Presidenti i Republikës, SH. T. Z. Bujar Nishani, shtroi një Iftar në Pallatin e Brigadave, me rastin e Muajit të Bekuar të Ramazanit.
Të pranishëm në këtë Iftar ishin Kryetari i Komunitetit Mysliman, Skënder Bruçaj, përfaqësues të bashkësive fetare, të Trupit Diplomatik, të institucioneve kushtetuese si dhe përfaqësues të artit, sipërmarrjes dhe kulturës, kryetari i nderit i KMSH-së H. Selim Muça, si dhe drejtues të shoqatave islame në Shqipëri.
Presidenti Nishani u shpreh se sakrifica sublime në muajin e Ramazanit e nxisin e i kujtojnë shoqërisë sonë se ne kemi nevojë përherë për t’ju përkushtuar Zotit në të gjitha format deri në castet e fundit të jetës, duke ruajtur kështu, të pastër moralin tonë hyjnor.
“Në themelet e shtetit shqiptar, që lindi përmes dhimbjesh në fillimin e shekullit të kaluar, në ballë të flijimeve madhështore që u bënë kurban nga populli ynë, në to, qëndroi si më kryesori kontributi i bashkësisë myslimane, i asaj mase vigane të besimtareve e besimtarëve myslimanë, që nuk e ndanë kurrë fatin e tyre nga ai të Shqipërisë. Ishte ndihmesa juaj, të dashur besimtarë myslimanë, që së bashku me ato ortodoksë e katolikë, bëri të mundur që nga përpjekjet e mëdha historike të lindte Shqipëria, nëna e përbashkët e të gjithë atyre njerëzve që flasin shqip në trojet tona stërgjyshore.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dhe besimtarët kanë në histori rolin e tyre vendimtar në të gjitha fazat e rritjes së shtetit shqiptar në shekullin e XX-të, duke qenë ata vetë autorët e krijimit të atij fenomeni origjinal në Europë dhe në botë që ka emrin e mrekullueshëm “harmonia fetare e Shqipërisë”. Dhuna totalitare e komunizmit ateist ra ashpër edhe mbi ju, ajo ju vrau, burgosi, persekutoi, rrafshoi ngrehinat tuaja. Por ju, të mësuar në sakrifica, i qëndruat atij besimi se një ditë Muaji i Ramazanit do të niste prapë në Shqipëri e feja juaj do çelte prapë syth si një pemë e mbjellë në shtëpi.”, tha ndër të tjera z. Nishani.
4 Korri 2014
dritaislame.al