Më (24 shkurt-12 mars 1923) zhvilloi punimet e tij Kongresi i parë Mysliman Shqiptar. Ky kongres përfaqëson një ngjarje të rëndësishme për jetën fetare e shoqërore të vendit tonë.
Në kongres morën pjesë 36 delegatë nga i gjithë vendi. Ky kongres hyri në histori për vendimet e rëndësishme teologjike me kahje kombëtare. Ndër ta mund të përmendim edhe themelimin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, i cili do të interpretonte dhe menaxhonte në të ardhmen gjithçka që kishte lidhje me fenë Islame në vendin tonë.
Kanë kaluar plot 100 vite nga ky kongres, 100 vite në të cilat Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka realizuar interpretimin teologjik dhe realizimin praktik të parimeve të fesë islame në territorin e vendit tonë nëpërmjet myftinive dhe institucioneve të tjera në varësi.
Në kuadër të kremtimit të 100-vjetorit të pavarësisë së Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, institucioni do të dalë me një logo zyrtare, e cila do të përdoret përgjatë gjithë vitit 2023 në të gjitha shkresat zyrtare dhe korrespondencat me institucione brenda dhe jashtë vendit, si dhe në aktivitetet fetare, sociale e kulturore që do të organizohen përgjatë gjithë vitit.
Logoja është derivat i simboleve zyrtare të Komunitetit Mysliman, por që natyrisht përmban edhe simbolikën e këtij 100-vjetori.
Burimi: Komuniteti Mysliman i Shqipërise