Këngëtari Sidrit Bejleri, një nga emrat më të dashur të muzikës shqiptare e sidomos të performancave live, është një nga artistët më besimtarë. Ai flet me dashuri për fenë dhe sigurisht për agjërimin. Siç i ka hije një myslimani të vërtetë, Sidriti rrëfen me përulësi për muajin e shenjtë. Ai na tregoi se kur ka qenë në dasma apo në opera, Zoti ia ka larguar vështirësinë dhe ai s’e ka ndjerë aspak etjen apo urinë.
-Na kanë thënë se juve jeni agjërues prej vitesh. Është e vërtetë?
Kam vite që agjëroj. U bënë rreth 7-8 vjet që unë agjëroj dhe e bëj me ndërgjegje të plotë, që e di se ç’është agjërimi.
-Çfarë vlere ka për ju Muaji i Ramazanit? Si do ta përshkruanit në një fjali?
Kam përshtypjen që me një fjali nuk mund të shprehet. Rëndom e trajtojnë si vënia e një personi në pozitën e të varfrit, por nuk është vetëm kjo. Janë një sërë gjërash që njeriu ia mohon vetes. Nuk mjafton vetëm të rrish pa bukë e pa ujë.
-Pse çfarë duhet të bëjë tjetër një agjërues?
Nuk duhet të nervozohesh, të shprehesh keq apo të ofendosh të tjerët. Ndalohet edhe marrëdhënia seksuale. Janë shumë frenime, dhe kështu duhet të jetë njeriu në të vërtetë. Këto 30 ditë të krijojnë një autokontroll. Gjatë këtij muaji njeriu mëson të kontrollojë epshet, shfryrjen e nervave. Nuk është kaq e kollajtë. Pra, nuk duhet perifrazuar vetëm me mungesën e ujit apo ushqimit.
-A ndiheni më mirë shpirtërisht gjatë këtij muaji?
Absolutisht po, sepse për mua është diçka që ma ka kërkuar Zoti.
-Po fizikisht, ndiheni po aq mirë?
Agjërimi bën mirë edhe për shëndetin. Është vërtetuar edhe nga ana mjekësore që agjërimi bën mirë për trupin e njeriut, të pastron nga helmet. Unë kam folur vetë me doktor Myftar Barbullushin, që është shef pavijoni. Ai më ka thënë që kur njeriu agjëron, veshkat, stomaku dhe shumë organe të tjera pushojnë. Duke qenë së përgjithësisht njerëzit konsumojnë ushqime apo lëngje gjatë gjithë kohës pa kontroll, gjatë agjërimit janë rreth 17 orë në ditë gjatë të cilave organet e trupit të njeriut pushojnë tërësisht. Trupi rikuperon lodhjen e 11 muajve të tjera të vitit gjatë një muaji ‘pushim’, nëse mund ta quajmë kështu.
-A e keni të vështirë të këndoni live në koncerte kur jeni me agjërim?
Këtë fundjavë kam kënduar në dasma edhe të shtunën, edhe të dielën. Dasma është më e vështirë se sa koncerti, se këndon më gjatë. Dhe pavarësisht orëve të gjata, prapë jam ndier mirë. Unë kam kënduar edhe opera kur kam qenë agjërueshëm dhe kolegët habiteshin e më thoshin “Si bën prova?”. Po trupi mësohet. Dita e parë është më e vështirë, ndoshta dhe dita e dytë. Pastaj mësohesh me këtë regjim. Sigurisht që edhe e vështirë është se duke qenë verë, dita është e gjatë, temperaturat e larta dhe të merr etja, megjithatë përballohet. Ta lehtëson Zoti!
-Po syfyrin (ushqimin gjatë natës) ku e hani?
Zakonisht në shtëpi. Kur jam me punë, shikoj orarin dhe e ha kudo që të jem.
-Ç’mendim keni për politikanët që agjërojnë?
Për mendimin tim nuk duhen ndarë në politikanë e artistë, sepse të gjithë janë robër të Zotit. Dhe kur them fjalën “rob” nënkuptoj krijesa të Tij. Duke qenë kështu, s’ka rëndësi profesioni apo posti. Një politikan apo një person VIP nuk është më i paprekshëm karshi Zotit. Të gjithë kanë nevojë njësoj për Zotin.
(dritaislame, bw)