Shfaqet premiera e dokumentarit “Triumfi i Besimit”

Në ambientet e Universitetit Bedër, u shfaq sot paradite premiera e dokumentarit “Triumfi i Besimit”, i përgatitur nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në nderim të figurës së Haxhi Hafiz Sabri Koçit.

Të pranishëm në këtë veprimtari ishin drejtues të Komunitetit Mysliman, myftinj, imamë, studiues, përfaqësues të shoqërisë civile, drejtues të shoqatave islame, familjarë e të afërm të Hafiz Sabri Koçit, besimtarë e plot të ftuar.

Kryetari i Komunitetit Mysliman, z. Skender Bruçaj, shprehu kënaqësinë e tij për interesimin e madh për këtë aktivitet në nderim të një figure të lartë si ajo e Hafiz Sabri Koçit.

“Jemi krenarë për Hafiz Sabri Koçin, por edhe për të gjithë ata burra të urtë e të mençur kontributi i të cilëve është i pamohueshëm. Ata ditën të udhëzojnë dhe të ftojnë njerëzit drejt besimit, moralit dhe virtytit. Për këtë qëllim, shembulli i tyre duhet ndjekur dhe duhet çuar përpara nga të gjithë ne, veçanërisht nga brezat e rinj”, u shpreh z. Bruçaj.

Ndërsa drejtori i Kulturës në KMSH, z. Genti Kruja, shprehu vlerësimin dhe mirënjohjen e tij për grupin që u mor me realizimin e këtij dokumentari me vlerë, që sjell në kujtesën e shoqërisë shqiptare kontributet dhe sakrificat e myslimanëve në konsolidimin e besimit dhe vlerave të larta morale e shpirtërore.

“Ky prodhim është i një rëndësie të veçantë, sepse prek një periudhë kyçe të historikut të Islamit në Shqipëri dhe përbën një përpjekje serioze për vlerësimin e figurës së Hafiz Sabri Koçit, të cilin Zoti e triumfoi së bashku me besimin dhe lirinë e një populli të vuajtur”, tha z. Kruja.

Më pas, për rreth 40 minuta, të pranishmit kanë ndjekur me kureshtje dokumentarin, ku bashkëpunëtorë, historianë e bashkëvuajtës të Hafiz Sabri Koçit kanë folur për lidhjet dhe kujtimet që kanë pasur me të.

Dokumentari “Triumfi i Besimit” është realizuar me regji të Algert Skenderit dhe me skenar të Valter Files.

23 Qershor 2014

/dritaislame.al/

Leave a Reply