Reflektim në natën e Miraxhit

“Vetëm Allahut i takon sundimi i qiejve e i tokës dhe Allahu është i gjithfuqishëm për çdo send”. (Ali Imran, 189)

 

nga Jusra BELINAJ

Ligjet e kësaj gjithësie nuk mund ta përshkruajnë Krijuesin e tyre. Ligjet gjithësisë nuk të çojnë përveçse aty ku i ka vënë kufirin Ai që i krijoi. Është kjo arsyeja që mendja e ka të vështirë të pranojë dhe të bindet ndaj shumë dukurive, fuqia e krijimit të të cilave është e paimagjinueshme.

Vetë mendja do të vdesë një ditë dhe do të përhumbet në madhështinë e pafundësisë dhe i vetmi që do të mbetet nga kjo qenie që e ka emrin “njeri” është shpirti.

Nata e begatë në të cilën Profeti ynë a.s, u gjend ballëpërballë me të Gjithfuqishmin e vetëm, ishte nata që kapërceu çdo ligj, pëmbysi çdo hamendësim dhe dyshim, tronditi çdo grimcë në univers dhe kaloi çdo përmasë të mendimit njerëzor.

Si mund të ishte ndryshe takimi i Allahut me të Dashurin e tij. Kjo natë nuk mund të matet me vlerat e thjeshta materiale që përdor njeriu në përmasat e tanishme hapësinore dhe kohore. Ajo natë ishte vetëm një, por i Gjithmëshirshmi dhe më Mëshirëbërësi e sjell të përsëritur çdo vit begatinë, bukurinë dhe madhështinë e asaj ngjarjeje të jashtëzakonshme, duke u bërë kështu një ndërmjetësim për faljen tonë, një lutje që ngrihet për të na ushqyer shpirtërisht dhe një dritë që të mbulon me pastërtinë dhe sinqeritetin e dashurisë së Tij dhe të askujt tjetër.

Të drejohem ty o nefsi im, duke të të thënë që nuk je gjë tjetër veçse një mysafir në këtë “han” të quajtur tokë dhe është e kotë të luftosh kaq shumë për të mirat e kësaj bote, kur është mëse e sigurt se do të të lënë një ditë, prandaj bëhu i zgjuar dhe bëj tregti vetëm me atë që të ka në dorë, me Pronarin tënd të vetëm, Allahun, pasi vetëm Ai të premton përjetësinë e lumtur…

Ndërsa ti zemra ime digju me vuajtje, digju me stërmundime, mjafton që të tjerët të jenë të lumtur, padyshim që Allahu është me të duruarit. Ajo që ti quan dashuri duhet patjetër të vijë nga Allahu ose të jetë për Allahun, përndryshe duhet të zhduket dhe të bëhet njësh me tokën. Nëqoftëse do të fitosh një zemër, atëherë mbill farën e dashurisë, në qoftë se do të fitosh xhenetin, hiq dorë nga të hedhurit gjemba në rrugën që ke nisur, nëqoftëse do të fitosh dashurinë e më të Dashurit, atëherë hiq dorë nga pritshmëritë dhe strehou nën çatinë e mëshirës së Tij, duke e kuptuar pafuqinë tënde…

Duhet të jemi falenderues ndaj Allahut që na bëri pjesë të kësaj rrugë ku mbillet vetëm fara e dashurisë dhe që na solli përballë njerëz që nuk heqin kurrë dorë nga të qenit besnik i përhapjes se emrit të Zotit dhe të Dërguarit të Tij. Ju jemi mirënjohës këtyre shpirtrave që janë shkirë brenda nesh dhe jetojnë po brenda nesh, duke rrahur si një zemër e vetme, ritmi i së cilës sa vjen e bëhet më i shpejtë për të na dërguar ne dritën e shumëpritur.

I lutemi Allahut që t’i mbajë lidhjet tona të paprekura nga papastërtitë e shekullit ku jetojmë dhe të na bëjë të kujtojmë çdo ditë qëllimin e ardhjes sonë, dhe arritjen e një ideali të vetëm, dashurinë e Tij. O Zot i të gjitha botërave! Na shpëto nga të dëshiruarit e kësaj bote dhe të dëshiruarit e përjetimit të kënaqësisë së Xhenetit, na vër kororën e pafuqisë dhe modestisë dhe na ngri lart shpirtërisht. Gjithmonë të strehohemi Ty! Ne të përkasim vetëm Ty! Mos na lër të kthehemi tek vetja jonë. Pemët, lulet, kopshtet, me mirësinë Tënde janë erë ekzistente, trëndafilat nga Ty kanë marë aromën që kanë, janë bërë të tillë pasi panë bukurinë tënde dhe u mrekulluan nga madhështia jote. Na pasuro edhe neve me një dashuri të tillë që të dehemi me aromën e dashurisë për Ty. Jemi nevojtarë vetëm të fuqisë Tënde dhe me këtë lutje kërkojmë të na shpëtosh nga errësira e burgut të kësaj botë për të mos na ndarë nga rruga dritës së të Dërguarit të të gjitha botërave…

/Drita Islame/

Leave a Reply