Roli i liderëve fetarë dhe rinisë në parandalimin e ekstremizmit dhe radikalizmit

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë në bashkëpunim me Qendrën CVE zhvilloi Forumin Ndërfetar, me temë: “Roli i liderëve fetarë dhe rinisë në parandalimin e ekstremizmit dhe radikalizmit”.

Në këtë forum morën pjesë liderët fetarë të pesë komuniteteve në vend, ndër to edhe Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Ambasadori i Mbretërisë së Britanisë së Madhe SHTZ. Alastair King-Smith, përfaqësues të ambasadës së SHBA-së në Tiranë, një delegacion i lartë nga organizata ndërkombëtare “The Global Community Engagement and Resilience Fund”  (GCERF) me qendër në Zvicër, gazetarë, studiues dhe anëtarë të KNFSH-së.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari Spahiu, ndau me të pranishmit punën konkrete të institucionit të KMSH-së në ruajtjen dhe promovimin e paqes sociale në shoqërinë tonë të përbashkët.

Fjala e plotë e Kryetarit Spahiu

I nderuar Baba Mondi, të dashur kolegë, Hirësi Asti, Monsinjor Frendo, Pastor Doçi, znj Dervishi, z. Ambasador i Britanisë së Madhe, miq nga Zvicra, të dashur pjesëmarrës.

Ditën e enjte, Komuniteti Mysliman, në bashkëpunim me Ambasadën e SHBA-së hapi fazën e tretë të projektit kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Dua të them se ne bëjmë punë konkrete në këtë drejtim.

Ne jemi përballur me të vërtetën dhe përballemi, ne e kemi mision fetar respektin reciprok ndaj “tjetrit”.

Dua të theksoj se ka një sërë instancash që duhet të bashkëpunojnë për të luftuar e çrrënjosur ekstremizmin, i cili gjendet në çdo sferë të shoqërisë.

Por gjithashtu duhet theksuar, edhe kjo duhet thënë me zë të lartë, ne nuk jemi vend i cili ka vuajtur shumë nga ky lloj ekstremizmi, shfaqjet e tij kanë qenë periferike dhe të izoluara, nuk kanë qenë kurrë mazhoranca. Për këtë, merita i takon drejtuesve të komuniteteve fetare dhe besimtarëve.

Është fat i madh toleranca dhe mirëkuptimi që kemi midis nesh. Respekti reciprok dhe dashuria për njerëzoren është shtrati ku gatuhet harmonia fetare ndër shqiptarë.

Falë Zotit ekstremizmi i dhunshëm po i përket të shkuarës, nuk është më temë dite siç ishte vetëm pak kohë më parë.

Kisha para disa ditësh të ftuar ministrin e çështjeve të fesë së Mbretërisë së Arabisë Saudite, i cili më foli për një luftë frontale që ata kanë ndërmarrë për të pastruar fenë nga elementë që mund të frymozojnë ashpërsinë në thirrje. Po kështu më është shprehur edhe shejhu i ez’herit, cili ka ndërmarrë dhe firmosur së bashku me Papa Françeskun dhe liderë tjerë fetarë dokumentin e paqes.

Të gjitha këto janë tregues se ndërgjegjësimi për të luftuar këto fenomene negative është në nivelet më të larta nga shtetet.

Nisma të tilla si dokumenti i paqes janë nisma me efekte shumë më të gjera se nismat lokale, shërbejnë për të ndërgjegjësuar besimtarët e të gjitha feve. Kjo luftë bëhet duke qenë të bashkuar dhe duke mos e parë fenomenin si “problem i atyre”, por duhet parë si problem i joni, kështu do të mund të kemi më shumë sukses.

Së fundi, e kam cekur disa herë, por dua ta theksoj edhe sot, ekstremizmi, gjuha që përdoret shpesh nëpër media nga individë të ndryshëm në drejtim të feve është një farë ekstremizmi apo nxitje për sulme ndaj fesë. Ne nuk flasim, ne përmbahemi, por kjo gjuhë e cila herë pas here i tejkalon kufijtë e shprehjes së lirisë së fjalës duhet të marrë fund.

Të dashur miq, t’i lutemi Zotit që ta ruajë vendin tonë nga të tilla probleme, jo vetëm kaq, por mbi gjithë njerëzimin të mbizotërojë paqja, dashuria e harmonia.

Ju faleminderit!

Marr nga: https://www.kmsh.al/roli-i-lidereve-fetare-dhe-rinise-ne-parandalimin-e-ekstremizmit-dhe-radikalizmit/

Leave a Reply