Tregohet prej Selman Farisiut se H. Muhamedi a.s. mbajti një hytbe në fund të muajit Shaban mbi rëndësinë e muajit Ramazan, ku, midis të tjerash, tha:
“O njerëz, po ju vjen një muaj i madh dhe i bekuar, muaji në të cilin gjendet një natë më e mirë se njëmijë muaj. Është një muaj që Zoti e ka bërë farz (detyrim) agjërimin e ditës, namazet e teravive-namazet e natës në të – vullnetare. Çdo vepër e mirë në këtë muaj, është e njëjtë me atë që ka kryer një detyrë farz, jashtë këtij muaji. Ndërsa ai që kryen një detyrë, domethënë një farz në këtë muaj është i barabartë me 70 farze, që i kryen jashtë këtij muaji.
Ramazani është muaji i sabrit (durimit), kurse shpërblimi i sabrit është xheneti. Ramazani është muaji i bamirësisë, muaji në të cilin shtohet bereqeti i besimtarit të vërtetë. Kush e fton tjetrin në iftar, do t’i falen gjynahet, do t’i shpëtojë zjarrit të xhehenemit dhe do të ketë shpërblim të barabartë me atë që e ka ftuar në iftar pa asnjë pakësim të shpërblimeve të veta.”
Sahabet i thanë Profetit se disa nga ata nuk kishin mundësi për këtë. I dërguari i Allahut u përgjigj: “Allahu do të shpërblejë me shpërblimin e përmendur, cilido që e fton për iftar agjëruesin edhe me një hurmë, apo një gotë qumësht, ose qoftë edhe me një gotë ujë”.
Ky është një muaj, fillimi i të cilit është mëshirë, mesi është falje, ndërsa fundi i tij është shpëtim prej zjarrit të xhehenemit.
Në këtë muaj përpiquni të plotësoni katër veti: me dy prej tyre do të kënaqni Allahun dhe dy të tjerat ju nevojiten juve. Të parat, me të cilat do të kënaqni Allahun janë: Dëshmia e shehadetit, se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe lutje për të kërkuar falje prej të madhit Zot për mëkatet e bëra.
Dy të tjerat janë: lutje për Zotin që të shpërblejë me xhenet dhe lutje që të ruajë prej xhehenemit.
Kush e ushqen agjëruesin në këtë muaj, Allahu do t’i japë nga burimi i vet, pas së cilës nuk do të ndiejë as etje, as uri, deri kur të hyjë në xhenet.
O popull, ramazani ju ka ardhur me bereqet, mëshirë për falje, ky muaj është më i dashur për Allahun nga të gjithë të tjerët, orët e tij janë më të mira nga të gjitha orët e tjera.
Ky është një muaj në të cilin jeni të ftuar te Zoti në mikpritje, ku konsideroheni njerëz të mirë të Allahut xh.sh.
Frymëmarrja juaj në këtë muaj është tesbih, gjumi është ibadet; puna juaj gjatë këtij muaji do të pranohet tek Allahu dhe lutja juaj do të plotësohet.
Kërkoni nga Zoti juaj sinqerisht dhe me gjithë zemër që t’ju ndihmojë në agjërimin tuaj, të cilin jua ka bërë detyrë dhe lexoni Kuranin që ju ka shpallur.
I paaftë do të jetë ai që në këtë muaj nuk përfiton nga mëshira dhe falja e të madhit Zot. Derisa jeni të uritur e të etshëm, atëherë përkujtoni urinë e etjen e Ditës së Gjykimit.
Jepuni lëmoshë – sadaka atyre që janë të varfër dhe të shkretë, nderoni më të vjetrit dhe kini mëshirë ndaj të rinjve, respektoni dhe vizitoni farefisin.
Ulini sytë prej asaj që i ndalohet besimtarit ta shikojë dhe mos dëgjoni atë që besimtari e ka të ndaluar ta dëgjojë.
Kini mëshirë ndaj të tjerëve që Zoti të ketë ndaj jush. Kërkoni prej Zotit që t’ju falë mëkatet. Ngrini duart lart duke kërkuar prej Allahut me dua pas çdo namazi, se kjo është koha më e mirë për dua dhe Allahu i mbulon njerëzit e vet me mëshirë dhe pranon duatë që i drejtohen.
O popull, shpirtrat tuaj janë varur prej veprave tuaja, çlironi shpirtrat duke kërkuar falje prej mëkateve! Shpirtrat tuaj janë ngarkuar me barrë të rënda, lehtësojini peshën me sexhde sa më të gjatë. Dijeni se do të jeni më se të sigurt, se Zoti nuk do t’i mundojë ata që falen dhe bëjnë sexhde dhe nuk do t’i frikësojë me zjarr të xhehenemit.
Kur të vijë nata e parë e Ramazanit thërret një thirrës (prej anës së Zotit): O ti që kërkon mirësi, pranoji ato, dhe o ti që kërkon të liga, ndaloi! Shpëtimin nga zjarri i xhehenemit e bën vetëm Allahu për çdo natë.”
Kjo hytbe paraqitet sipas tregimit të Ebu Hurejres.