ISIS është kancer për botën islame. Kështu u shpreh nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Ali Zaimi,i ftuar në studion e Report TV. Zaimi tha se terroristët e “shtetit” të ashtuquajtur islam, të keqen më të madhe janë duke ia shkaktuar fesë myslimane, pasi po e vendos në një linjë me terrorizmin. Numri dy i Komunitetit Mysliman theksoi se terrori dhe marrja e jetëve të pafajshme nuk ka lidhje me atë çka predikon feja islame.
“ISIS është kancer për botën islame, një e keqe e madhe që po i bën të keqen më të madhe Islamit, po shkatërrojnë imazhin e Islamit, duke e vendosur në një linjë me terrorizmin. Në një tragjedi e para që njerëzit duhet të bëjnë, është të mos bëjnë paralelizma, jo pse ndodhi aty pse ndodhi këtu, ai është një njeri s’ka rëndësi i krishterë apo mysliman, dhe ka nevojë për solidarizim. Terrori nuk mund të ketë lidhje me fenë. Ata që ndërmarrin veprime të tjera, janë njerëzit më të ulët, më të poshtër. Ne duhet t’i dënojmë pa asnjë ekuivok, pa asnjë por”, u shpreh nënkryetari i KMSH-së.
Shqipëria me shumicë myslimane ka një numër të madh xhamish, por shumë pak prej tyre janë jashtë kontrollit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Problemi kryesor që këto xhami janë jashtë kontrollit të Komunitetit janë burimet financiare.
“KMSH është institucion i pavarur nga shteti, ka bashkëpunim me shtetin, por duhen pasur parasysh edhe mundësitë tona të kufizuara, sidomos financiare, që nuk na lejojnë të mbulojmë të gjithë vendin me punonjës, të kemi dhe aq mundësi kontrolli. Çështja financiare është në krye të listës së problemeve”, tha numri dy i KMSH-së.
Ali Zaimi dha edhe një shpjegim se çfarë është xhihadi – lufta e shenjtë.
“Xhihad nga arabishtja do të thotë përpjekje. Përpjekje për të lartësuar emrin e Zotit, për t’i shpjeguar njerëzve Zotin, një nga qindra nuancat që ka xhihadi është edhe përpjekja për mbrojtje nëse të cenohet jeta, familja, etj., atëherë Kur’ani lejon ju po mund të luftoni për të mbrojtur jetën”, tha Zaimi.
Përdorimi i i fjalës “Allahu Ekber” në sulmet terroriste, si ky i fundit në Paris, gjithmonë ka ngjallur revoltën e myslimanëve të cilët nuk duan të identifikohen me terroristët: “Nuk jemi vrasës”!
Në fakt, feja islame, ashtu si çdo fe që predikon paqen dhe dashurinë mes njerëzve, e konsideron gjynah (mëkat) marrjen e jetëve të pafajshme.
16 nëntor 2015
Nga: http://www.dritaislame.al/ali-zaimi-isis-kancer-per-islamin/