Komenti i “Bismilahir Rahmanir Rahim”

Bismilah

Bismilah”, ka kuptimin “Me emrin e Allahut”. Duke filluar me emrin e Allahut, kërkojmë ndihmën e Tij që puna të jetë e plotë dhe e suksesshme. Para ardhjes së Islamit arabët i fillonin punët duke përmendur emrat e putnave[1] të tyre. Si p.sh.: Bismilat, bismiluzza… Edhe te popujt e tjerë ishte zakon që të fillonin me emrin e mbretërve të tyre. Një mysliman kur thotë:Bismilahirrahmanirrahim,Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit para se t’i hyjë një pune (para se të lexojë, të shkruajë, të ushqehet…), tregon nevojën në vazhdimësi për ndihmë nga Allahu që t’i dhurojë atij fuqi për mbarimin e punës me sukses.

Fjala “Allah” është njëri nga emrat e bukur të Zotit (xh.sh.). Me këtë emër thirret vetëm i Adhuruari me të drejtë, që është Zoti, pra, Allah nuk quhet tjetër kush veç Zotit. Madje, edhe te arabët para Islamit askush nga putat e tyre nuk quhej Allah. Këtë e vërteton edhe vet Kurani kur thotë: “A njeh ti ndokënd që ka emrin e Tij?![2] Allahu i Madhërueshëm thirret edhe me shumë emra të tjerë dhe secili emër tregon njërën prej atributeve të Tij. Kurse fjala “Allah” përmbledh në vetvete, pa përjashtim, të gjitha emrat e bukur të Zotit. Le të marrim dy emrat e përmendur pas Bismilahit.

Emrat “Rrahman dhe Rrahim” kanë në rrënjë fjalën “Rahmet”, që do të thotë mëshirë, ndihmë, mirësi. “Rrahman” ka kuptimin “i Gjithëmëshirshmi”, mëshira e të Cilit përfshin gjithçka, të mirë e të keqe, besimtar e mohues, pa bërë kurrfarë dallimi. Sipas disa dijetarëve të tefsirit, Rrahman në këtë ajet ka kuptimin “Rrezak – Furnizues”. Pra, Allahu i Lartë, furnizon çdo gjallesë në masën e duhur, pa nënvlerësuar askënd. Ashtu si dërgon në barkun e milingonës ushqimin e duhur, po ashtu, dërgon edhe në barkun e balenës së madhe ushqimin e duhur.

“Rrahim”, ka kuptimin “Mëshirëshumë, Mëshirëmadh, Mëshirëplotë”. Kjo, komentohet nga disa dijetarë se Allahu është Falës dhe u jep mirësi në botën tjetër vetëm besimtarëve. Allahu i Lartë, edhe pse u jep mirësi të gjithëve në këtë botë, në botën tjetër për besimtarët do të ketë dhurata e begati të veçanta. “Rrahim” shpreh dhembshurinë. Dhembshuria e mëshira e Allahut përfshin gjithçka. Veçanërisht, kjo është më e theksuar tek të vegjlit e njerëzve dhe kafshëve kur vijnë në këtë botë. Si një rrezatim i kësaj dhembshurie e mëshire, luani i egër i shërben të voglit të tij. Pula nënë nuk ha vetë, por ushqen të vegjlit e saj, madje ajo është e gatshme t’i hidhet në sulm edhe qenit për t’i mbrojtur ata. Ndërsa zogu nënë, thuajse jeton vetëm për zogjtë e vet.

O Njeri! Eja në vete! A do të ishte e mundur që mos të të njihte e mos të të shikonte ty Krijuesi i Gjithëlavdishëm, i Cili bën që të gjitha llojet e krijesave të kthehen drejt teje dhe të shtrijnë duart që të të ndihmojnë përballë nevojave të tua?! A do të ishte e mundur që Ai (xh.sh.) mos të të njohë ty dhe mos të të shohë ty?! Meqënëse të njeh ty, Ai të njofton se të njeh përmes mëshirës së Tij. Atëherë ti njihe Atë, gjithashtu, përpiqu ta njohësh duke respektuar urdhrat e Tij. Kupto me siguri se ajo që nënshtron universin e gjërë ndaj teje dhe që e bën universin të të ndihmojë ty, megjithëse ti je një krijesë absolutisht e varfër, e dobët, e vogël, e pafuiqshme dhe kalimtare, është e vërteta e Mëshirës Hyjnore, e cila përmban urtësi, mirësi, njohje dhe fuqi.

Me siguri, një mëshirë e tillë si kjo, kërkon prej teje falënderime të përgjithshme e të sinqerta dhe një respekt të madh e të papërzier. Prandaj thuaj “Bismilahirrahmanirrahim” dhe bëje atë si mjet për të shkuar tek dera e asaj Mëshire, dhe si ndërmjetësin tënd tek i Gjithëmëshirshmi Mëshirëplotë.

Nga: Dorian Demetja

 

[1] Put: Statujë në formën e njeriut ose të kafshës që arabët para Islamit e ndërtonin vet dhe e adhuronin.

[2] Merjem, 19:65

 

Burimi: /https://dritaislame.al/

Leave a Reply