Personaliteti i njeriut, detyrat dhe normat sociale

personaliteti
Roli i njeriut zë një vend të rëndësishëm në jetën shoqërore, pasi ai kryen detyra e funksione të caktuara, lidhur me të drejtat, detyrat e normat sociale.

Në jetën e përditshme, me personalitetin konceptohet njeriu që kryen funksione e detyra të rëndësishme shoqërore, fetare e shtetërore.

Në fenë islame personaliteti trajtohet si njeri konkret, i vetëdijshëm e normal, të cilin Zoti xh.sh. e krijoi në mënyrë të përsosur e tha: “Ne me të vërtetë i kemi nderuar bijtë e Ademit.” Pra, njeriu trajtohet si qenie që jeton në shoqëri, që ka vetëdije dhe punon aktivisht për zhvillimin e saj. Në Islam mendja, vetëdija është themeli i besimit (Imanit). Profeti Muhamed, paqja qoftë mbi të, ka thënë: “Mendjes, kur e krijoi Zoti i tha: “Më të dashur se ty pranë meje, nuk kam krijuar tjetër send”. Dhe përsëri i dërguari i Allahut thotë: “Shpëtoi kush u pajis me mendje”. Nga kjo kuptohet se njeriu si qenie shoqërore e pajisur me mendje, karakterizohet për formimin e personalitetin si tërësi marrëdhëniesh shoqërore e dukurish psikike të shprehura në jetën praktike. Ai është në kontakt të vazhdueshëm me ato që e rrethojnë. Por që këto marrëdhënie të jenë të sinqerta, duhet prej njeriut kërkohet të njohë vetveten e pastaj të fillojë me procesin e njohjes me të tjerët. Për këtë profeti Muhamed a.s. ka thënë: “Kush njeh vetveten, njeh Zotin”. Një njohje e vetëdijshme, me mendje e zemër, që i bën vetëkontroll veprimtarisë të tij, i jep kuptim vetes si njeri, me tërësinë e cilësive morale, të mendimit dhe të gjykimit. Atëherë shpirti i njeriut i drejtohet krijuesit të tij, e falënderon për gjithçka i ka dhuruar me falje e përkushtim. Në këtë mënyrë unifikohet trupi me shpirtin, përmbajtja me formën, lënda me idenë, mishi e fryma e identitetit të tij si njeri besimtar. Duke qenë i tillë, roli dhe vlera e tij në jetën familjare e shoqërore ka karakter human sepse buron nga shpirti i pastër njerëzor.

Ne si shoqëri trashëgojmë vlera morale pozitive si mbrojtja e nderit, mbrojtja e fjalës së dhënë, të qenët bujar e mikpritës, ndihma ndaj nevojtarëve etj. Feja islame, që i ka këto vlera në parimet e saj, i ka pasuruar e çuar më tej, duke e konsideruar moralin si hyjnor, për të cilin profeti Muhamed a.s. ka thënë: “Jam dërguar për të përsosur moralin njerëzor”. Islami e ka detyrë të ditës që këtë moral ta shtrijë në të gjithë shoqërinë, e ta ruajë të pastër nga ndikimet e jashtme, që tentojnë të futen në emër të së resë apo modernes. Besimtarët myslimanë duhet t’i qëndrojnë vetëdijes islame, e nuk duhet ta humbin atë për asnjë çast, me qëllim që të ruhet e pastër struktura morale e shoqërisë sonë, që e trashëgojmë që në lashtësi. Por gjatë tranzicionit që po kalon shoqëria jonë, krahas vlerave të mëdha që na solli demokracia, kanë ngritur krye disa fenomene negative si: dhuna në familje, krimi, droga, prostitucioni, vjedhja, tradhtia etj., që dëmtojnë shumë karakterin shoqëror dhe bëhen pengesë serioze për të ndërtuar një shoqëri demokratike.

Promovimi i vlerave pozitive është problem dite jo vetëm për besimtarët, por për të gjithë institucionet arsimore e kulturore, si dhe i organizatave joqeveritare. Këto vlera janë faktor i rëndësishëm në zhvillimin e jetës shpirtërore të shoqërisë, por, njëkohësisht, janë mjete të rëndësishme në ristrukturimin e saj ekonomik, arsimor e kulturor.

