Roli i gruas myslimane ne familje dhe shoqeri

Gruaja është nga faktorët më të rëndësishëm brenda familjes, ndërsa familja është institucioni i parë dhe më me rëndësi në shoqërinë njerëzore; aty merren fillet e para të edukimit të njeriut, për se prindërit janë të obliguar t’i edukojnë fëmijët e tyre në mënyrën më të mirë të mundur.

Për t’u arritur një edukatë e shëndoshë, është i domosdoshëm një edukim social dhe fetar i çiftit, sidomos i gruas.
Vetë jeta e njeriut kalon nga një fazë në tjetrën dhe secila nga këto faza ka rëndësinë e saj të veçantë, nga secila merre dhuron diçka, prandaj secila femër duhet të shfrytëzojë çdo fazë të jetës së saj për të arritur synimet që të bëhet model i një gruaje të suksesshme brenda familjes, po edhe jashtë saj.
Edukimi i gruas zë vend të rëndësishëm në jetën familjare, që nga fakti se ajo është baza e një fryme të shëndoshë brenda çdo familjeje, ajo është bashkëshorte dhe mike e burrit të saj, nënë dhe edukatore për fëmijët, por ka raste ku ajo mund të jetë edhe stuhi që mund të sjellë trazira të shumta.
Që një grua të jetë sa më larg kësaj të fundit, duhet të shfrytëzojë çdo fazë të jetës në rrugën që shpie drejt një gruaje të edukuar me moral të lartë dhe edukim të mirëfilltë.
Mirëpo, meqë jetojmë në një kohë kur pak ka mbetur nga modeli i kësaj gruaje, shumëkush do të pyeste se si arrihet kjo shkallë. Sepse jemi dëshmitarë që gruaja me çdo kusht mundohet t’i adaptojë të gjitha mënyrat e jetës që e rrethojnë, dhe harron rolin dhe pozitën për se ajo është e obliguar.
Njerëzimi sot vuan nga anomali të shumta shoqërore, ndër të cilat është humbja e respektit ndaj femrës. Ky fenomen sot, për fatin tonë të keq, e ka goditur edhe shoqërinë tonë, shoqërinë islame.
Sa e sa nga motrat tona për model kanë femrën perëndimore, e cila pas vetes bart turpin dhe nënçmimin, e nuk e marrin për model Aishen r.a., e cila ishte femra më e ditur e njerëzimit.
A thua është më mirë që orët e jetës të shpenzohen duke ndjekur pistat e modës dhe duke bërë gara se cila po duket më e bukur, apo duke mësuar dhe duke kryer urdhrat e Zotit?
Secila logjikë e shëndoshë do ta pranonte të dytën, prandaj prano edhe ti,
derisa nuk është bërë vonë.
Kujto pozitën e lartë që ta dha Zoti në këtë botë,andaj mos u bë, ajo që do ta ulësh veten, se për këtë faji është vetëm tek ti,kthehu në retrospektivë – ku ishte femra atëherë e ku je ti sot?
E di ti se para Islamit, të ishe femër, ka qenë turp,dhe ky turp duhej të varrosej për së gjalli; në atë kohë femra ka qenë krijesa më e përbuzur dhe e nënçmuar, por Zoti ty të solli në këtë botë kur Islami femrën e ngriti në piedestal dhe nderin e saj e mbron me çdo kusht.
Atëherë, pse kërkon të kthesh veten në injorancë, pse bëhesh objekt i të tjerëve dhe pse i pason ato në fjalorin e të cilave nuk gjendet fjala nder?
Motër e dashur, Zoti na nderoi shumë duke na bërë pjesëtare të Islamit dhe pasuese të mësuesit të njerëzimit – Muhamedit a.s., dhe a e kemi pyetur ndonjëherë veten me se e merituam ne këtë
nder të madh?
Prandaj gëzohu dhe falënderoje Zotin që të bëri myslimane dhe, përderisa je vajzë, gjithmonë mundohu ta ndjekësh rrugën e drejtë dhe mos shko pas asaj që më vonë do të bëjë të pendohesh për veprat e tua,mos shiko përreth teje se si argëtohen vajzat e tjera dhe nuk e çajnë kokën fare për përgatitje profesionale e fetare, sepse dije se ato nuk do të mund të jenë asnjëherë në shkallë të njëjtë me ty, që në vend të kafiterive ke zgjedhur shkollën, në vend të revistave ke zgjedhur librin,në vend të muzikës – Kuranin, dhe në vend të modës e koleksioneve të saj, – ti ke zgjedhur modestinë dhe mbulesën.
Pra, siç thotë edhe Allahu në Kuranin famëlartë: ”…Me të vërtetë, All-llahut i druajnë vetëm të dijshmit prej robërve të tij.” (Fatir :28), dhe ajeti tjetër: ”…Thuaj: A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë”. (Zumer :9)
Prandaj të mos të dëshpëroj fakti se ndoshta sot mund edhe të përqeshesh nga të tjerët, sepse dije që nesër do të qeshësh ti, e të tjerët do të qajnë.
