Komuniteti Mysliman i Shqipërisë
Këshilli i Teologëve
Falenderojmë Allahun (xh.sh.) Krijuesin e botërave dhe dërgojmë përshëndetjet më të sinqerta Profetit Muhamed (a.s.), familjes dhe shokëve të tij, si dhe të gjithë atyre që ndjekin rrugën e tij deri në ditën e fundit të kësaj bote.
Këshilli i Teologëve pranë Komunitetit Mysliman të Shqipërisë u mblodh me datë 02/05/2018 për të shqyrtuar disa çështje që kanë të bëjnë me muajin e madhërishëm të Ramazanit 2018. Në këtë mbledhje u diskutuan çështjet për fillimin e muajit të Ramazanit, qartësimin e orarit të imsakut, qartësimin e kohës së faljes së namazit të jacisë, për caktimin e nisabit (masë e caktuar nga feja për detyrimin e zekatit), sadakanë e fitrit dhe fidjen (pagesa ditore në lekë për ata që nuk munden dhe nuk pritet më pas ta mbajnë agjërimin).
Këshilli i Teologëve doli në përfundimin si më poshtë:
1. Fillimi i muajit të Ramazanit, koha e faljes së namazit të jacisë nëpër xhamia dhe lejimi i limitit të ngrënies dhe pirjes përgjatë muajit të Ramazanit do të jetë sipas orarit të përcaktuar në kalendarin e zyrtar të KMSH-së për vitin 2018.
2. Për vitin 2018 sadakaja e Fitrit dhe Fidja do të jetë 200 lekë për frymë.
3. Këshilli i teologëve pranë KMSH-së vendosi që për vitin 2018 caktimi minimal (nisabi) i dhënies së zekatit do të jetë si më poshtë:
Duke ju referuar floririt (85 gram) në caktimin e nisabit, personi i cili gjatë një viti ka minimalisht dhe jashtë nevojave jetike të depozituar për një vit hënor 420.000 lekë, e ka obligim dhënien e zekatit në masën 2.5% ose 1/40 të pasurisë së depozituar.
“Faleni namazin, jepeni zekatin dhe respektojeni Allahun dhe të dërguarin e Tij”. (Kur’ani, Ahzab, 33)
Zekat është detyrim për personat në moshë madhore, mendërisht të shëndoshë, të lirë, të mos kenë borxhe dhe përveç përballimit të nevojave të tij dhe të familjes të zotërojë pasuri në vlerën e nisabit mbi të cilin të kalojë një vit pa e prekur. Sasia e nisabit është kusht si për pasurinë ashtu dhe për prodhimin. Edhe pse ari dhe argjendi nuk shtohen, zekati jepet kur arrin vlerën e nisabit.
Nisabi: është një masë e caktuar nga feja për detyrimin e zekatit. Kjo masë është 85 gr ar, 595 gr argjend ose pasuri, mallra tregtie, para në vlerën e tyre. Përsa i përket zekatit të kursimeve të parave, ajo është 2.5 % e vleftës totale të paprekur për periudhën njëvjeçare.
KUJT DUHET T’I JEPET ZEKATI
Allahu i Lartësuar i ka përcaktuar në Kuran në suren Tevbe, ajeti 60, vendet ku duhet të jepet zekat. Sipas ajetit, vendet ku jepet zekat janë:
1. Të varfrit (personat të cilët nuk kanë pasuri në masën e nisabit)
2. Nevojtarët (personat të cilët nuk kanë asgjë)
3. Nëpunësit që mbledhin zekatin
4. Personave të cilët duam t’i afrojmë e t’ia ngrohim zemrën me Islamin. Këtë grup mund ta ndajmë në tre pjesë:
Personat të cilët edhe pse janë myslimanë akoma nuk kanë besim në zemrat e tyre.
Personat që nuk janë myslimanë por shpresohet të bëhen të tillë.
Edhe pse nuk janë myslimanë, mund të jepet për t’u ruajtur nga e keqja dhe për të zbutur pak atmosferën.
5. Robërve, për t’i shpëtuar nga robëria.
6. Borxhlinjve (atyre që nuk kanë pasuri të paguajnë borxhin)
7. Personave që ia kanë kushtuar jetën diturisë, njerëzve dhe institucioneve që ndihmojnë në përhapjen e fesë islame dhe në përgjithësi të gjithë institucionet apo shoqatat që ndikojnë në përhapjen e kulturës Islame.
8. Udhëtarët. (atyre që mund të kenë nevojë për para gjatë udhëtimit)
Zyra e Financës pranë KMSH
Adresa: Rr. “George W. Bush”
Nr. 50. Tiranë – Albania.
Tel: +355 42 23 04 92
Cel: +355 67 60 18 182
KOMUNITETI MYSLIMAN I SHQIPËRISË
BANKA KOMBËTARE TREGTARE
NR. KLIENTIT 110000709
NR IBAN NË LEKË: AL1420511014000709CLTJCLALL0
NR IBAN NË EURO: AL4120511014000709CLTJCFEURA
NR IBAN NË DOLLARË: AL8520511014000709CLTJCFUSDA
SWIFT: NCBAALTXXXX