Fjala e Myftiut te Kosoves H.Naim Ternava ne simpoziumin e zhvilluar ne Puke me 11.11.2017

MEJTEPET INSTITUCIONE QË U PARAPRINË HAPJES SË MEDRESEVE DHE SHKOLLAVE TË TJERA TË KOHËS*DSC_9531

I nderuari kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj,
I nderuari myfti i Pukës, Gezim Kopani
Të nderuar efendilerë,
Zonja dhe zotërinj;

Ndihem i privilegjuar që sot jam pjesëmarrës në këtë aktivitet të organizuar nga Myftina e Pukës, andaj më lejoni që t’ju drejtohem, t’ju përshëndes dhe t’ju falënderoj në emër të Kryesisë së BIK, në emër të institucioneve dhe organeve të saj, si dhe në emrin tim personal për organizmin e këtij aktiviteti të veçantë i cili në fokus ka një veprimtari gjithashtu të veçantë rolin dhe kontributin e mejtepeve në rrethinën e Pukës gjatë historisë.
Që në fillim përgëzoj organizatorin për këtë nismë kaq të rëndësishme dhe domethënëse, duke e konsideruar si një hap të parë drejtë vlerësimit të mejtepeve të cilët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në edukimin dhe arsimimin e të rinjve. E dihet mirëfilli se edukimi dhe arsimimi i shëndosh janë shtylla të rëndësishme në formimin e një shoqërie të përparuar e të qytetëruar.
Të nderuar të pranishëm!
Siç dihet, feja islame i kushton rëndësi të veçantë arsimimit dhe edukimit. Kjo më së miri kuptohet nga ajeti i parë i Kuranit i cili i zbriti pejgamberit Muhamedit a.s., ku thuhet: “Lexo, studio me Emrin e Krijuesit tënd…..”
Edhe i Dërguari ynë, Muhamedi a.s., i ka kushtuar rëndësi të veçantë arsimimit. Janë shuam të njohura hadithet dhe urdhrat e tij dhënë besimtarëve për të kërkuar diturinë: ”Kërkon diturinë qoftë lart deri në Kinë”.
Nisur nga këto parime të qarta, shoqëria myslimane krahas ndërtimit të xhamive për lutje e ibatete ka ngritur edhe mejtepe për edukimin dhe arsimimin e masës së gjerë e posaçërisht të të rinjve.
Edhe tek ne mejtepet kanë një veprimtari disa shekullore dhe pikërisht mejtepet janë institucionet e para ku ka filluar edukimi e arsimimi ynë ndër breza dhe janë mejtepet ato që u paraprinë më pastaj hapjes së medreseve dhe shkollave të tjera të kohës.
Në viset tona thuajse pranë çdo xhamie kanë ekzistuar mejtepet, madje kemi raste që në disa vendbanime fillimisht është ngritur mejtepi i cili më vonë është shndërruar në xhami, pa e humbur fare rolin e tij primar atë të edukimit dhe arsimimit. Po për çfarë janë edukuar, e çfarë kanë mësuar në mejtepe?
Roli i mejtepeve ka qenë i theksuar në disa rrafshe, së pari si institucion që ka socializuar masën, së dyti aty janë edukuar brezat sipas parimeve hyjnore dhe traditës pozitive të vendit. Dhe së treti në mejtepe është mësuar shkrim leximi i Kuranit dhe janë fituar njohurit bazike të fesë, kulturës e mirësjelljes, gjë që ka ndikuar në formimin e drejt të brezit të ri dhe formësimin dhe emancipimin e shoqërisë në përgjithësi.
Shoqëria jonë njihet për tolerancë e mirëkuptim, njihet për bashkëjetesë e respekt -vlera këto që edhe sot janë tipare dalluese për kombin tonë, dhe në kultivimin e këtyre vlerave s’ka dyshim se rol të veçantë gjatë historisë kanë luajtur edhe mejtepet që edukuan masën drejtë, sipas mësimeve hyjnore, sepse Krijuesi ynë na ka urdhëruar që ne të jetojmë në paqe e harmoni dhe jo në përplasje, konflikte e shkatërrime.
