Roli i Ebu Bekrit es-Sidik (r.a) në thirrjen në Islam së bashku me të Dërguarin e Allahut (a.s)

Ebu Bekri es-Sidiku (r.a) ishte i ditur në fushën e gjenealogjisë (njohjes së fiseve dhe prejardhjes), dhe kishte një përvojë të gjatë në këtë fushë. Imam Sujuti (r.h) ka thënë: “E kam parë të shkruar me dorën e Hafiz Dhehebiut (r.a) se ai që ishte unik në kohën e tij në këtë fushë ishte Ebu Bekri (r.a) në njohjen e prejardhjes së fiseve.”

Prandaj, Ebu Bekri (r.a) e përdori këtë dituri të pasur si një mjet prej mjeteve të thirrjes në Islam, në mënyrë që çdo njeri me përvojë të dijë si ta vë në shërbim të fesë së Allahut atë që zotëron, pa marrë parasysh llojin e dijes apo fushën e saj – qoftë ajo shkencë teorike apo eksperimentale, apo një profesion i rëndësishëm për jetën e njerëzve.

Do ta shohim Ebu Bekrin (r.a) të shoqërojë të Dërguarin e Allahut (a.s) kur ai i paraqiste mesazhin e tij fiseve arabe dhe i ftonte ata në rrugën e Allahut. Do të shohim se si ai e vuri në përdorim këtë dije në shërbim të thirrjes.

Ai ishte një orator i shkëlqyer, që kishte aftësinë të përcillte kuptimet me fjalët më të përshtatshme. Ishte ai që mbante fjalime në emër të Pejgamberit (a.s) si në praninë e tij ashtu edhe në mungesë të tij.

Kur i Dërguari i Allahut (a.s) dilte në sezonin e haxhit për t’i thirrur njerëzit, ishte Ebu Bekri (r.a) ai që i ftonte fillimisht njerëzit ta dëgjonin mesazhin e Pejgamberit (a.s) si një hyrje dhe parapërgatitje për atë që do të kumtonte i Dërguari i Allahut (a.s). Këtë veprim ai e bënte për t’i ardhur në ndihmë të Dërguarit të Allahut (a.s) dhe jo se  ishte më i mirë se ai.

Dija e tij në fushën e gjenealogjisë (njohjes së prejardhjes së fiseve) dhe njohja e thellë e rrënjëve të fiseve e ndihmonte atë shumë në mënyrën se si duhet të sillej me ta.

Për këtë, Ali ibn Ebi Talibi (r.a) ka transmetuar: “Kur Allahu i Lartësuar i urdhëroi të Dërguarit të Tij (a.s) që t’ua paraqiste veten fiseve arabe (për t’i thirrur në Islam), ai doli bashkë me mua… derisa arritëm te një kuvend tjetër, mbi të cilin kishte mbizotëronte qetësia dhe dinjiteti. Ebu Bekri (r.a) u afrua dhe përshëndeti, pastaj pyeti: ‘Kush jeni ju?’ Ata u përgjigjën: ‘Ne jemi nga fisi Benu Shejban ibn The’lebe.’”

Atëherë Ebu Bekri (r.a) u kthye nga i Dërguari i Allahut (a.s) dhe i tha: “Qofsh i flijuar për mua, o i Dërguar i Allahut! Nuk ka justifikim për këta njerëz nga fisi i tyre që të mos e pranojnë thirrjen, këta janë njerëzit më të zgjedhur.” Në mesin e tyre ishin: Mefruk ibn Amru, Hani ibn Kabiseh, Methna ibn Harithe dhe Nu’man ibn Sherik.

Mefruk ibn Amru ishte ai që i tejkalonte të tjerët në elokuencë dhe pamje; kishte dy gërsheta që i binin mbi gjoks. Ishte më i afërti në status me Ebu Bekrin (r.a). Ebu Bekri (r.a)e pyeti: “Sa është numri juaj?” Ai u përgjigj: “Ne nuk jemi më shumë se një mijë, dhe një mijë nuk mund të mposhtet për shkak të pakësisë.”