Nëse e shfrytëzon si duhet këtë pjesë të jetës sate, nesër si grua do të jesh mbështetje e fortë e bashkëshortit tënd, do të jesh ti ajo me të cilën ai do të krenohet dhe do ta falënderojë Zotin që pranë ka një grua si ty, të edukuar dhe të
devotshme, e cila e pret gjithmonë e buzëqeshur me respekt dhe dashuri, e gatshme gjithmonë ta përkrahë në punë të mira, dhe ta ndihmojë në vështirësitë që sjell jeta, dhe tek e cila ai gjen prehje si në çastet e lumtura, ashtu edhe
në ato të hidhura.
Asnjëherë mos kërko ato që nuk mund t’i kesh, po kënaqu me ato që të ofrohen, dhe mos lakmo gjendjen e atyre grave që vetëm kërkojnë dhe pak falin;
mos lejo asnjëherë të jesh në nivel të njëjtë me ato gra që synim kanë kënaqësinë e kësaj bote dhe harrojnë botën tjetër; gjithmonë kujto se kjo botë nuk është vend i kënaqësive po i sprovave, prandaj mundohu të përgatitësh bagazhin tënd me vepra të mira dhe duke i kryer urdhrat e Zotit e pastaj me kënaqësinë e bashkëshortit tënd, duke e dashur dhe respektuar, dhe mos harro asnjëherë thënien e Profetit tonë të dashur Muhamedit a.s.: Nëse do ta urdhëroja dikë t’i bëjë sexhde dikujt tjetër përveç Allahut, do ta urdhëroja gruan t’i bënte sexhde burrit të saj. Prandaj, mos kërko të pamundurën, sepse burri është burrë dhe gruaja grua,
kështu deshi Zoti ynë dhe pa dyshim këtu ka urtësi. Prandaj mbill gjithmonë mirësi dhe bëhu shkak i qetësisë dhe rehatisë në familjen tënde.
Ti nesër, me lejen e Zotit, do të bëhesh nënë dhe do të jesh model për fëmijën tënd,çdo fjalë, gjest apo sjellje do të përcillet tek fëmija dhe, nëse je vetë e edukuar mirë, atëherë do të përcjellësh tek fëmija yt një edukatë të lartë përplot mirësjellje ndaj familjes, rrethit dhe shoqërisë në përgjithësi.
Tek fëmija do ta përcjellësh dëshirën dhe vullnetin e lartë për dije dhe ngritje në jetë,do të jesh gjithashtu mbështetje e fortë për të edhe në aspektin profesional. Tek ai do t’i përcjellësh vlerat më të larta njerëzore, do ta mësosh me të vërtetën dhe nuk do ta lësh të jetojë në gënjeshtra; do t’i mësosh atij të mirën dhe do ta ndalosh nga e keqja.
Ti, më tutje, do t’i mësoje arsyen e ardhjes në këtë botë dhe punët e mira me të cilat fitohet mëshira e Zotit, më një fjalë, do të rrisje një fëmijë me ndjenja të personalitetit,dashurisë,mirëkuptimit mirësjelljes dhe tolerancës. Prandaj mundohu që sa më tepër t’i përkushtohesh familjes sate me edukatë dhe moral të lartë, sepse, mos harro, ti je model për ta, pastaj kujto se sa gra ka që nuk e kanë fatin tënd të kenë së paku një fëmijë në prehrin e tyre, kurse ty Zoti ta dha këtë kënaqësi.
Ndalu dhe shiko përreth teje: si i rrisin dhe i edukojnë shumë nëna fëmijët e tyre, – në vend të ngrohtësisë amnore, ato u dhurojnë një dado, nuk janë aty kurfëmija i tyre bën hapin e parë, sepse preokupim të parë kanë punën dhe karrierën e tyre e pak çajnë kokën për edukimin e fëmijëve të tyre,prandaj nuk është çudi që sot shumë gra dështojnë në krijimin e një familjeje stabile dhe me moral të lartë.
Mos harro se çdo prind është përgjegjës për fëmijët e tij dhe, në qoftë se nuk jep maksimumin në edukimin e tyre, atëherë funksioni i familjes mbetet i paplotësuar
dhe asnjë institucion tjetër nuk mund ta kryejë këtë funksion, kështu që gjithmonë
duhet pasur parasysh ajeti kuranor, ku Allahu thotë: “O ju që besoni, ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lëndë djegëse e të cilit do të jenë njerëzit e gurët dhe të cilin do ta mbikëqyrin engjëjt e fuqishëm dhe të ashpër, të cilët nuk i kundërshtojnë urdhrat e All-llahut dhe të cilët punojnë për atë që urdhërohen”. (Et-Tahrim: 6),  si dhe thënia e Muhamedit a.s.: “Vendi më i bukur në botë është shtëpia ku përgatitet individi fizikisht dhe shpirtërisht për shoqërinë.
Prandaj, puno që shtëpia jote të jetë fole e të devotshmëve që kanë frikë vetëm Zotin dhe shpresojnë në Të”. Prandaj, motër e dashur, në këtë botë jeto në një shtëpi modeste, të mobiluar me iman të lartë dhe vepra të mira, në mënyrë që në botën tjetër të jetosh në pallate që Allahu ka përgatitur për besimtarët e besimtaret.

Nga; Amire Prebreza-Sopjani

 

Burimi: https://www.islamgjakova.net/artikulli.php?id=10921

Leave a Reply