Obligueshmëria e agjërimit të muajit të Ramazanit


Abdullah ibnu Umer transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla: dëshmia se nuk ka zot tjetër që e meriton të adhurohet përveç Allahut dhe se Muhamedi është I Dërguari i Allahut, falja e namazit, dhënia e zekatit, haxhi dhe agjërimi i Ramazanit.”[1]

Shpjegimi i hadithit

Ky hadith është argument se agjërimi i muajit të Ramazanit është obligim. Po ashtu ky hadith pohon se agjërimi i muajit të Ramazanit është prej shtyllave të besimit. Në të vërtetë në obligimin e agjërimit ka një varg urtësish, prej të cilave mund të përmendim sa më poshtë:

1 – Agjërimi është një prej atyre adhurimeve që e afron sa më shumë njeriun tek Allahu i Lartësuar, ngase ai privohet nga gjëra që më së shumti i dëshiron. Të gjithë këtë e bën për t’iu bindur dhe zbatuar urëdhrat e Allahut. Nëpërmjet këtij adhurimi shfaqet se sa i sinqertë është besimi i tij, sa i madh është përkushtimi i tij në adhurim dhe sa i lidhur është me Allahun. Ai që agjëron shpreson kënaqësinë dhe shpërblimin e Allahut, prandaj për këtë arsye privohet nga dëshirat e tij duke i dhënë përparësi kënaqësisë së Allahut.

2 – Agjërimi është shkak i devotshmërisë dhe i pastrimit të shpirtit ngase agjëruesi i bindet Allahut në atë ç’ka Ai urdhëron apo ndalon. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju të cilët keni besuar ju është bërë obligim agjërimi ashtu siç i është bërë edhe të tjerëve përpara jush që të jeni të devotshëm.”[2] Devotshmëria përmbledh të mirat e kësaj bote dhe botës tjetër. Madje çdo punë e mirë që kryhet gjatë agjërimit buron nga devotshmëria e njeriut.

3 – Agjërimi e privon njeriun nga dëshirat e shfrenuara. Agjëruesi duke mos ngrënë dhe duke mos pirë i ngushton shtigjet nga ku mund të depërtojë shejtani dhe si rrjedhojë edhe mëkatet që kryen janë më të pakta.

4 – Agjërimi e pastron zemrën dhe e bën atë më të kulluar. Nëpërmjet agjërimit agjëruesi ka mundësi më tepër për të medituar dhe të bëjë sa më shumë dhikr. Ngrënia me tepri dhe babëzi e ashpërson zemrën dhe e bën atë që mos ta pranojë të vërtetën. Ndërsa agjërimi e mbron zemrën dhe organet e tjera të trupit që të jenë sa më të shëndetshme e më funksionale.

5 – Agjërimi e bën njeriun që të njohë mirësinë e Allahut kur ai është i ngopur. Sepse kur ai agjëron i kujtohen të varfrit dhe nevojtarët. Kështu që, ai e falënderon Allahun e Lartësuar për këtë mirësi dhe dhimbjen e vëllezërve të tij të varfër e ka më të prekshme. E gjitha kjo ngase njeriu nuk e vlerëson mirësinë vetëm se në rastin kur ajo i mungon.

6 – Agjërimi është edhe i shëndetshëm për trupin e njeriut, ngase ushqimi që ha është më i pakët dhe sistemi i tretjes gjatë muajit të Ramazanit pushon pak.

Këto janë disa prej urtësive dhe dobive të agjërimit, ndërkohë që ato janë shumë më tepër se kaq. Shpërblimi i Allahut të Lartësuar për agjëruesin është shumë i madh, saqë nëse agjëruesi do ta kishte imagjinuar atë do të gëzohej shumë dhe do të shpresonte që i gjithë viti të ishte agjërim. Mjafton të përmendim se ai person i cili kryen me përpikëri obligimet dhe i braktis gjërat e ndaluara është prej banorëve të Xhenetit. Argument për këtë është hadithi i Talha ibnu Ubejdullah i cili thotë: “Njëherë, një burrë me flokë të shprishur nga Nexhdi erdhi tek Profeti (a.s.).. Ne e dëgjuam zërin e tij, por nuk kuptonim se çfarë thoshte, derisa ai u afrua. Atëherë e morëm vesh se ai po pyeste për Islamin. Profeti (a.s.) i tha: -Duhet të falesh pesë herë në ditë dhe natë me përpikmëri. Ai e pyeti: A kam detyrim ndonjë falje tjetër? Jo, përveçse nëse dëshiron të falësh namaz vullnetar – u përgjigj Profeti (a.s.) Pastaj Profeti (a.s.) shtoi: Duhet të agjërosh muajin e Ramazanit. Ai e pyeti: A kam detyrim të agjëroj më shumë se kaq? Jo, përveç se nëse dëshiron të agjërosh agjërim vullnetar – u përgjigj Profeti. Pas kësaj Profeti (a.s.) i përmendi zekatin. Ai e pyeti: A ka tjetër detyrim financiar për mua përveç tij? Jo, përveçse nëse dëshiron të japësh sadaka nga vetja jote – u përgjigj ai. Ai u kthye duke thënë: Betohem në emër të Allahut, nuk do të shtoj e nuk do të pakësoj asgjë nga këto detyrime. Nga kjo fjalë e tij, Profeti (a.s.) tha: Nëse tregohet i sinqertë në atë që thotë, do të shpëtojë (duke hyrë në Xhenet.)”[3]

Falënderimi i takon Allahut i cili na obligoi për të kryer punë të dobishme dhe në varësi të këtyre punëve jep shpërblimin e pakufishëm nga ana e Tij.

/Elton Harxhi-Drita Islame/

[1] Transmetojnë imam Buhariu dhe imam Muslimi.

[2] Sure Bekare: 183.

[3] Transmetojnë imam Buhariu dhe imam Muslimi.

Leave a Reply