Medreseja e Tiranës organizoi sot programin “Në dritën e Kuranit”, event i mbështetur nga Komuniteti Mysliman dhe fondacioni arsimor e kulturor “SEMA”.
Nënkryetari i KMSH-së z. Skënder Bruçaj, përshëndeti në emër të Kryetarit Haxhi Selim Muça dhe vlerësoi djemtë dhe vajzat medresiste, për vullnetin dhe dëshirën e tyre për të përvetësuar sa më shpejt leximin e Kuranit.
“Kjo është një ditë e veçantë për ju të dashur nxënës, sepse tani ju jeni afruar më shumë Kuranit Famëlartë, udhëzuesit dhe burimit te lumturisë për mbarë njerëzimin. Kurani është drita e amshueshmërisë, dhe sa më shumë ta njohim, ta lexojmë aq me afër do i jemi harmonisë shpirtërore. Fuqiploti e ka lidhur lumturinë e të dy botëve pas udhëzimeve të Kuranit.”, u shpreh z. Bruçaj.
Drejtori i shkollës, Omer Çallësh, bëri të njohur qëllimin e organizimit të këtij programi, teksa u shpreh: “Vijmë në këtë program për të promovuar mesazhet e larta të Kuranit, mesazhet e jetës dhe, njëkohësisht, për të vlerësuar ecurinë pozitive të nxënësve tanë në njohjen e këtij Libri të madh”.
Ndërsa Kryetar i Komitetit Shtetëror për Kultet, z. Ilir Hoxholli, u shpreh se ndihet i emocionuar teksa sheh performancat e mrekullueshme të nxënësve dhe vlerësoi stafin e Medresesë së Tiranës.
Një program i ndërthurur me Kuran, ilahi e poezi, e aktrim, ku u evidentuan mesazhet dhe vlerat universale të Kuranit, ka shoqëruar prindër, nxënës dhe të ftuar të shumtë që kishin mbushur sallën e madhe të Universitetit të Arteve.
Dhjetëra nxënës të medreseve në mbarë vendin kanë filluar mësimin e Kuranit që nga muaji shtator 2013 duke arritur që për një kohë të shkurtër të arrijnë ta lexojnë atë pa vështirësi si dhe duke kultivuar tek ata dashurinë dhe respektin për Fjalën Hyjnore.
I pranishëm ishte, Prefekt i Qarkut të Tiranës, z. Sadi Vorpsi, përfaqësues së komuniteteve tjera fetare si dhe qindra qytetarë të kryeqytetit.
21 Janar 2014
/Drita Islame/