Ramazani është muaji kur besimtarët myslimanë janë të obliguar të agjërojnë. I gjithë muaji i Ramazanit është koha kur Islami për të gjithë besimtarët është më shumë mënyrë jetese sesa mënyrë mendimi, pasi në këtë muaj është veprimi ai që sundon në të gjitha çastet. Njeriu i afrohet më shumë se kurdoherë tjetër detyrës për të qenë konkret dhe realist për atë që thotë apo mendon. Ai është një muaj i veçantë në jetën e individit mysliman dhe shoqërisë islame, pasi në të rinovohet krejt jeta. Gjallërohen mendjet me dije dhe njohuri, gjallërohen zemrat me besim dhe përkushtim, gjallërohet shoqëria me bashkëpunim dhe ndërlidhje, gjallërohet vullneti duke garuar në bamirësi dhe vepra humane të konsiderueshme.
Ramazani është një rast i mirë për ata të cilët dëshirojnë të gjejnë dhe të vazhdojnë rrugën e udhëzimit, për t’iu afruar Allahut më tepër me vepra të mira, duke harruar armiqësinë, urrejtjen, inatin dhe egoizmin e duke marrë pjesë në tubime ku jepen këshilla dhe adhurohet Zoti Fuqiplotë. Jo vetëm kaq, por muaji i Ramazanit, është edhe koha kur zgjojmë dhembshurinë, mëshirën dhe solidaritetin me të tjerët, sidomos me të varfrit, të cilëve duhet t’u gjendemi më afër se kurrë, duke iu përgjigjur nevojave të tyre; sepse në këtë muaj ne vetë e përjetojmë urinë, të cilin i vobekti e përjeton në çdo kohë.
Ramazani njihet si muaj i përkujdesjes. Të përkujdesesh për të tjerët ashtu siç përkujdesesh për vete dhe të ndash me të tjerët lumturinë dhe brengosjen. Përkujdesja është një akt fisnik i besimtarit, që do të thotë të shpenzosh kohë, përpjekje, njohuri, energji, para. Kryerja e veprave të tilla fisnike kërkon njerëz me zemër të madhe. Në këtë muaj, ndihmesa e ndërsjellë, butësia dhe toleranca, duhet të jenë më të pranishme ndërmjet myslimanëve.
Ramazani është një muaj vetedukimi për fuqizimin e ndjenjave tona njerëzore. Duke agjëruar për të fituar kënaqësinë e Allahut, duhet hequr dorë prej gjërave të ndaluara si gënjeshtra, shpifja, thashethemet, përfolja, etj. Rezultatin që do të marrim le të mos e lëmë pa konkluzion dhe le të mos e njollosim e t’ia ulim vlerën agjërimit me këto ndyrësi. Në këtë muaj gjuha jonë duhet të laget me përmendjen e Allahut kudo dhe kurdo që të jemi. Sepse në një hadith të transmetuar nga Ebu Hurejre Pejgamberi ynë i dashur na kujton se duaja (lutja) që bën agjëruesi deri në iftar nuk kthehet mbrapsht.
Po si duhet ta kalojmë këtë muaj dhe ç’duhet të bëjmë konkretisht për të mbajtur gjallë ditët dhe netët e tij të bekuara? A e kryejmë plotësisht detyrën tonë si nënë dhe baba, si bir dhe bijë, si afarist, si mësues, si nxënës, si drejtues, si nënshtetas? Mendojmë se specifikat e mëposhtme duhet t’i ketë në vëmendje çdo njeri që beson në Zotin dhe Ditën e Gjykimit:
Në ditë dhe net të tilla, duke bërë vetëgjykim, duhet t’i gjejmë se ku i kemi të metat dhe gabimet dhe duhet të bartim shpresën dhe vendosmërinë për t’u bërë më të dobishëm, më të suksesshëm, më prodhimtarë!
Po të na lejojnë kushtet dhe mundësitë dhe po ta kemi shëndetin në vend, është mirë që gjatë gjithë Ramazanit të shkojmë në xhami për t’i falur namazet me xhemat. Kështu, edhe fitojmë më shumë mirësi, edhe krijojmë mundësinë për t’u takuar dhe përshëndetur në këtë atmosferë të begatshme me njerëzit e mjedisit të vendit të punës dhe lagjes. Ka rëndësi që në ditët dhe netët e Ramazanit të shkojmë në xhami bashkë me fëmijët tanë të rritur e që janë në periudhën e rritjes. Në kohë të tilla entuziaste, ata e kuptojnë më mirë rëndësinë e solidaritetit, bashkimit dhe unitetit.
Në ditët dhe netët e shënuara të Ramazanit të kërkojmë mundësinë për të uruar farefisin, fqinjët e miqtë dhe për të pritur urimet e tyre. Urimet e dyanshme dhe interesimi i dyanshëm për mirëqenien jep mundësinë për të marrë pjesë në gëzimet dhe hidhërimet, në sukseset dhe problemet e njëri-tjetrit.
Në ditët dhe netët e Ramazanit, përmendja e Allahut të Lartë, pendimi, lutja drejtuar Atij, e fuqizojnë vetëdijen e personit se është rob i Allahut.
Në ditët dhe netët e Ramazanit lind mundësia e arritjes më lehtë të pëlqimit të Allahut me anë të namazit, sepse çasti i namazit është momenti kur robi është më afër ndaj Zotit. Namazi është dhikri më i madh. Është e dobishme që në këto ditë dhe net të bekuara të tregohet përkushtim i veçantë për këtë adhurim.
Në këto ditë dhe net të bekuara, këndimi i Kur’anit, dëgjimi i Kur’anit, pjesëmarrja në bisedat me temë nga Kur’ani dhe hadithet, dëgjimi i predikimeve dhe këshillave, ndarja me të tjerët e kësaj atmosfere moralo-shpirtërore, i japin njeriut prehje e kënaqësi; sidomos meditimi mbi kuptimet e Kur’anit dhe haditheve na i plotëson mangësitë e njohurive në fushën e fesë, duke na siguruar thellimin në këtë drejtim.
Në ditë dhe net të tilla, i duhet lutur me sinqeritet Allahut që të na mbrojë nga fatkeqësitë bashkimin dhe unitetin kombëtar, sigurinë dhe qetësinë kombëtare, botën islame dhe tërë njerëzimin. Një botëkuptim i tillë i përfton personit vetëdijen se është një pjesëtar i dobishëm i bashkësisë njerëzore.