Cilado qenie njerëzore vjen në ekzistencë me potencial të caktuar të cilin duhet ta zbulojë dhe realizojë përgjatë ekzistencës së tij. Përderisa cilado qenie njerëzore vjen në ekzistencë me potencial të paracaktuar, autenticiteti dhe origjinaliteti janë bashkudhëtarë të pandarë të njeriut përgjatë përkohësisë. Kësisoj as nuk ka patur dhe as nuk mund që të ketë një ekzistencë të ngjashme me ekzistencën tonë si qenie njerëzore krejtësisht të veçanta. Kjo do të thotë që pabarazia është prej rendit natyror të realitetit me të cilin dhe në të cilin jetojmë. Hierarkia është rregulli që mbizotëron kudo. Njerëzit nuk mund të pajisen me të njëjtin potencial, për rrjedhojë edhe zbulimi e realizimi i këtij potenciali ndryshon nga njëra qenie njerëzore tek tjetra. Kjo pabarazi dhe ky diferencim i qartë në potencialin e gjithsecilit, është një nga bukuritë më të mëdha të jetës. Në sajë të këtij ndryshimi njerëzit bëhen të nevojshëm për njëri – tjetrin. Askush nuk mund të jetë një Robinson Kruzo përgjatë gjithë jetës. Njeriut i duhet të hyjë dhe të krijojë raporte me të ngjashmit e tij, por jo vetëm kaq. Ai duhet të hyjë dhe të krijojë raporte edhe me botën që e rrethon. Raportet që krijon njeriu me realitetin lëndor të botës, nuk paraqiten problematike, përderisa njeriu të mos ketë cenuar ekuilibrat mbi të cilët qëndron dhe jeton kjo botë. Ndërkohë raportet me të ngjashmit e tij, janë gjithmonë të paparashikueshme, sepse i tillë është edhe vetë njeriu, i paparashikueshëm. Gjendja e njeriut nuk është aspak konstante, madje konstantja në jetën e njeriut është tërësisht e përjashtuar dhe e papranueshme. Jeta e tij është rrjedhje e lëvizshmërisë ndërmjet gjendjeve dhe situatave nga më të ndryshmet, shpeshherë surprizuese, madje aspak të pritshme nga përllogaritjet njerëzore. Kjo larushi, shumëngjyrësi dhe shumëllojshmëri ngjarjesh dhe situatash na vendos përballë sfidës së vendimmarrjes, mbi mënyrën sesi do të drejtojmë anijen tonë në tallazet e lëvizshmërisë, ashtu sikundërse timonieri – kapiten drejton anijen në oqeanin e pamatë. Vendimmarrja duket të jetë më e thjeshtë dhe më pak kokëçarëse kur ka të bëjë me veprime pasojat e të cilëve bien drejtpërsëdrejti mbi vendimmarrësin dhe jo edhe mbi të tjerët. Natyrisht që çështja bëhet më e komplikueshme dhe në fakt e tillë është, kur njeriut i duhet të marrë vendime të cilat, nuk kanë impakt vetëm mbi të por edhe mbi numër tjetër njerëzish, përderisa nuk është një Robinson Kruzo. Njerëzit hyjnë në raporte me njëri – tjetrin, për arsye dhe qëllime nga më të ndryshmet, për të realizuar potencialin e tyre përgjatë jetësimit të mënyrës së jetesës. Një pjesë i përbashkon interesi material dhe përplotësimi i tij, e një pjesë i përbashkojnë parimet e epërme, që i tejkalojnë ato materiale, jo për t’i lënë në harresë, por për t’iu dhënë vendin që meritojnë në hierarkinë e vlerave që duhet të realizojë njeriu në përputhje me parimet e epërme. Marrëdhëniet e ngritura mbi interesa materiale, janë të qëndrueshme për aq sa interesi i palëve të përfshira nuk është cenuar apo dëmtuar, në të kundërt raportet mund të përmbysen dhe mund të riformatohen apo të humbin krejtësisht. Ndërkohë ata të cilët janë apo pretendojnë të jenë të përkapur pas