Në librat e shkruar e të botuar më parë mbajmë mend se kemi lexuar mbi jetën, shkencën, dijet, aftësitë dhe të rejat që mbërthyen kohërat. I mbajmë mend dhe kemi memorizuar madje gjer në detaj gjurmët që kanë lënë në shoqëritë dhe qytetërimet e lashta, të hershme e të mëvonshme, emra të mëdhenj, emra për t’u marrë shembull. Nuk ngelen pas edhe ata që i dhanë shkencës prurje të rëndësishme, prurje të cilat i studiojmë në librat e shumtë të shkencës së mjekësisë, matematikës, astronomisë etj., duke vërtetuar edhe një herë e më shumë të vërtetat që i volën nga të studiuarit në librat e shenjtë. Mirëpo, nëse e keni vënë re, nuk kemi parë shumë emra grash, të ravijëzuar nëpër libra, teza, dosje etj. Përse vallë? Ky është një këndvështrim paksa relativ, por gjithsesi edhe ato gra që përmenden janë të pakta, në krahasim me potencialin që kanë ato për botën. Kjo ka shpjegimet e veta, por kurrsesi nuk do të pranonim të kishte sot “justifikimet e veta”. Zoti ua ndau krijesave të Tij detyrat sipas dijes së Vet të pakufishme, por kjo nuk do të thotë që gruaja u la pas. Nga një këndvështrim i parë mendohet se gruan e ka mbuluar pluhuri i kohës dhe i harresës nga pushtetarët e çdo vendi, por jo, kemi një shembull që do të na mjaftonte përgjithmonë, është shembulli i nënës së besimtarëve, Aishes, gruas së Profetit a.s., e cila përfitoi nga dija e bashkëshortit të saj dhe e transmetoi atë në mënyrën më të bukur. Transmetuesit thanë për të se ishte transmetuesja më e aftë e thënieve profetike dhe jo vetëm. E motivuar për të drejtën, e begatuar nga një memorie e fortë dhe me një këmbëngulje prej dijetareje, ajo u dallua ndër gratë e asaj kohe, duke mësuar çdo gjë deri në detaj nga goja e profetit Muhamed, çdo gjë që na duhet aq shumë sot. Ajo diti ta shfrytëzojë burimin e dijes, dije e cila do ta shpëtojë nga humbja shpirtërore mbarë njerëzimin. Kur kujtojmë ato kohë, kujtojmë edhe fanarët e saj ndriçues, prandaj themi: po ne gratë e kësaj shoqërie, përse të mos u ngjajmë shembullit të atyre grave në kërkim të së vërtetës, dijes e jetës. Kjo do e bënte gruan e thjeshtë, një grua “ndryshe”. Jo më një shtëpiake e thënë në mënyrën më të rëndomtë, jo vetëm një pjesëtar më shumë në shtëpinë e saj, por një margaritar më shumë në mozaikun e vlerave, një perlë më shumë në kopshtin e mirësive të kësaj bote, një dritë më shumë nën strehën e një shtëpie, një dijetare e denjë në dijet që di t’i japë vetëm ajo. Gruaja, e veçanërisht ajo besimtare, duke ia ditur vlerën dijes, nuk duhet të mjaftohet me role episodike në jetën e saj, por duhet të garojë me dijetarët. Asaj nuk i mungon inteligjenca, forca e argumentit, e debatit, e kërkimit, e polemikës, edhe pse është pak më e zënë se bashkëshorti, ajo do të dijë t’u japë brezave të ardhshëm vlerë dhe dije nga bagazhi i saj i dijeve. Ka mjaft gra mjeke, stomatologe, mësuese, sociologe, ekonomiste, poliglote, menaxhere projektesh etj., prandaj edhe femra, sot, duhet të japë nga vetja atë çfarë ka dhe posedon, e në këtë mënyrë kushdo që merr prej saj të ndihet krenar për një mësuese si ajo. Shpirti i femrës kërkuese është për t’u lavdëruar kur ajo nuk kënaqet me pak, por krahas njohurive shkencore, kërkon edhe dijen e dobishme, dijen mbi qëllimin përse u krijua, dijen që e njeh me Zotin e saj, me urdhëresat dhe mrekullitë