Të menduarit (medituarit) është një prej adhurimeve të cilin e kanë braktisur shumë prej nesh. E nëse ne do ta dinim çfarë të mirash e dobish ka ai, asnjë nuk do ta braktiste atë …
Mbi rëndësinë e tij flet edhe Kur’ani i Shenjtë: “Me të vërtetë në krijimin e qiejve dhe të tokës, dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka argumenta për ata që janë të mençur, dhe për ata të cilët përmendin Allahun në këmbë, ulur apo edhe mbështetur dhe mendojnë (meditojnë) thellë për krijim të qiejve dhe të tokës. O Zoti ynë, Ti nuk i ke krijuar kot këto, Ti je më i Lartësuari, ruana nga dënimi i zjarrit!” (Al’Imran: 190-191)
Gjithashtu Allahu i Madhëruar i mbyll 13 ajete nga Kur’ani me këtë fjalë “të mendosh” (meditosh), si dhe ndeshemi me shumë shprehje të tilla si “… a nuk do t’i kushtoni vëmendje…?”, “… ka një shenjë për njerëzit që mendojnë…” e gjithashtu janë përmendur në më shumë se 250 ajete nga Kur’ani, ilustrime të ndryshme mbi gjithësinë që na rrethon, për qiejt, tokën, malet, detërat, lumenjtë, për krijesat, xhinde apo njerëz, zogj apo kafshë, mbi erërat, retë, shirat, etj., për të kuptuar rëndësinë e të menduarit rreth shenjave të Allahut, për të menduar Madhështinë e fuqinë e të Madhërishmit dhe kështu do të bindemi edhe më tepër për ekzistencën e Krijuesit të Plotfuqishëm dhe veprën e Tij të pashembullt të krijimit. Por ka edhe nga ata njerëz që nuk e kuptojnë këtë fakt, duke thënë se nuk kanë aftësi të “shohin” këtë qëllim hyjnor, ndërkaq besimtarët janë të ndryshëm nga kjo kategori “e verbër”. Ata e kuptojnë dhe e pranojnë se gjithësia është krijuar nga Allahu me një qëllim të caktuar dhe me mençuri. Dhe kur besimi dhe mençuria rriten paralelisht me njëra–tjetrën, ato janë në gjendje të përcaktojnë çdo detaj të krijimit të Allahut.
Edhe Profeti (a.s.) na nxit në këtë adhurim me anë të fjalëve të tij: “Mendoni rreth krijesave të Zotit dhe mos mendoni për natyrën e Tij, sepse ju nuk dini t’i jepni Atij vlerën që ka”.
E për çdo gjë që Allahu i Madhëruar na ka urdhëruar, në të ka dobi që janë për të mirën tonë. Prej dobive të shumta veçojmë:
1- Ripërtëritja e besimit dhe shtimi i tij. Sepse nëpërmjet të menduarit zbulohen të vërtetat e gjërave dhe dallohet e mira nga e keqja, e kështu me anë të të menduarit shtohet besimi më shumë sesa me anë të punës.
2- Të menduarit, është prej punëve të zemrës… e nëpërmjet kësaj vihen në punë edhe gjymtyrët e tjera për të kryer adhurimin ashtu siç duhet.
3- Të menduarit, të bën që të kërkosh thjeshtësinë karshi madhështisë së të Madhërishmit.
4- Të menduarit, të bën që të punosh me ajetet e Kur’anit të shenjtë dhe me thëniet e Profetit (a.s.).
5- Të menduarit, të hap horizontet e dijes së besimit, mbi ato që nuk ke patur njohuri më parë.
6- A nuk ishte islami i Ibrahimit (a.s.) i mbështetur në rrugën e të menduarit mbi shenjat e Zotit, e këtë e gjejmë të konkretizuar në Kur’anin famëlartë: “ Kështu, Ne i treguam Ibrahimit mbretërinë e qiejve dhe të tokës, në mënyrë që ai të ishte prej besimtarëve të bindur.” (En’am, 75)
Allahu i Madhëruar nuk e ka lënë këtë adhurim pa kushtet e veta, por e ka rregulluar atë duke e bërë që njeriu të mos dalë jashtë kufijve apo edhe perceptimeve të tij… si çështja e varrit dhe çka në të, për jetën e përtejme etj…, sepse këto të çojnë në dyshime dhe ankthe. Nisur nga kjo, Profeti (a.s.) tërhoqi vëmendjen duke thënë: “Mendoni rreth krijesave të Zotit dhe mos mendoni për natyrën (qenien) e Tij.”
Por në jetën tonë hasim gjëra të shumta që nuk i kuptojmë por që jetojmë me to siç janë: shpirti, ndjenjat, mendja, instiktet, apo edhe çështje që kanë të bëjnë me trupin, gjymtyrët, fazat e krijimit të fetusit apo edhe mbi profetësinë, mënyrat e zbritjes së saj e deri tek ëndrrat e të tjera si këto… e të gjitha këto janë jashtë kufijve mendorë të njeriut e ai nuk mund t’i japë përgjigje të saktë, por vetëm i duhet të besojë e të mendojë për fuqinë e të Madhërishmit dhe Madhështinë e Tij. “Vetëm Ai i zotëron çelësat e të fshehtës, ashkush nuk i di ato përveç Tij…”(En’am, 59); apo “ Të pyesin ty (o Muhamed) për shpirtin. Thuaju ‘Shpirti është një prej çështjeve që i di vetëm Zoti’…”( Isra, 85)
Njeriu duhet të mendojë për ditën që do të qëndrojë para Zotit e ku në dorë do të ketë librin e tij ku është regjistruar gjithçka. Ai duhet t’i bëjë analizë jetës së tij, duke filluar nga fazat e para të saj e deri te synimet që ai ka për të ardhmen, duhet të mendojë se sa e ka arritur qëllimin e tij deri në çastet që ai po mendon, e në të njëjtën kohë të bëjë llogarinë e vetvetes, se në cilën derë do të hyjë në botën e përtejme, kjo mbështetur në bazë të punëve, fjalëve dhe veprimeve e tij. “A nuk e vështruan me vëmendje pushtetin e madh në qiej, në tokë dhe në gjithçka që krijoi Allahu?! A nuk e shohin se ndoshta u është afruar afati i vdekjes?! Atëherë çfarë fjalësh (paralajmërimesh) të tjera veç Kur’anit (ato që janë thënë) do të besojnë.” (A’raf, 185)
E pra, le t’i ruhemi kësaj bote, e të mos mashtrohemi, le të jemi si ajo pema që mbush shportat me fruta të shijshme dhe gjatë jetës tonë të jemi të palëkundur dhe të vendosur në rrugën e Allahut, e kështu ta mbushim jetën tonë me vepra të drejta, të mira duke shkuar drejt përsosmërisë, sepse lumturia e përhershme do të na jepet vetëm në Parajsë…
/Drita Islame/