“Drita Islame”, 24 vjet me lexuesin shqiptar

Më 10 janar 1992 gazeta “Drita Islame” nxori numrin e saj të parë, si organ mediatik dyjavor i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Që në fillimet e saj ajo ka pasur si qëllim një mision të lartë shoqëror e kombëtar: atë të zgjimit të ndërgjegjes fetare të besimtarët myslimanë.
Pas afro gjysmë shekulli të sundimit të regjimit komunist, i cili ndaloi fenë, “Drita Islame”, siç shkruante edhe Hafiz Sabri Koçi në numrin e saj të parë, erdhi si një dritë që ndriçon shpirtrat e besimtarëve. “Mirë se na erdhe o “Drita Islame”, që për afro gjysmë shekulli mjegulla e retë e kohës penguan rrezet tuaja që të shihnin qartë jetën tonë e të na ndriçonin shpirtrat”.
Për rreth 20 vjet me radhë “Drita Islame” ka dalë si gazetë e shtypur, në fillim e dyjavore dhe më pas e përmuajshme. Ndërsa në fillim të vitit 2012, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë vendosi ta kthejë gazetën në një revistë të përmuajshme me po të njëjtin emër.
Duke parë që sasia e informacionit në ditët e sotme dhe nevoja e lexuesit për informacion sa vjen e shtohet, “Drita Islame” shënoi një tjetër risi duke ardhur në formatin online www.dritaislame.al dhe u kthyer në një pikë referimi për lexuesit e saj të shumtë brenda dhe jashtë Shqipërisë.
“Drita Islame” është kthyer tashmë në një revistë me një format më serioz, fokusi i së cilës nuk janë vetëm besimtarët, por çdo qytetar shqiptar. Ajo përmban shkrime e rubrika dedikuar moralit, familjes, shëndetit dhe shoqërisë në tërësi.
“Drita Islame”, ajo që kërkonit…

 

Leave a Reply