Shfaqu moj hënë e re e Ramazanit!

Shfaqu, ngase sytë tanë janë drejtuar gjithnjë lart në qiell duke pritur çastin që të të shohin. Sytë e besimtarëve janë plot dashuri duke parë daljen tënde. Disa që nuk e kuptojnë rëndësinë dhe veçantinë e bukurisë sate, shprehen: “Ç’është dashuruar aq shumë kjo zemra jote me hënën e re të Ramazanit? Fundja, edhe ajo është sikurse hënat e tjera të reja? Por, ata nuk e dinë se ti je lajmëtare e muajit të veçantë dhe si e tillë, për zemrat tona je një frymëzim i madh.
Le të jetë lindja jote për Islamin, nga horizonti i fuqisë dhe madhërisë, për myslimanët nga horizonti i lavdisë dhe dinjitetit, le të jetë ardhja jote për tokën paqe dhe mirëqenie, le të jetë shfaqja jote për të gjithë njerëzit përparim, vëllazërim dhe mëshirim!
Eja, nxito dhe shfaqu sa më shpejt, që njerëzve t’u ofrosh kritere të së vërtetës në vend të kriterit të forcës, që ndërmjet tyre të vendosësh ligjin e tolerancës dhe butësisë në vend të ligjit të fuqisë dhe ashpërsisë!
Eja, o Ramazan! Zgjoi zemrat tona të përgjumura dhe na i çliro shpirtrat tanë të trazuar. Eja dhe përtërije kontratën tonë me Kur’anin Fisnik. Eja o mysafir fisnik, meqë dëshirojmë të të ofrojmë mikpritje të veçantë!

dritaislame.al

Leave a Reply