Premiera e dokumentarit “H. Hafiz Sabri Koçi, pishtar i lirisë së besimit”

Me rastin e 25 vjetorit të lirisë së besimit në vendin tonë, (nëntor 1990 – nëntor 2015), Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, ka shfaqur dje dokumentarin premierë, “H. Hafiz Sabri Koçi, pishtar i lirisë së besimit”.

Në fjalën përshëndetëse kryetari i komunitetit Mysliman të Shqipërisë, u shpreh se Hafiz Sabri Koçi, ishte njeriu model që gërshetoi në personalitetin e tij vlerat e besimit dhe diti t’i mbrojë ato në kohë të vështira, duke sakrifikuar 20 vjet nga jeta e tij, por, në të njëjtën kohë, duke ruajtur dinjitetin e një besimtari dhe njeriu të mirë.

“Hirësia e tij H. Sabri Koçi, u bë për shqiptarët simbol i liderit të drejtë, besimtarit të mirë, mikut më të afërt, atdhetarit të flaktë, si dhe flamurtar i rimëkëmbjes së vlerave njerëzore në vendin tonë.”, tha z. Bruçaj.

Ministrja e Kulturës, znj, Mirela Kumbaro, e pranishme në këtë aktivitet u shpreh se , nuk është e rastësishme që një personazh si Hafiz Sabri Koçi të ndërthuret në historinë e vendit, apo të dalë në një nga periudhat më dramatike të historisë sonë siç është periudha e diktaturës.

“Në nëntor kanë ndodhur shumë ngjarje të rëndësishme të historisë sonë dhe një prej tyre është liria e besimit, që është nëntori i vitit 1990.  Falë një njeriu si Hafiz Sabri Koçi ne jemi këtu sot për të gëzuar atë liri që ata fituan duke sakrifikuar jetën, për të gëzuar në radhë të parë lirinë e mendimit, fjalës dhe besimit.”, tha znj. Kumbaro.

Ndërsa Myftiu i Kosovës, z.Naim Tërnava, tha se  të rikujtosh figurën e Hafiz Sabri Koçit do të thotë të rikujtosh një të kaluar të hidhur në aspektin fetar, por do të thotë të rikujtosh edhe shpresën dhe ardhmërinë e sigurt, në besimin në Zotin, të lirë, duke respektuar besimin e njëri-tjetrit dhe duke qenë shembull për botën.

Ndërsa Drejtori i Kulturës në KMSH, z. Genti Kruja, gjatë prezantimit të aktivitetit theksoi faktin se ngjarjet e 25 viteve më parë janë quajtur me të drejtë triumfi i besimit, triumfi i lirisë mbi frikën.

Në premierën e dokumentarit ishin të pranishëm edhe përfaqësues të komuniteteve të tjera fetare në vend, ambasadorë, deputetë, përfaqësues nga bota e artit dhe e kulturës, familjar e të afërm të Hafiz Sabri Koçit.

Në këtë dokumentar me skenar të gazetarit, Genti Hazizi, për herë të parë janë shfaqur, pamje të rihapjes së xhamisë së Et’hem Beut, 18 janar 1991; dokumente historike, intervista e dëshmi për njeriun, i cili pas 20 viteve burg gjatë regjimit komunist, u bë prijësi dhe pishtari i lirisë së besimit, si dhe pamje nga rihapja e Xhamisë së Plumbit, 16 nëntor 1990.

Nga: www.kmsh.al

Leave a Reply