Mbrëmjen e së mërkurës, më 15 janar 2014, Myftinia Shkodër ka organizuar një aktivitet fetar e kulturor në teatrin “Migjeni”, në përkujtim të Lindjes së Begatë të Hz. Muhammedit (a.s) dhe mesazheve të mëshirës dhe mirësisë, me të cilat u dërgua si i fundit i profetëve të All-llahut.
Aktiviteti që kishte tejmbushur sallën e teatrit, nisi me shfaqjen e filmit më të ri të prodhuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, në lidhje me dërgesën profetike dhe misionin global me të cilin u dërgua Hz. Muhammedi (a.s).
Më pas, për rreth dy orë, të pranishmit kanë ndjekur programin e pasur me ligjërata e përshëndetje, ilahi, recitime e salavate, në nderim dhe përkujtim të Hz. Muhammedit (a.s).
Në fjalën e tij para të pranishëmve, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, iu drejtua me disa fjalë të ngrohta, plot prekje malli e dashurie, Profetit Muhammed (a.s), duke e mbyllur fjalën e tij me një salavat, që u shoqërua nga krejt të pranishmit.
H. Bujar Spahiu, nënkryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, përcolli para të pranishëmve selamet dhe përshëndetjet e Kryetarit të KMSh, H. Selim Muça. Në fjalën e tij, u përqendrua edhe te rëndësia e dërgesës profetike të Hz. Muhammedit (a.s) dhe vlera e madhe e traditave profetike, si një udhëzim i përhershëm për brezat muslimanë dhe njerëzimin.
Aktiviteti u pasuar me ilahitë e bukura dhe salavatet e kënduara me profesionalizëm nga “Grupi i ilahive” i Universitetit BEDËR, nën drejtimin e z. Davud Aktepe.
Një moment emocional ishte edhe recitimi i poezisë “Lindja e Muhammedit (a.s)”, shkruar në vitin 1932 nga z. Hysni Bushati, të cilit iu akordua edhe titulli: “Mirënjohja e Qytetit”. Në emër të familjes, shkrimtari Xhahid Bushati falënderoi Myftininë Shkodër dhe Këshillin e Bashkisë për këtë nderim për të atin dhe ringjalljen e kujtimit të mirë që ai la.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe Kryetari i Bashkisë Shkodër, z. Lorenc Luka, Kryetari i Këshillit të Bashkisë, z. Bardhyl Lohja, Kryetari i Këshillit të Qarkut Shkodër, z. Maxhid Cungu, antarët e Kryesisë së KMSh, z. Genti Kruja dhe z. Uran Kalej, drejtues të medreseve, shoqatave të ndryshme partnere etj.