Njohja e udhëzimit hyjnor, të Kur’anit Famëlartë si kod jetik, do të përbënte kushtin bazë në ndërtimin e një edukate të shëndoshë tek secili besimtar. Veçanërisht edukimi i rinisë, djem-vajza me besimin te Zoti, do t’i bënte të vetëdijshëm për pajisjen me vlera etiko-morale, si bazë e formimit dhe funksionimit të personalitetit të tyre në familje e shoqëri. Por, pa lënë mënjanë dhe prindërit e tyre, me synimin që të ripërtërihen vlerat e besimit, të dhunuar për një kohë të gjatë nga regjimi komunist. Duhet që edhe këta të bëhen të vetëdijshëm për rolin e vlerave etiko-morale në jetën qytetare, të frymëzuar nga ideja e lartë e besimit te Zoti. Pa këtë ripërtëritje, pa këtë vetëdijesim të besimtarëve nuk bëhet fjalë për t’i bërë tonat ato vlera të shëndosha, që të bëhen pengesë për depërtimin e antivlerave.

Prandaj çdo njeri, në veçanti besimtari me vetëdije të plotë, duhet të ndiejë përgjegjësi si individ, por edhe ndaj familjes e shoqërisë, për ruajtjen e promovimin e vlerave morale. Ky është atributi hyjnor, i mbrujtur në shpirtin e njeriut dhe që e ushqen dhe e brumos personalitetin e tij. Ky i jep dritë materies, trupit si faktor që përcakton dimensionet e personalitetit të njeriut.

Duke njohur tiparet morale të vetvetes e të shoqërisë që të rrethon, forcohet dashuria e harmonia në mes njëri-tjetrit ashtu siç thotë Zoti në Kur’an: “Besimtarët janë vëllezër”. Ndërsa profeti Muhamed a.s. ka thënë: “Duaj për tjetrin atë çka do për veten tënde”. Pra, forcohet te secili ndjenja e lindur e dashurisë për njëri-tjetrin e deri për të sakrifikuar për të. Atëherë me vetëdije i bëhen pengesë shfaqjes së veseve negative si: egoizmi i tepruar, individualizmi, ryshfeti, korrupsioni etj.

Intelektualëve e teologëve u takon barra kryesore, që me ndërgjegje të lartë, për ruajtjen e vlerave etiko-morale në shoqëri, të qëndrojnë në ballë të propagandës informuese e sqaruese për dëmin e antivlerave dhe rrezikun që ato i shkaktojnë individit, familjes e shoqërisë. Atyre u takon të parëve që t’u bëhen barrikadë veseve negative, që po ngrenë krye në shoqërinë tonë. Përdorimi i medias së shkruar e vizive nga ata, ka rol të rëndësishëm në sensibilizimin e të gjithë shoqërisë.

Për besimtarin islam, Kur’ani, Fjala Hyjnore, është ligj psikologjik, është shpirti, virtyti që i jep jetë trupit të njeriut. Me këtë ai pasqyron karakterin e tij në ndërtimin e jetës. Shkeljet e ligjeve të virtytit, mosrespektimi i tyre në këtë botë ka më tepër ndëshkim moral si turpin përpara të tjerëve, degradimin e personalitetit si njeri, ndërsa në botën tjetër do të marrë ndëshkimin më të rëndë nga Autoriteti Absolut.

Prandaj, përqafimi i Islamit është një nga elementet e rëndësishëm në personalitetin e njeriut për të mishëruar në të ato veti të larta morale, që pasurojnë botën e brendshme shpirtërore të tij. Në të përfshihen ndjenjat, idealet, interesat, bindjet që manifestohen në jetën e përditshme në marrëdhënie me të tjerët. Personaliteti përfshin dhe elemente të pavetëdijes që mund të çojnë në fenomene negative, por që thirrja e ndërgjegjes së besimit për vetëkontroll do të korrigjojë çdo gjë. Mendja drejton forcën e korrigjimit dhe harmonizon cilësitë e personalitetit të njeriut në zbukurimin e tij shpirtëror, moral e fizik.

(Revista Drita Islame, Shkurt 2013)

Leave a Reply