parimeve të epërme, parimisht janë përbashkuar mbi një bazament që nuk është aspak njerëzor edhe pse për natyrën njerëzore është udhërrëfyes i rrugëtimit përkohësor. Meqenëse qeniet njerëzore në përputhje me rendin natyror të krijimit, janë pajisur me potenciale të ndryshme, edhe kuptimi dhe interpretimi i parimeve të epërme do të jetë përputhshmërisht me potencialitetin që iu është dhënë, dhe për këtë askush nuk duhet të ndihet në pozicion të vështirë dhe të sikletshëm, sepse çdokush nuk mund të realizojë më shumë sesa i është paracaktuar të realizojë. Edhe pse të përkapur pas parimeve të epërme, sërishmi nuk mund të dorëhiqen nga përplotësimi i dimensionit material, në të kundërt do të vepronin në kundërshtim me natyrshmërinë e rendit natyror të gjërave. Në këtë përpjekje, që nuk mund të shuhet vetëm se me daljen e njeriut nga përkohësia, çdocili përpiqet të realizojë potencialin e dhënë dhe të sigurojë mjetet e nevojshme për jetesë, për vete dhe për ata që ka nën përgjegjësi. Edhe kjo përpjekje është tërësisht legjitime madje edhe e urdhëruar, pasi njeriu nuk mund të shmangë përgjegjësitë që ka ndaj vetes dhe atyre nën përkujdesjen e tij. Në rrjedhën e këtyre përpjekjeve njeriu përpiqet të gjejë apo të sigurojë një punësim, i cili mund edhe të mos jetë meritokratik, porse i ndihur nga konjukturat e kohës dhe momentit ai mund ta shohë veten aty ku edhe në ëndërr nuk e kishte parë. Duke qenë se njerëzit janë të natyrave të ndryshme, edhe edukimi është i ndryshëm, inteligjenca dhe kuptimësia është e ndryshme, aftësitë dhe profesionalizmi janë të ndryshme, mënyra e realizmit të modus vivendi është e ndryshme edhe pse përbashkohen tek parimet e epërme. Kësisoj ushtrimi i një detyre të caktuar, nëpërmjet një pozite të caktuar është e varur kryekëput nga cilësia e edukimit, inteligjencës, profesionalizmit. Ndryshueshmëria e pozicionon njeriun në pozita të ndryshme në hierarkinë e profesioneve. Dikush mund të posedojë më shumë mundësi financiare se një tjetër, dikush mund të jetojë materialisht më mirë se një tjetër, dikush mund të jetë në një pozitë më të lartë sesa një tjetër, dikush mund të katapultohet në një pozitë më të lartë sesa një tjetër. Të qenurit në pozita të ndryshme jo vetëm që të jep kënaqësinë e realizimit të potencialit dhe sigurimit të të ardhurave për të përballuar jetesën, por njëkohësisht të vendos përballë një sfide të vështirë sidomos kur je i vendosur apo i katapultuar në pozita drejtuese. Njeriu nuk është në provë vetëm kur përjeton vështirësi, por ndoshta është më në provë kur i jepet mundësia për të marrë në dorë drejtimin e të tjerëve. Katapultimi në pozita drejtuese është ndoshta një nga sfidat më të vështira për njeriun, sepse ose do të tregojë fytyrën e vërtetë të këtij njeriu, ose mund ta transformojë në një podium arrogance dhe shpërfillje ndaj atyre që drejton, pasiqë njerëzit mund t’i shfaqen përmes mirazhit të postit si gurë shahu që mund t’i lëvizë sipas dëshirës, duke harruar se lëvizjet jo të duhura mund ta çojnë drejt shah-mat. Natyrisht që jo të gjithë thyhen përballë kësaj sfide torturuese, pasiqë për çdokënd sfidat nuk janë kurrsesi të njëjta, ashtu siç nuk është e njëjtë edhe forca kundërvepruese për t’i rezistuar sfidave.
