Tregohet prej Selman Farisiut se Profeti Muhamed a.s. mbajti një hytbe në fund të muajit Shaban për rëndësinë e muajit Ramazan, ku, midis të tjerash, tha:
“O njerëz, po ju vjen një muaj i madh dhe i bekuar, në të cilin gjendet një natë më e mirë se njëmijë muaj. Është një muaj që Zoti e ka bërë farz (detyrim) agjërimin e ditës, namazet e teravive – namazet e natës në të – vullnetare. Çdo vepër e mirë në këtë muaj është e njëjtë me atë që ka kryer një farz jashtë këtij muaji, ndërsa ai që kryen një detyrë (domethënë një farz) në këtë muaj, është i barabartë me 70 farze, që i kryen jashtë këtij muaji. Ramazani është muaji i sabrit (durimit), kurse shpërblimi i sabrit është Xheneti. Ramazani është muaji i bamirësisë, muaj në të cilin shtohet bereqeti i besimtarit të vërtetë. Kush e fton tjetrin në iftar, do t’i falen gjynahet, do t’i shpëtojë zjarrit të Xhehenemit dhe do të ketë shpërblim të barabartë me atë që e ka ftuar në iftar pa asnjë pakësim të shpërblimeve të veta.”
Sahabet i thanë Profetit a.s. se disa prej tyre nuk kishin mundësi për këtë. I dërguari i Allahut u përgjigj: “Allahu do të shpërblejë me shpërblimin e përmendur çdokënd që e fton për iftar agjëruesin edhe me një hurmë, apo një gotë qumësht, ose qoftë edhe me një gotë ujë. Ky është një muaj, fillimi i të cilit është mëshirë, mesi është falje, ndërsa fundi i tij është shpëtim prej zjarrit të Xhehenemit. Në këtë muaj përpiquni të plotësoni katër veti: me dy prej tyre do të kënaqni Allahun dhe dy të tjerat ju nevojiten juve. Të parat janë: Dëshmia e shehadetit, se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe lutje për të kërkuar falje prej të madhit Zot për mëkatet e bëra. Dy të tjerat janë: lutje për Zotin që të të shpërblejë me Xhenet dhe lutje që të të ruajë prej Xhehenemit. Kush e ushqen agjëruesin në këtë muaj, Allahu do t’i japë nga burimi i Vet, pas së cilit nuk do të ndiejë as etje, as uri, deri kur të hyjë në Xhenet. O popull, Ramazani ju ka ardhur me bereqet e mëshirë për falje. Ky muaj është më i dashur për Allahun nga gjithë të tjerët. Orët e tij janë më të mira nga orët e tjera. Ky është një muaj në të cilin jeni të ftuar te Zoti në mikpritje, ku konsideroheni njerëz të mirë të Allahut xh.sh. Frymëmarrja juaj në këtë muaj është tesbih, gjumi është ibadet; puna juaj gjatë këtij muaji do të pranohet tek Allahu dhe lutja juaj do të plotësohet. Kërkoni nga Zoti juaj sinqerisht dhe me gjithë zemër që t’ju ndihmojë në agjërimin tuaj, të cilin jua ka bërë detyrë dhe lexoni Kur’anin që ju ka zbritur. I paaftë është ai që nuk përfiton në këtë muaj nga mëshira dhe falja e të madhit Zot. Derisa jeni të uritur e të etur, atëherë kujtoni urinë dhe etjen e Ditës së Gjykimit. Jepuni lëmoshë – sadaka – atyre që janë të varfër dhe pa përkrahje, nderoni më të vjetrit dhe kini mëshirë ndaj të rinjve, respektoni dhe vizitoni farefisin. Ulini sytë prej asaj që i ndalohet besimtarit ta shikojë dhe mos dëgjoni atë që besimtari e ka të ndaluar ta dëgjojë. Kini mëshirë ndaj të tjerëve, në mënyrë që Zoti të ketë mëshirë ndaj jush. Kërkoni prej Zotit që t’ju falë mëkatet. Ngrijini duart lart duke kërkuar prej Allahut me dua pas çdo namazi, se kjo është koha më e mirë për lutje dhe (për faktin se Allahu) i mbulon njerëzit e Vet me mëshirë dhe pranon duatë që i drejtohen. O popull, shpirtrat tuaj janë të varur prej veprave tuaja, çlironi shpirtrat duke kërkuar falje prej mëkateve. Shpirtrat tuaj janë ngarkuar me barrë të rëndë, lehtësojeni peshën me sexhde sa më të gjatë. Dijeni se Zoti nuk do t’i mundojë ata që falen dhe bëjnë sexhde dhe nuk do t’i frikësojë me zjarr të Xhehenemit. Kur të vijë nata e parë e Ramazanit një thirrës (prej anës së Zotit) thërret: O ti që kërkon mirësi, pranoji ato, dhe o ti që kërkon të liga, ndaloi. Shpëtimin nga zjarri i Xhehenemit e bën vetëm Allahu për çdo natë.”
/Drita Islame/