e Tij. Një grua ndryshe, një mendim ndryshe për të, një profesion ndryshe, një pozicion po ndryshe, sa shumë gjëra ka dhe do të ketë për të ndryshuar gjithnjë për mirë, për aty ku asgjë nuk do të humbasë, madje aty ku puna jote do të jetojë përjetësisht me të. Që në historinë e hershme ka pasur prej grave që kanë dhënë ide, opinione, kanë qenë promovuese vlerash e projektesh në fusha të ndryshme, kanë luftuar, kanë fituar dhe kanë dhënë kontributin e tyre të paharruar. Ndaj, motër e dashur, mos harro: Je simbol i pjekurisë dhe ekuilibrit. Në faqet e historisë do gjesh gra që kërkon t’u ngjash. Mjafton të jesh vetvetja, ajo durimtarja, e palodhur, e brishta e buzëqeshur dhe emri yt do përsëritet ndër vite dhe gjurmët e tua nuk do t’i fshijë askush. Të qenët grua është njëkohësisht edhe profesion, një profesion në dukje i thjeshtë që kërkon një proces trajnimi të gjatë. Në botën tonë të errësuar nga mungesa e shpresës dhe dashurisë, ja tek është një apel i mbushur plot me shpresë dhe besim i grave, të cilat sfidojnë të gjitha veset, aftësia më e mirë e të cilave është të gjenerojnë dashuri dhe virtyt për një shoqëri më të mirë dhe një jetë të dashur e të bukur.
A nuk e sundojnë botën ato duar që tundin djepin?
Gruaja luan një rol sa kritik aq edhe të rëndësishëm në gjenerimin e virtyteve si dashuria, afërsia, pjekuria, inteligjenca, ekuilibri dhe morali i mirë, të cilat janë thelbësore për njerëzimin. Në organizimin social e industrial të shekullit tonë, statusi social i individit përcaktohet përgjithësisht duke marrë në konsideratë nivelin e kontributit të tij në prodhimin ekonomik dhe në konsum. Kjo mënyrë vlerësimi bën që gratë, e veçanërisht shtëpiaket, të përbuzen dhe të mos lejohen të fitojnë status social, meqenëse funksionet e tyre nuk merren në konsideratë ekonomikisht. Ky lloj vlerësimi dobëson vetëbesimin dhe vetëvlerësimin e tyre dhe i bën ato të kenë një vizion të turbullt rreth faktit se çfarë roli social duhet të zgjedhin. Sipas Levi Strausit, tre elementet dinamikë në zhvillim janë burimet e karakteristikave strukturore dalluese të shoqërive: qarkullimi i të mirave materiale; qarkullimi i simboleve; pozicioni i gruas dhe i familjes. Siç edhe e tregon kjo pikëpamje, gruaja zë vendin e individit kryesor përcaktues në familje, ashtu sikurse familja përbën elementin thelbësor të shoqërisë. Përveç rolit të saj formues dhe përcaktues, gruaja ka një funksion të rëndësishëm dhe një rol qendror në rregullimin e institucionit familjar, i cili është njësia bazë e shoqërisë në bashkimin dhe unitetin e pjesëtarëve të familjes, si dhe në orientimin direkt të bashkëshortit dhe të pjesëtarëve të tjerë, duke dalë qartë simboli i ekuilibrit nga ana e saj. Roli dhe pozicioni i saj në familje kanë ndikim të drejtpërdrejtë mbi individët për shkak të funksioneve të saj. Për këtë arsye, asnjë sukses që fitohet jashtë shtëpisë nuk mund të kompensojë dështimin e gruas në familje. Prandaj edhe kërkohet një pjekuri dhe ekuilibër brenda shtëpisë së saj, për të lulëzuar më tej këto dy cilësi në shoqërinë ku ajo jeton dhe kontribuon. Faktet historike tregojnë se shkrirja e strukturës së shëndetshme të familjes është më e rëndësishmja ndër faktorët e shkatërrimit të shoqërive dhe qytetërimeve dhe se kjo shkrirje, që filloi me dobësimin e qëndrimeve dhe të