Muhamedi a.s., shembull për t’u ndjekur

A keni dëgjuar ndonjëherë për Musain (Mozenë), Isain (Jezusin), Konfucin, Krishnën apo Budën? Po për Gandin, Nënë Terezën apo Martin Luter Kingun? Po të jetoni në Perëndim, do të keni një rast të mirë të njiheni në mënyrë të mjaftueshme me këta njerëz dhe arritjet e tyre. Në kërkesën e përjetshme të njeriut për pavdekësi dhe pozitë të lartë, të shumtë janë udhëheqësit, si të vërtetë ashtu edhe të rremë, që janë shfaqur në skenën botërore. Respekti e nderimi ndaj figurave të tilla, midis njerëzve të çdo kombësie, në të gjitha kohërat, flet për një nevojë njerëzore të thellë për të besuar dikë më sublim se vetja, orvatje përtej kufijve të ngushtë të qenies së tij. Këtë dukuri e shohim, në mënyrë të përsëritur, në mitet botërore, legjendat, heronjtë e historisë, si dhe në idealizimin e njerëzve të ngritur në statusin e mbinjeriut ose të zotit nga pamësit e tyre.

Shumica e intelektualëve të sotëm janë skeptikë dhe histori të tilla i shohin thjesht si kujtime të bukura të kohëve të lashta. Me globalizimin, frymën e vazhdueshme religjioze dhe ideologjitë e reja ndaj të cilave janë të ekspozuar njerëzit, bëhet e vështirë për këta të fundit të dinë se çfarë të besojnë.

Për disa është më e lehtë që të shpërfillin në mënyrë të plotë problemet shpirtërore dhe në vend të kësaj, të përqendrohen në marrëdhëniet e tyre, në karrierën dhe si e si të çajnë përpara. Por dimë se materializmi i tepërt e mbyt mendjen dhe shpirtin. Me gjithë përparimet në teknologji, te njeriu mbetet e gjallë dëshira për të besuar në një Fuqi më të lartë, në një udhëheqje të vërtetë dhe në një qëllim final. Po sot, kujt mund t’i besohet drejtimi në të dyja këto fusha, në atë shpirtërore dhe atë të jetës së përditshme?

Sot ka një udhëheqës, ende i panjohur në Perëndim, i cili është shembull i jashtëzakonshëm dhe tek i cili mund të mbështeten njerëzit e çdo kategorie. Ky është Profeti Muhamed a.s. Hollësitë për jetën e tij janë ruajtur me kujdesin më të madh dhe i janë nënshtruar analizave më të thella të studiuesve e historianëve të Lindjes e të Perëndimit. Krahasuar me shumë të tjerë, që famën e tyre e kanë arritur në një sferë të kufizuar të veprimtarisë, sukseset e Muhamedit a.s. shtrihen në të gjitha fushat e jetës.

Historiani Majkëll H. Hart me të drejtë ka shkruar:

“Zgjedhja ime që e kam vënë Muhamedin a.s. në krye të listës së njerëzve më me influencë të botës, disa lexues do t’i befasojë, kurse disa të tjerë do ta vënë në pikëpyetje, por duhet ta kemi të qartë se ai ishte njeriu i vetëm në histori që arriti një sukses absolut në të dyja fushat, në atë fetare e laike.”

Përse perëndimorët dinë fare pak ose aspak për një njeri, jeta e të cilit ishte kaq e jashtëzakonshme? Frika e paarsyeshme dhe propaganda negative zë fill qysh në kohët më të hershme. Nga ana tjetër, media ka krijuar një “perde të errët” te shumë njerëz ndaj çdo gjëje islame apo arabe. A nuk është koha për ata që të krenohen si njerëz pa paragjykime e si mendimtarë të pavarur, që të lënë mënjanë këto relikte të së shkuarës? Ne ju ftojmë që në këto pak rreshta të njihni këtë njeri kaq të dashur te një e pesta e banorëve të planetit.

S’ka rëndësi se çfarë feje apo bindje politike keni, gjithsesi është e nevojshme për ju ta njihni këtë njeri.

Ai është njeriu më i mrekullueshëm që ka shkelur në këtë tokë. Predikoi një fe, themeloi një shtet, ndërtoi një komb, paraqiti një kod, ndërmori një sërë reformash sociale e politike, themeloi një shoqëri të fortë e dinamike, që do të praktikonte e përfaqësonte mësimet e tij dhe bëri një kthesë rrënjësore të botës së mendimit dhe veprimit njerëzor për të gjitha kohërat.

Historia njerëzore nuk ka njohur ndonjëherë një transformim kaq të plotë të një kombi. Në të vërtetë, asnjë qenie tjetër njerëzore nuk ka pasur të tilla arritje në fusha të ndryshme në një kohë kaq të shkurtër.

Muhamedi a.s. ishte një mësues fetar, reformator social, udhëheqës moral, politikan, strateg, shok besnik, bashkëshort i devotshëm, baba i dashur – të gjitha këto në një person të vetëm.

Lindi në Arabi në vitin 571 të e.s. dhe kur ndërroi jetë, në moshën 63 vjeçare, i gjithë Gadishulli Arabik ndryshoi nga paganizmi dhe adhurimi i idhujve në adhurimin e një Zoti të Vetëm, nga grindjet dhe luftërat fisnore në bashkim dhe solidaritet, nga dehja dhe shthurja në vetëpërmbajtje dhe devocion, nga shkelja e ligjit dhe anarkia në jetesë të disiplinuar, nga degradimi i plotë moral në nivelet më të larta të përsosmërisë morale.

Muhamedi a.s. kishte një mision fisnik e madhështor – të bashkonte njerëzimin në adhurimin e një Zoti të Vetëm dhe t’u mësonte mënyrën e drejtë dhe të ndershme të të jetuarit në përputhje me ligjet dhe urdhrat e Tij. Ai gjithmonë e përshkruante veten si profet dhe shërbyes të Zotit dhe në fakt, çdo fjalë, vepër dhe aspekt i jetës së tij e vërtetonte këtë.

Sot, kur kanë kaluar më shumë se 1400 vjet, jeta dhe mësimet e Profetit Muhamed a.s. kanë mbijetuar pa asnjë ndryshim apo devijim. Sot ato ofrojnë të njëjtën shpresë të pavdekshme për të shëruar sëmundje të njerëzimit, ashtu siç e ofronin kur Muhamedi a.s. ishte në jetë.

Revista Drita Islame – Dhjetor 2015 www.dritaislame.al

Leave a Reply