Ebu Bekri (r.a) e pyeti përsëri: “Po sa është forca juaj mbrojtëse?” Ai tha: “Ne jemi më të fuqishëm kur zemërohemi dhe më të ashpër kur përballemi. Ne i japim përparësi kuajve luftarakë para fëmijëve, dhe armëve para gjedhëve (lopëve mjelëse). Ndihma është nga Allahu, Ai na jep fitore herë neve, e herë ua jep të tjerëve. Ndoshta je njëri nga Kurejshët?”

Ebu Bekri (r.a) tha: “Nëse ju ka arritur lajmi për të Dërguarin e Allahut (a.s), ja ku është ai.”

Atëherë Mefruku tha: “Për çfarë na fton, o vëlla kurejshit?”

I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Ju ftoj të dëshmoni se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, Një dhe i Pashoq, dhe se unë jam rob dhe i Dërguari i Tij; gjithashtu, që të më streho­ni dhe të më ndihmoni, sepse Kurejshët janë ngritur kundër Allahut, e kanë përgënjeshtruar të Dërguarin e Tij dhe e kanë zëvendësuar të vërtetën me të pavërtetën. Allahu është i Vetëmjaftueshëm dhe i Lavdëruar.”

Mefruku tha: “Për çfarë tjetër na fton, o vëlla kurejshit? Pasha Allahun, nuk kam dëgjuar fjalë më të bukur se kjo!”

Pastaj i Dërguari i Allahut (a.s) recitoi ajetin: “Thuaj: Ejani t’ju lexoj çfarë jua ka ndaluar Zoti juaj: të mos i shoqëroni Atij asgjë, t’u bëni mirë prindërve, të mos i vrisni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë – Ne ju furnizojmë ju dhe ata –, të mos i afroheni veprave të turpshme, qoftë ato të dukshme apo të fshehta, dhe të mos e vrisni njeriun që Allahu e ka ndaluar (ta vrisni), përveç me të drejtë. Këtë Ai ju e ka urdhëruar që të mendoni.”[1]

Mefruku tha: “Pasha Allahun, ti po na thërret drejt virtyteve më të larta të moralit dhe veprave më të bukura. Vërtet, ata që të kanë përgënjeshtruar dhe janë ngritur kundër teje, janë të humbur.” Pastaj ia la fjalën Hani ibn Kabisës dhe tha: “Ky është Hani, plaku ynë dhe udhëheqësi ynë në fe.”

Hani tha: “E dëgjova fjalën tënde, o vëlla kurejshit! Por mendoj se ta braktisim fenë tonë dhe të ndjekim fenë tënde, vetëm për një takim të shkurtër që s’ka as fillim e as fund, është dobësi në gjykim dhe pakujdesi në parashikimin e pasojave. Gabimi vjen nga ngutja. Ne nuk duam të lidhim një marrëveshje për ata që janë pas nesh, por do të kthehemi, do të kthehesh edhe ti, do të mendojmë dhe do të shqyrtojmë.”

Pastaj, sikur deshi të bënte pjesë të bisedës edhe Methna ibn Harithen, dhe tha: “Ky është Methna, plaku ynë dhe udhëheqësi ynë në çështjet e luftës.”

Methnai (i cili më vonë u bë mysliman) tha: “E kam dëgjuar fjalën tënde, o vëlla kurejshit! Dhe përgjigjja ime është njësoj si ajo e Hanit në lidhje me braktisjen e fesë sonë dhe ndjekjen e fesë tënde. Ne banojmë midis dy kufijve: njëri është Jemame dhe tjetri Semame.”

I Dërguari i Allahut (a.s) e pyeti: “Çfarë janë këta dy kufij?”

Methna u përgjigj: “Njëri është kufiri i shkretëtirës – toka e arabëve, ndërsa tjetri është toka e persëve dhe lumenjtë e Kisras. Ne kemi banuar në këtë vend me marrëveshje që Kisra (mbreti i Persisë) na ka imponuar: që të mos bëjmë ndonjë ndryshim (politik), as të mos strehojmë dikë që bën ndonjë ndryshim. Ndoshta kjo çështje për të cilën na thërret ti është prej atyre gjërave që mbretërit i urrejnë. Sa i përket asaj që ndodh në territoret arabe, ai që gabon, i falet, dhe ai që ka arsye, i pranohet, por për atë që ndodh në anën e persëve, as nuk i falet gabimi, as nuk i pranohet arsyetimi. Pra, nëse dëshiron që të të ndihmojmë në anën e tokës arabe, do ta bëjmë.”

