E ka pyetur Shekik el-Belhi nxënësin e tij, Hatim el-Esamin.
Sa vjet ke mësuar tek unë? Gati 33 vjet, i përgjigjet nxënësi.
Mësuesi – Çfarë ke mësuar nga unë gjatë kësaj periudhe të gjatë?
Nxënësi – Kam mësuar tetë çështje me rëndësi.
Mësuesi – O Zot, mbarova jetën me ty, kurse ti ke mësuar vetëm tetë çështje! Më trego pra, ç’ke mësuar?!
Nxënësi filloi t’i radhiste çështjet:
- Shikova krijesat e Allahut dhe pashë se njerëzit në këtë botë kanë shumë shokë e miq. Megjithatë, kur njeriu shkon në varr, ata e braktisin atë dhe e lënë vetëm. Atëherë, vendosa që të marr me vete veprat e mira, sepse edhe kur do të hyj në varr, ato do të vazhdojnë të jenë me mua dhe nuk do të më braktisin.
- Vështrova fjalën e Allahut: “E kush iu frikësua paraqitjes para Zotit të vet dhe ndaloi veten prej epsheve, xheneti është vendi i tij” (Naziat, 40-41) dhe kuptova se fjala e Tij është e vërtetë, prandaj kufizova epshin tim dhe u përqendrova në adhurimin ndaj Allaut (xh.sh.).
- I shikoj njerëzit, çdonjëri mbështetet në pasurinë dhe familjen e tij, duke investuar të gjitha shpresat tek ata. Për mua kjo mbështetje nuk mjaftonte derisa Allahu thotë: “E s’ka dyshim se tek Allahu më i ndershmi ndër ju, është ai që më tepër është ruajtur (është më i devotshëm)” (Huxhurat, 13). Prandaj u mbështeta në devotshmërinë ndaj Allahut që të jem më fisnik dhe më bujar.
- I shikoj njerëzit. Gjithsecili ruan dhe vlerëson tejmase gjërat e tij. Pastaj lexova fjalën e Allahut: “Ajo që e keni pranë vetes është e përkohshme, e ajo që është tek Allahu është e përjetëshme” (Nahl, 96). Kështu që, sa herë kam diçka me vlerë, e jap atë në rrugën e Zotit.
- Njerëzit në këtë botë orvaten të kundërshtojnë dhe të nënvlerësojnë njëri-tjetrin. Burim i gjithë kësaj është zilia dhe smira. Allahu thotë: “Ne kemi përcaktuar tek ata gjëndjen e jetës në këtë botë” (Zuhruf, 32). Ky ajet Kuranor më bëri të braktis zilinë dhe armiqësinë me të tjerët, duke qenë i sigurt se çfarë ka caktuar Allahu për mua do të më realizohet.
- Duke jetuar me njerëzit, pashë se ata armiqësohen dhe nuk pajtohen me njëri-tjetrin. Mirëpo kur vërejta se armiku im i vërtetë është shejtani, braktisa armiqësinë dhe hidhërimin me njerëzit dhe u harmonizova me to. Allahu (xh.sh.) thotë: “Shejtani është armiku juaj, pra edhe ju konsiderojeni armik” (Fatir, 6)
- Duke jetuar me njerëzit, kuptova se ata kërkojnë shumë dhe nuk janë të kënaqur me të mirat që kanë. Mirëpo, kur lexova fjalët e Allahut: “Nuk ka asnjë gjallesë në tokë që Allahu të mos ia ketë garantuar furnizimin (rriskun) e saj” (Hud, 6), kuptova se edhe unë jam në grupin e të furnizuarve, kështu që u mbështeta tek Allahu, duke mbetur i kënaqur me atë që kam.
- Duke jetuar me njerëzit, kuptova se dikush mbështetet në pasurinë e tij, dikush tjetër në tregtinë e tij, e dikush tjetër në shëndetin dhe forcën e tij. Kështu çdonjëri mbështetet tek një krijesë. Mirëpo, kur iu ktheva fjalës së Zotit: “Kush i mbështetet Allahut, Ai i mjafton atij” (Talak, 3), atëhere vendosa të mbështetem në Të Gjallin, i Cili nuk vdes kurrë.
Mësuesi – Allahu Fuqiplotë të dhashtë suksese dhe të mira në jetë, sepse në këto tetë çështje ke përfshirë të gjitha.
Marr nga: https://dritaislame.al/nxenesi-i-zgjuar/