pikëpamjeve të gruas kundrejt mëmësisë, ka arritur fazën e saj finale me degjenerimin e “jetës familjare” dhe të koncepteve mbi “marrëdhëniet seksuale”. Gruaja me cilësitë e saj të të qenët nënë, vazhdon të luajë rolin drejtues për vite me radhë në fazën psikosociale të procesit të zhvillimit të fëmijës. Prandaj prezenca e gruas tregon, sidomos në familje, pse jo edhe në shoqëri, politikë, ekonomi, biznes, debat apo polemikë, pjekuri e mendime të ekuilibruara. Për këtë arsye gruas duhet t’i jepet mbështetje intelektuale dhe emocionale në mënyrë që ajo ta zbulojë pozicionin e saj në realitetin social dhe kulturor, pasi shpeshherë abuzohet, madje shumë, kur mendohet dhe thuhet se gruaja, apo femrat në përgjithësi, nisur nga të qenët të brishta, mendojnë jo thellë dhe tregojnë mefshtësi. Arma më e fuqishme e gruas në përpjekjen e saj për transformimin e shoqërisë në “një shoqëri virtyti” është aftësia për të gjeneruar dashuri, durim e pjekuri. A nuk janë këto virtyte të arta e që nuk kanë çmim? Gruaja është faktori më i rëndësishëm në përcaktimin e bazave të personalitetit dhe të karakterit të individit me marrëdhëniet e saj natyrore të afeksionit dhe të atashimit. Duke qenë fusha kryesore e përpjekjeve të saj shtëpia, pikërisht aty ajo mbjell atë që presin ta korrin gjenerata që ajo lind dhe tund në djepin e jetës e lumturisë. Respekt për mundin e saj, fjalën e saj të pjekur e zgjuarsinë e saj mes ekuilibrave të përkryer. Rrjedhimisht, duke u kujdesuar për këtë shtëpi dhe për ato çfarë ajo përmban, ajo do ketë frytet e veta në këtë botë dhe fryte pa masë nga mirësitë e Zotit të saj. Ka cilësi që u përkasin dy gjinive, por këto cilësi në fjalë, pjekuri dhe ekuilibër i shkojnë më për shtat gruas, dhe kjo nuk është një relikte e një të shkuare të errët, por është bazë e fortë mbi të cilën mund të ndërtohet një shoqëri e shëndetshme në ditët e sotme. Popujt që janë përpjekur ta ndryshojnë këtë rregull natyror nuk shfaqin tjetër vetëm se hidhërim dhe shqetësim për përpjekjet e tyre. Ata janë si të verbrit që kërkojnë kuturu rrugën në errësirë, të paaftë ta zhbëjnë atë që kanë punuar me duart e tyre dhe të dalin nga llumi ku janë zhytur. Ekuilibrat, kudo, jo në kuptimin e caqeve dhe barrierave, por në kuptimin e mirë të tyre, prodhojnë pjekuri, maturi, durim e përpjekje të vazhdueshme për arritje e performanca, të cilat do na çonin tek ajo “e mesmja e artë” – ekuilibër ky sa madhështor, aq natyral, i saktë e i qenësishëm e që duhet ta kemi parasysh në çdo çështje, vendim, gjykim, vendimmarrje, apo edhe çdo detaj tjetër me të cilin na mbështjell jeta në të cilën jetojmë. Kjo jetë, e cila vjen rrëmbyeshëm, herë-herë me dallgë gëzimi e hareje, me dallgë arritjesh e suksesesh, ka edhe dallgë trishtimi, zhgënjimi e dështimi, të cilat përplasen pas teje sikurse pas një shkëmbi, por që nuk dihet në u ngjan atyre shkëmbinjve të fortë e të mësuar me tekat e këtij deti të gjerë e pafund, me dallgë e oshilacione te pakapshme. Na takon neve, grave, të jemi gjithnjë në kërkim të mirërritjes brenda nesh të cilësisë së përkryer, pjekurisë së mendimit, fisnikërisë së ndjenjave që mbajnë gjallë një botë të tërë dhe ekuilibrit që do mbante gjallë çdo gjë që rritet brenda nesh.
Albana Muja
Marr nga: https://dritaislame.al/gruaja-simbol-i-pjekurise-dhe-ekuilibrit-2/