Universiteti “Hëna e Plotë” ( Bedër) fillon vitin e ri akademik


Universiteti “Hëna e Plotë” ( Bedër) filloi sot vitin e ri akademik 2013-2014, në prani të studentëve, prindërve dhe shumë të ftuarve të tjerë që ishin të pranishëm në ceremoninë e rastit. Ky vit shënon dhe plotësimin e ciklit 3- vjeçar, duke u veçuar si viti që universiteti do të nxjerrë të diplomuarit e parë. Në ceremoninë e organizuar me rastin e fillimit të vitit të ri akademik, mori pjesë edhe Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, si edhe përfaqësues nga universitete të ndryshme në vend.

Në fjalën e tij, Rektori i Universitetit “ Hëna e Plotë” (Bedër), Dr. Ferdinand Gjana, pasi uroi studentët me rastin e fillimit të vitit, u ndal në arritjet e dy viteve të shkuara. Ai u shpreh se universiteti e ka shpallur vitin e ri akademik si “viti i cilësisë”. Ai theksoi se strategjia e universitetit bazohet në katër shtylla kryesore, siç janë : mësimdhënia cilësore, ekselenca në kërkimin shkencor, kontributi në shoqëri dhe të qenit konkurrent në arenën ndërkombëtare. Rektori Gjana i njohu të pranishmit edhe me statistikat e reja të studentëve dhe stafit, duke vënë theksin në shtimin e numrit të studentëve të huaj, të cilët tashmë vijnë nga 18 vende të ndryshme të botës.

Duke u ndalur në profilin ndërkombëtar të universitetit, Dr. Gjana theksoi: “ Të dashur pedagogë, do të keni të bëni me studentë nga shumë vende. Gjithashtu dhe ju të dashur studentë do të keni fatin të merrni dije nga pedagogë që vijnë nga 10 vende të botës, nga të cilët do të përfitoni përvoja të ndryshme dhe ide për karrierën tuaj të ardhshme.”

Ndërkohë studentët dhe të pranishmit në ceremoni i përshëndeti edhe Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj. Ai vlerësoi punën e bërë deri tani nga universiteti dhe iu drejtua studentëve duke theksuar faktin se ata duhet të përfitojnë nga ambienti multikulturor dhe mundësitë që ofron ky institucion. Në fjalën e tij ai u shpreh: “Një urim kam për ju: asnjëherë mos u lodhni në kuriozitetin tuaj për të zbuluar më shumë. Shqipëria sot mund të ketë shumë problem, por problemi më i madh janë njerëzit, djemtë dhe vajzat e afta. Dhe ka shumë njerëz, jo vetëm prindërit tuaj, jo vetëm pedagogët tuaj, por i gjithë kombi shqiptar i ka sytë te kjo gjeneratë, si gjenerata që realisht mund të prodhojë ndryshime të jashtëzakonshme”. Ministri Veliaj gjithashtu falenderoi Universitetin “Hëna e Plotë” (Bedër), për mundësitë e studimit që ofron për kategoritë e njerëzve me aftësi të kufizuara.
/beder.edu.al/

Leave a Reply