Edhe në rrethin e juaj – në Rrethin e Pukës, mejtepet kanë një histori të begatë dhe shumë vjeçare, këtu veprojnë që nga shekulli 16, gjë që flet më së miri për rolin dhe kontributin që kanë dhënë gjatë historisë së lavdishme të kësaj treve, e cila njihet për besnikëri, mirëkuptim bashkëjetesë e hermoni si dhe krenari e trimëri.
Në mejtepet e Pukës kanë kontribuar ulema, imamë e hoxhallarët të spikatur të cilët nuk kanë kursyer asgjë që të kontribuojnë në edukim dhe arsimimin e brezit të ri, andaj ky aktivitet i sotëm është edhe një vlerësim për punën e atyre brezave, është mirënjohje për kontributin e tyre gjatë historisë dhe një shlyerje borxhi ndaj punës së mejtepeve, të cilët në të kaluarën jo shumë të largët nuk u trajtuan sa duhet dhe meritueshëm.
Është e rrugës prandaj që shembullin e Myftinisë së Pukës ta ndjekin edhe myftinitë e tjera anekënd trojeve tona, sepse me këso aktivitetesh ne njohim të kaluarën tonë të ndritshme, dhe jo vetëm që njohim por edhe vlerësojmë drejtë kontributin e të parëve tanë që vepruan në kohë të vështira e me kushte minimale, si dhe krijojmë kushte e premisa për të projektuar një të ardhme tonën më të mirë.
Të nderuar të pranishëm!
Më lejoni të theksoj edhe një herë faktin se vërtetë ndihem jashtëzakonisht mirë që së bashku me bashkëpunëtorët e mi marrë pjesë në këtë aktivitet dhe kjo për disa arsye kryesore, së pari për të vlerësuar rolin që kanë pasur mejtepet gjatë historisë, së dyti për të vlerësuar kontributin e ulemasë që kontribuojnë në përhapjen e ilmit dhe diturisë në këto anë, dhe së treti për të vlerësuar e çmuar kontributin e dy bashkëvendësve tanë nga Kosova që kanë kontribuar tek ju me vite e dekada.
Jemi këtu për kujtuar e vlerësuar kontributin e imam Sadik ef. Prishtinës (i dekoruar nga presidenti Berisha) në mejtepin e Kabashit, ku ai shërbeu për 4 dekada, si dhe kontributin e imamit Qazim ef. Nushit që shërbeu në mejtepin e fshatit Qerret, të cilët me gjithë kushtet e vështira nuk hoqën dorë nga misioni i tyre për edukimin dhe arsimimin e drejtë të populli, dhe jo vetëm të këtyre.
Kur jemi tek roli i mejtepeve, duhet theksuar edhe një fakt tjetër shumë domethënës, se shumica e mejtepeve kanë luajtur një rol me rëndësi për hapjen dhe zhvillimin e shkollës shqipe dhe e arsimit kombëtar. Janë pikërisht mejtepet, janë mësuesit e mejtepeve ata që i gjejmë ndër mësuesit e parë të shkollës shqipe gjithandej trojeve tona. Në viset e Kosovës dhe jo vetëm menjëherë pas Luftë së Dytë Botërore godinat e mejtepeve u shndërruan në godina të shkollës shqipe, kurse mualimët e mejtepeve, u bënë mësues të shkolis shqipe.
Të nderuar të pranishëm!
Në fund fare, më lejoni që edhe njëherë të përgëzoj për këtë aktivitet Myftiun e Pukës Gezim Kopani, dhe t’i shpreh gatishmërinë e BIK po besoj edhe të dy
Bashkësive të tjera simotra (Komunitetit Mysliman Shqiptar dhe Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë), që nismat dhe aktivitetet e tilla do t’i përkrahim dhe do t’i mbështesim pa asnjë hezitim, dhe një ditë pse jo të mos të shohim mundësinë e organizimit të një Konference të përbashkët Shkencore nga tri komunitetet tona islame me temë bosht pikërisht rolin e mejtepeve ndër shqiptarët gjatë historisë.
Duke ju dëshiruar suksese, ju përshëndes me selam!

Pukë, 11 nëntor 2017
Myftiu i Kosovës
Naim ef. Tërnava

 
*Fjala përshëndetëse e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava në hapje të simpoziumit “Mejtepet e Myftinise Pukë dhe roli i tyre.” Pukë 11 nëntor 2017.

Leave a Reply