Ebu Hurejra transmeton nga Profeti (a.s.) se ka thënë: “Kush falet Natën e Kadrit me besim dhe duke shpresuar shpërblimin, i falen të gjitha mëkatet që ka bërë më parë”[1].
Shpjegimi i hadithit
Ky hadith flet për vlerën e Natës së Kadrit. Në të vërtetë, Nata e Kadrit është një natë madhështore të cilën Allahu e ka lartësuar. Ajo është më e mirë se 1000 muaj adhurim që do të thotë më e mirë se 83 vjet e 4 muaj. Ai i cili përkushtohet me adhurim në këtë natë duke besuar dhe duke shpresuar shpërblimin nga Allahu i Lartësuar, i falen të gjitha mëkatet që ka bërë më parë. Për vlerën e saj, flet edhe Kur’ani Famëlartë, ku Allahu i Lartësuar thotë: “Ne e zbritëm Kur’anin në një natë të bekuar. Vërtet, Ne kemi qenë paralajmërues. Në atë natë vendoset çdo punë e urtë.”[2]
Ajo është një natë e bekuar që mbart shumë mirësi, vlerë dhe shpërblim të madh për atë që përkushtohet me adhurim. Kjo natë është e bekuar, sepse pikërisht në këtë natë ka zbritur Kur’ani. Allahu i Lartësuar thotë: “Ne e kemi zbritur Kur’anin në natën e Kadrit. A e di ti se ç’është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj. Në këtë natë zbresin engjëjt dhe Shpirti (Xhibrili) me lejen e Allahut me të gjitha vendimet. Ajo është paqe deri në lindjen e agimit.”[3]
Në lidhjen me ajetin kuranor: “Në këtë natë, zbresin engjëjt dhe Shpirti (Xhibrili) me lejen e Allahut”, imam Ibnu Kethiri ka thënë: “Në këtë natë, zbresin sa më shumë engjëj, sepse ajo është një natë e bekuar. Dihet mjaft mirë se engjëjt gjithmonë zbresin kur zbret bereqeti dhe mëshira. Ata zbresin kur lexohet Kur’an, mexhliset e Dhikrit rrethohen prej tyre si dhe ata shtrijnë krahët e tyre ndaj nxënësit të dijes duke e respektuar atë.”[4]
Nuk ka dyshim se Nata e Kadrit i bie që të jetë në muajin e Ramazanit, sepse Allahu i Lartësuar e ka zbritur Kur’anin në këtë muaj. Për këtë gjë, Allahu i Lartësuar na ka njoftuar në Kur’anin Famëlartë duke thënë: “Ramazanit është muaji në të cilin ka zbritur Kur’ani.”[5]
Nata e Kadrit, në termin leksikor mbart dy kuptime: Natë e lartësuar; nata në të cilën caktohet dhe vendoset se çfarë do të ndodhë brenda një viti, bazuar në ajetin kuranor: “Në atë natë vendoset çdo punë e urtë.”[6] Në komentimin e këtij ajeti Katadeh ka thënë: “Vendosen se çfarë do të ndodhë brenda një viti.” I këtij mendimi është edhe dijetari i shquar Ibnu Kajim El Xheuzije. Megjithatë të dyja kuptimet janë domethënëse.
Fjala e Profetit (a.s.) “me besim” do të thotë: me besim tek Allahu dhe tek premtimi i Tij në shpërblimin që është përgatitur për atë që përkushtohet në këtë natë. Ndërsa fjala e Profetit (a.s.) “duke shpresuar shpërblimin”, do të thotë: duke kërkuar shpërblimin nëpërmjet adhurimit.
Kjo natë është një natë e bekuar, sepse është përzgjedhur për të filluar zbritja e Kur’anit nga Allahu i Lartësuar. Prandaj, myslimani e ka për detyrë që t’ia dijë vlerën kësaj nate; duhet ta përjetojë me besim dhe duke shpresuar shpërblimin nga Allahu, sepse kështu Allahu ia fal mëkatet që ka bërë më parë. Profeti (a.s.) na ka paralajmëruar dhe porositur që t’i kushtojmë rëndësi dhe të mos e neglizhojmë mirësinë e kësaj nate. Profeti (a.s.) ka thënë: “Ju ka ardhur Ramazani, muaji i bereqetit. Allahu i Lartësuar ua ka bërë obligim agjërimin në këtë muaj. Në këtë muaj, hapen portat e qiellit, mbyllen portat e Xhehenemit dhe prangosen shejtanët e irrituar. Në këtë natë ndodhet një natë që është më e mirë se njëmijë muaj. Ai i cili privohet nga mirësia e kësaj nate është privuar nga gjithçka.”
Prandaj, periudhën që supozohet se është Nata e Kadrit, myslimani duhet ta shfrytëzojë duke bërë sa më shumë lutje. Ai duhet të bëjë lutjen me të cilën Profeti (a.s.) ka këshilluar nënën e besimtarëve, Aishen (r.a.) e cila iu drejtua Profetit (a.s.) me këto fjalë: “O i Dërguar i Allahut, nëse e di se kur është nata e Kadrit, çfarë duhet të them? Ai tha: Thuaj: “Allahume in neke Afu’un tuhibul af’ue fa’fu an ni”[7] (O Zot, me të vërtetë Ti je Falës dhe e do faljen. Prandaj më fal mua.)
/Elton Harxhi-Drita Islame/
[1] Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.
[2] Duhan: 3-4.
[3] Kadr: 1-5.
[4] Marrë nga “Tefsiri i Ibnu Kethirit”
[5] Bekare: 185
[6] Duhan: 3-4.
[7] Transmetojnë Et Tirmidhi, Ibnu Maxheh, Ahmedi dhe En Nesai.