Mblidhet Këshilli i Përgjithshëm i KMSH-së

Këshilli i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë u mblodh sot paradite në ambientet e Medresesë së Tiranës, ku ka zhvilluar mbledhjen e zakonshme për 6 mujorin e dytë të vitit 2015.

Takimi u hap me këndimin e ajeteve kur’anore nga myftiu i Peqinit z. Bilal Bodlli.

Më pas, mbledhja e drejtuar nga Kryetari i Këshillit të Përgjithshëm, z. Ylli Gurra, ka vazhduar sipas rregullores statuore, me listëprezencën dhe prezantimin e raporteve.

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj, përshëndeti të gjithë anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm dhe i falënderoi për prezencën. Ai u shpreh së prania e të rinjve në Këshill i jep një frymë të re institucionit dhe uroi që puna në shërbim të islamit në vend të vazhdojë me ritme progresive.

Në rendin e ditës u votua edhe për Kryetarin e ri të Këshillit të Përgjithshëm, ku është zgjedhur për ta drejtuar atë, Myftiu i Kukësit z. Islam Hoxha.

Gjithashtu në mbledhje janë vendosur edhe drejtuesit dhe anëtarët e  Komisionit të Kulturës dhe Thirrjes në Islam, Komisionit të Revizionimit, Komisionit të Arsimit si dhe Komisioni i Mandateve.

Raporti i Kryesisë së KMSH i mbajtur nga kancelari i KMSH-së z. Ylli Cikalleshi, ka evidentuar dhe nxjerrë në pah aktivitetin e përgjithshëm të drejtorive të KMSH-së, funksionimin e instancave të institucionit në nivel qendror dhe vendor, sfidat, problemet dhe pengesat që janë hasur gjatë gjashtë mujorit të fundit.

Një vend të veçantë në prezantimin e raportit zuri edhe pjesëmarrja e Komunitetit Mysliman në konferenca dhe simpoziume ndërkombëtare në SHBA me ftesë nga Shtëpia e Bardhë, programacioni i larmishëm mediatik përgjatë muajit të Ramazanit, në mënyrë që atmosfera e këtij muaji  të ndihej në çdo ambient (ku përfshihen posterat dhe billborderat në kryeqytet, reportazhet televizive “Me Syrin e Zemrës”, emisionet radiofonike “Melodi e Zemrës”), si dhe organizimi i suksesshëm i Haxhit 2015.

Këshilli i Përgjithshëm u informua me vendimet që Kryesia e Komunitetit Mysliman ka marrë gjatë kësaj periudhe si dhe emërimet dhe lëvizjet e kryera gjatë këtij viti, të cilat më pas janë miratuar nga KP, së bashku me raportin e Kryesisë së KMSH-së.

Në raport u nënvizuan gjithashtu edhe disa prioritete të së ardhmes, për të bërë të mundur që institucioni i KMSH-së të jetë në nivelet më të larta të përfaqësimit dhe përgjegjësive që mbart.

Anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm dhe Myftinjtë, paraqiten problematikat që hasin dhe propozimet për projekte të reja.

Në fund mbledhja u mbyll me fjalën e kreut të KMSH-së z. Skender Bruçaj, duke përmendur edhe një herë pikat kryesore ku duhen të fokusohen myftinjtë në dobi të asaj çfarë përfaqëson secili prej tyre.

17 tetor 2015

www.kmsh.al

 

Leave a Reply