Fjala e urtë thotë se miku i mirë njihet në ditë të vështira. Njeriu nuk mund të ketë askënd mik më të mirë sesa vetveten. Dhe ky mik do të njihet në ditë të vështira dhe nuk ka ditë më të vështira për njeriun sesa kur merr mbi shpatulla përgjegjësinë e drejtimit të një anijeje. Më sipër theksuam se ajo çfarë i përbashkon një pjesë njerëzish, janë parimet e epërme, universale dhe të mbarëkohëshme. Përbashkimi përreth parimeve të epërme nuk nënkupton domosdoshmërisht unifikimin dhe standardizimin e gjithësa përpiqen për të qenë të përbashkuar, përkundrazi. Unifikimi dhe standardizimi i të përkapurve është kryekëput i pamundur dhe nuk është prej natyrshmërisë së parimeve të epërme që të kërkojnë prej njeriut jetësimin e pamundshmërisë. Në qoftë se parimet e epërme janë kuptuar në natyrën e tyre të njëmendtë, nuk mund t’i përbashkosh të përkapurit përmes diktatit të çfarëdo instrumenti. Përbashkimi është pasojë e besimit dhe bindjes ndaj vetë parimeve të epërme, për të ndihur njëri – tjetrin në rrugëtimin e rikthimit në banesën tonë të parëhershme, pavarësisht ndryshueshmërisë dhe dallimeve. Diktati është instrument i papranueshëm për parimet e epërme në sjelljen ndaj njerëzve, sepse diktati nuk mund të ofrojë dashuri, harmoni dhe tolerancë përmes ashpërsisë dhe intolerancës, anatemimit dhe përjashtimit të atij që mendon ndryshe nga pozita e zbatuesit të diktatit. Diktati në sjelljen me njerëzit nuk mund të sjellë frytet që synon, sepse çdokush që ndjen forcën e diktatit do të rebelohet ndaj tij dhe këtë të fundit do ta kryejnë ata të cilët nuk njohin dhe pranojnë autoritet dhe pushtet tjetër, përveç autoritetit dhe pushtetit të së Vërtetës. Në qoftë se ndokush është katapultuar për shkak të konjukturave, kjo nuk presupozon dhe as që mund të jetë një arsye e mjaftueshme për kacagjelosje, por përrenjtë e vegjël fryhen shpejt. Në ditë shtrëngatash, me re të dendura kur bie shi me gjyma përrenjtë e vegjël fryhen, egërsohen dhe janë gati të marrin përpara dhe ta përfundin çdo gjë që guxon të pengojë rrjedhën e tyre të furishme. Në këto momente zhurma dhe uturima e tyre mbytëse ndihen larg. Por drita e diellit shkëlqen përsëri dhe ata kthehen sërish në shtratin e tyre të ngushtë, të zalisur e të molepsur për të mos iu ndierë asnjë lloj zhurme. Me tërheqjen në shtratin e tyre të ngushtë, zbulojnë pasojat e fryrjes dhe egërsimit të tyre ndaj jetës, e cila do t’i gëzohet sërishmi dritës së diellit. Kësisoj diktati nuk të çon askund përveçse në prehrin e konfliktualitetit dhe urrejtjes ndërmjet vetë të përkapurve pas parimeve të epërme, ndërkohë që ajo që i përbashkon qëndron ku e ku më lart nga ajo që i ndan. Po përse veprohet kësisoj, kur mund të veprohet ndryshe dhe më pranë natyrshmërisë së parimeve të epërme? Sepse gjithmonë do të jenë dy grupe njerëzish të cilët janë prezent si tek ata që janë përbashkuar rreth interesit material, ashtu edhe tek ata të cilët janë përbashkuar përreth parimeve të epërme, vartësit dhe heretikët.
Ka një lloj njerëzish që adhurojnë (përnderojnë, N.N) pushtetin e fortë, dëshirojnë të jenë të shtrënguar, i mrekullon rendi, ai i jashtmi, siç është në ushtri, “ku dihet kush komandon e kush dëgjon”. Shija e tyre përkon me pjesët e reja të qytetit, tek janë identike të gjitha shtëpitë, në rreshta të drejtë dhe me fasada identike. Ata prapë pëlqejnë llamarinën – muzikën, uniformën, spektaklin, paradat dhe gënjeshtrat e tjera që “zbukurojnë” jetën dhe e lehtësojnë. Veçan dëshirojnë që të jetë “çdo gjë sipas ligjit”. Këta janë njerëzit me mentalitet vartësie. Ata kanë dëshirë të jenë vartës, kanë dëshirë sigurinë, rendin, estabilishmentin, kanë dëshirë të lavdërohen nga eprorët e vet, kanë dëshirë të jenë “në mëshirë”. Ata janë të ndershëm, lojalë, për më tepër – qytetarë korrektë. Vartësit dëshirojnë të ketë pushtet, kurse pushteti dëshiron të ketë vartës. Ata shkojnë së bashku si pjesë e një tërësie. Po s’pati autoritet, vartësit e shpikin. Në anën tjetër qëndron një lloj i pafat, i mallkuar njerëzish që kundërshton vazhdimisht për diçka, që kërkon vazhdimisht diç të re. Ai për bukë flet më pak, kurse për liri më shumë, më pak për rendin dhe qetësinë, kurse më shumë për personalitetin e njeriut…Këta heretikë të amshueshëm zakonisht nuk e duan pushtetin, as pushteti s’i do ata. Kur janë religjiozë, vartësit adhurojnë (përnderojnë, N.N) njerëzit, autoritetet, idhujt; njerëzit e lirë dhe kryengritësit adhurojnë Zotin e vetëm.
Marrë nga libri ”Islami ndërmjet Lindjes e Perëndimit”, Shkup 2000, faq. 218)
(Revista Drita Islame, Maj 2013)