101 vjetori i i Pavarësisë së Shqipërisë një ditë e veçantë kjo për të gjithë shqiptarët, solli një atmosferë festive në ambientet e Medresesë së Tiranës.
Me rastin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme në historinë e vendit, Medreseja e Tiranës organizoi një program festiv, ku morën pjesë nxënës e mësues si dhe të shumë të ftuar të tjerë. Programi filloi me himnin kombëtar, i cili e ndezi dukshëm atmosferën në sallë.
Me pas kori i shkollës entuziazmoi akoma më shumë atmosferën me pjesët teatrale të përgatitura nga vetë ata. Ky pasqyrim u bë më konkret me vënien në skenë të figurave dhe personaliteteve të shquara historike shqiptare, si Skënderbeu, Ismail Qemali, Isa Boletini, e shumë të tjerë.
Pavaresia 101 – Medreseja Tiranes (11)Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Haxhi Selim Muça, së bashku me përfaqësues të tjerë të KMSH-së. Në fjalën e tij përshëndetëse z. Muça, uroi nxënësit dhe drejtuesit e kësaj medreseje për punën e shkëlqyer që po bëjnë për edukimin e brezit të ri me edukatën fetare e atdhetare.
Gjithashtu z. Muça, uroi të gjithë shqiptarët për këtë ditë të madhe, dhe u shpreh se kjo është ngjarja më e rëndësishme për kombin shqiptar dhe si e tillë duhet respektuar e festuar me të gjitha nderimet që i takon.
Gjithashtu fjalë përshëndetëse mbajtën edhe drejtorët e shkollës Hiqmet Patozi dhe Omer Çallësh. Ndër të tjera Patozi u shpreh se “Shqipëria është një vend me histori të lashtë dhe vendi ynë do të ecë, ashtu kanë thënë rilindësit dhe ashtu ka dashtë Allahu”. Ndërsa z. Çallësh u shpreh se “festa e pavarësisë ka një rëndësi të veçantë për Shqipërinë dhe shqiptarët, ndaj dhe iu uroj thellë nga zemra gëzuar të gjithëve 101 vjetorin e pavarësisë.”
Programe të tilla janë kthyer në traditë tashmë jo vetëm për Medresenë e Tiranës por edhe për të gjitha medresetë shqiptare.
/Drita Islame/