I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Nuk jeni përgjigjur keq, sepse folët me sinqeritet. Vërtet, fenë e Allahut nuk do ta ndihmojë askush përveç atij që e mbron atë nga të gjitha anët. A mendoni se pas pak kohe Allahu do t’jua japë tokat e tyre, shtëpitë e tyre dhe do t’jua bëjë gratë e tyre nën pushtetin tuaj? A do ta lavdëroni dhe shenjtëroni Allahun (në atë kohë)?”

Atëherë Nu’man ibn Sheriku tha: “O Allah, ne jemi të gatshëm për këtë për Ty!”

Nga ky tregim dalin shumë mësime, mesazhe dhe dobi, si për shembull:

1 – Shoqëria e Ebu Bekrit (r.a) me të Dërguarin e Allahut (a.s): Ajo e bëri atë që ta kuptonte Islamin në mënyrë të plotë dhe Allahu e përgatiti që të bëhej më i dituri nga sahabët në fenë e Tij. Ai mësoi thelbin e Islamit nga vetë i Dërguari i Allahut (a.s), u edukua në duart e tij për të kuptuar domethëniet e Islamit, dhe përjetoi të gjitha fazat e thirrjes. Ai përfitoi shumë nga kjo shoqëri, përthithi metodën hyjnore, njohu Zotin, kuptoi natyrën e jetës, realitetin e gjithësisë, qëllimin e ekzistencës, çfarë ndodh pas vdekjes, konceptin e caktimit (kaderit), historinë e shejtanit me Ademin (a.s), dhe konfliktin mes të drejtës dhe të kotës, udhëzimit dhe devijimit, besimit dhe mohimit. Atij iu bënë të dashura adhurimet si namazi i natës, përmendja e Allahut dhe leximi i Kuranit, kështu që morali i tij u ngrit, shpirti iu pastrua dhe zemra iu ndriçua.

2 – Nga shoqërimi i tij me Profetin (a.s) në thirrjen drejtuar fiseve arabe për të kërkuar ndihmë: Ebu Bekri (r.a) mësoi se ndihma që kërkonte i Dërguari (a.s) duhej të vinte nga njerëz që nuk ishin të lidhur me marrëveshje ndërkombëtare që përbënin pengesë për thirrjen, sepse nëse ata do ta strehonin Profetin (a.s) dhe thirrjen islame në ato kushte, kjo do të rrezikonte që thirrja të fshihej nga faqja e dheut për shkak se interesat e tyre viheshin në rrezik

Mbrojtja e kushtëzuar ose e pjesshme nuk i arrin qëllimet e saj: Benu Shejbanët nuk do të luftonin kundër Kisras nëse ai do të donte ta kapte apo ta sulmonte Profetin (a.s), dhe kështu, bisedimet dështuan.

3 – “Vërtet, fenë e Allahut nuk e ndihmon askush veç atij që e mbron atë nga të gjitha anët”: Kjo ishte përgjigja e Profetit (a.s) ndaj Methnasë, i cili ofroi ndihmë vetëm në anën e tokës arabe. Kjo tregon largpamësinë politike të Profetit (a.s) dhe thellësinë e vizionit të tij profetik.

4 – Qëndrimi i fisit Benu Shejban ishte fisnik, burrëror dhe tregon respekt të madh për Profetin (a.s):
Ata e sqaruan qartë se ishin të kufizuar nga marrëveshja me persët dhe nuk mund të merrnin përgjegjësi që tejkalonte kufijtë e tyre. Por Allahu e kishte përcaktuar që pas rreth dhjetë vitesh, ky fis do të merrte barrën e përballjes me perandoritë, pasi zemrat e tyre u ndriçuan me Islam. Methna ibn Harithe (r.a) u bë një nga prijësit më të mëdhenj të fiseve arabe në kohën e Ebu Bekrit (r.a), dhe ai dhe fisi i tij ishin nga burrat më trimë në luftërat kundër persëve. Kjo tregon madhështinë e Islamit, i cili i ngriti besimtarët në Dynja dhe i bëri zotër të tokës, dhe i përgatiti për lumturinë e përhershme në Ahiret.

Autor: Ali Muhamed Salabi

Përktheu: Elton Harxhi

 

[1] – Sure En’am: 151.

Leave a Reply