Duke filluar nga sot deri më datë 30 shtator 2024, ndërmjet orës 09.00 me 16.00, në ambientet e xhamisë Et’hem Beu në Tiranë, zhvillohet ekspozita kulturore me titull “Mbulesa e Qabesë së Bekuar”, aktivitet ky i organizuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në bashkëpunim me Ambasadën e Mbretërisë së Arabisë Saudite në vendin tonë.
Kjo ekspozitë e mbulesës së Qabesë vjen për herë të parë në Shqipëri si ekskluzivitet kombëtar dhe ndërkombëtar.
Ndër sendet e ndryshme me vlerë që janë ekspozuar dhe që do të vazhdojnë të ekspozohen gjatë ditëve në vijim, është edhe një copëz nga mbulesa e Qabesë (كسوة الكعبة المشرفة) e cila do të përdoret në sezonin e ardhshëm të ritualit të haxhit.
Në ceremoninë e hapjes së kësaj ekspozite, ndër të tjerë ishin të pranishëm Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu dhe zv. Ambasadori i Mbretërisë së Arabisë Saudite në vendin tonë, z. Ahmed el-Harbi.
Në fjalën e tij, kryetari Spahiu, shtroi rëndësinë kulturore që ka kjo ekspozitë për besimtarët në veçanti por edhe për të gjithë ata turistë që vizitojnë çdo ditë xhaminë simbol të kryeqytetit, duke u dhënë atyre mundësinë të njohin nga afër procesin e qendisjes dhe të mirëmbajtjes së mbulesës së vendit më të shenjtë në botë të fesë Islame. Po ashtu ai falenderoi Ambasadën për bashkëpunimin dhe jetësimin e këtij projekti.
Ndërsa zv. Ambasadori falenderoi Kryetarin për gatishmërinë e treguar në konkretizimin e kësaj ekspozite në pasqyrimin e kësaj vlere të veçantë kulturore të besimit tonë.
Më tej, të lartpërmendurit prenë në mënyrë simbolike shiritimin e çeljes së kësaj ekspozite.