Sarajevë, takim i liderëve myslimanë të Ballkanit

Një delegacion i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, i kryesuar nga kryetari Skender Bruçaj, zhvilloi një vizitë zyrtare në Bosnje-Hercegovinë, më 17 qershor 2014.bosnje-1

Delegacioni mori pjesë në mbledhjen e krerëve myslimanë të Ballkanit, e organizuar nga Liga Botërore Islame (Muslim World Ligue – MWL).

Në mbledhje u diskutua rreth mënyrave të bashkëpunimit me Komunitetet Fetare në Ballkan, konsolidimin e tyre, nevojat emergjente, etj. U bisedua gjithashtu edhe për një vizion të përbashkët në të ardhmen.

Sekretari i përgjithshëm i MWL, z. Abdullah Turki, propozoi që të krijohet një Këshill Koordinues i Komuniteteve Islame të Ballkanit nën kujdesin e Ligës Botërore Islame, i cili do të merret me evidentimin dhe trajtimin e çështjeve dhe nevojave të komuniteteve përkatëse në Ballkan. Propozimi u mbështet nga të gjithë kryetarët pjesëmarrës dhe u vendos që takimi i radhës i kryetarëve, të zhvillohet në Mekë.

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë z. Skender Bruçaj në fjalën e tij bëri në përmbledhje të veprimtarisë së KMSH-së, ku theksoi unifikimin e besimtareve në një zë të vetëm, gjithëpërfshirjen dhe jetësimin e projekteve konkrete, për ta përfaqësuar Islamin sa më denjësisht në vendin tonë.

Gjatë qëndrimit në Sarajevë, delegacioni zhvilloi takime edhe me personalitete të larta fetare të vendit mikpritës. Kryetari Bruçaj pati një takim kokë më kokë me Sekretarin e Përgjithshëm të Ligës Botërore Islame, Dr. Abdullah Turki, ku u bisedua mbi zgjerimin e  bashkëpunimit në të ardhmen në të mirë të besimtarëve të Shqipërisë.

Kryetari Bruçaj e ftoi z. Turkipër një vizitë zyrtare në Tiranë, ftesë e cila u mirëprit dhe u pranua me kënaqësi prej tij. Z. Turki i premtoi z. Bruçaj se do ta vizitojë Shqipërinë në një kohë të afërt.

Delegacioni shqiptar përbëhej nga nënkryetari Bujar Spahiu dhe drejtori i Zyrës së Haxhit dhe Koordinimit me Botën Islame, Hamdi Çurri.

Në këtë mbledhje morën pjesë liderët myslimanë të Bosnjës, Serbisë, Kroacisë, Sllovenisë, Sekretari i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman të Malit të Zi, si dhe myftinjtë e qyteteve kryesore të Bosnjës. Ndërsa Kosova dhe Maqedonia nuk ishin prezentë për arsye se nuk arritën të pajiseshin me viza në kohën e duhur.

Leave a Reply