islame të Europës “E ardhmja e teologjisë islame dhe e edukimit fetar në Evropë në fushën e tensioneve midis shkencës, politikës dhe shoqërisë”.

Konferenca e iniciuar nga Instituti i Teologjisë Islame në Universitetin Vjenës është mbajtur në ambjentet e kampusit universitar të këtij universiteti, ku merrnin pjesë 50 akademikë dhe drejtues të 16 departamenteve, fakulteteve dhe instituteve teologjike islame nga Austria, Gjermania, Zvicra, Shqipëria, Bosnja dhe Turqia.

Në këtë tubim shkencor e para e këtij lloji në Europë merrte pjesë edhe Dr. Genti Kruja, si përfaqësues i Departamentit të Shkencave Islame, Bedër, i cili ka folur rreth rrugëtimit të këtij departamenti, kontributit ndër vite në fushën akademike të Shkencave Islame, aktivitetit shkencor që zhvillohet, si dhe sfidave me të cilat përballet kjo fushë në Shqipëri.

Europa, vitet e fundit ka njohur një rritje të interesit për edukimin fetar pedagogjik dhe teologjik islam në institucionet akademike të shumë shteteve, ku janë themeluar tashmë disa departamente, institute dhe fakultete të Shkencave dhe Teologjisë Islame, në të cilat përgatiten kryesisht kuadro pedagogjik për shkollat e shteteve përkatëse, si dhe kuadro për institucionet dhe qendrat kulturore islame të Europës dhe për xhamitë e saj.

Kjo ka bërë që krahas nevojave për përgatitjen e këtyre kuadrove, këto institucione të përballen dhe me sfida të ndryshme mes realitetit, ku janë ngritur këto institucione, shoqërisë, politikës dhe zhvillimit akademik dhe shkencor të këtyre programeve.

Pikërisht lidhur me këto tema dhe sfida, drejtues dhe profesorë nga 16 universitete dhe institute, kanë folur rreth institucioneve ku ata zhvillojnë veprimtarinë e tyre akademike dhe shkencore në fushën e Shkencave Islame, në të cilat krahas prezantimit të departmenteve dhe instituteve teologjike përkatëse, kanë folur dhe për mënyrën dhe mundësitë e zgjidhjes së sfidave, që ato përballen në këtë fushë. Një temë tjetër diskutimi ka qenë dhe forcimi e zgjerimi i bashkëpunimit ndërmjet këtyre institucioneve nëpërmjet programeve të përbashkëta akademike, si Erasmus +, si dhe shkëmbimit të eksperiencave të ndërsjella midis stafeve akademike dhe studentëve të kësaj fushe në Europë.

Burimi: /zaninalte.al/2019/01/vjene-departamenti-i-shkencave-islame-pjese-e-konferences-nderkombetare-te-teologjise-islame-ne-europe/

 

Leave a Reply