Shqipëria, e para mes 70 vendeve pjesëmarrëse
Nxënësit e Medresesë së Tiranës, Enes Hyka dhe Mehmet Demirxhan janë dy “shkencëtarët” shqiptarë që kanë fituar çmimin e parë në Olimpiadën Ndërkombëtare “I SWEEP 2013”, në fushën e projekteve inxhinierike e mjedisore për energji botërore të qëndrueshme, të organizuar në datat 8-13 maj në Hjuston (Teksas) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Dy nxënësit e klasës së njëmbëdhjetë janë rikthyer në atdhe fitimtarë, pasi ngritën flamurin shqiptar dhe u larguan nga Shtetet e Bashkuara, duke lënë përshtypjet më të mira te juria dhe personalitetet shkencore pjesëmarrëse.
Asistenca më e madhe e tyre, si dhe promotor i talentit të dy nxënësve, ka qenë profesori i tyre i fizikës, Fatih Karaosmanuglu, i cili i ka mbështetur dhe shoqëruar ata gjatë gjithë kohës. Pavarësisht moshës fare të re, ata kanë shkëlqyer duke lënë të habitur jurinë me aftësitë e tyre në përgatitjen dhe zhvillimin e projektit.
Projekti
“Reduktimi i radiacionit dhe forcimi i izolimit termik dhe zanor duke përdorur mbetjet e baterive”, është projekti i medresistëve shqiptarë që u rendit i pari ndër 500 projekte pjesëmarrëse nga 70 vende të ndryshme të botës.
“Në praktikë shumica e baterive të përdorura flaken tej hidhen në plehra dhe një numër shumë i vogël i tyre riciklohet. Edhe proceset e riciklimit që kryhen, shfaqin një ndotje të madhe e të dëmshme të mjedisit. Kjo dukuri ndodh më tepër te bateritë primare (zink-karbon, alkaline). Duke bërë kërkime të gjata e të thella, ne pamë se këto mbetje mund të përdoren me efektivitet në ndërtim dhe në nanoteknologji si material ndërtimi. Materiali që përdoret është MnO2 (dioksidi i manganit), i cili gjendet me shumicë te bateritë primare. Për t’u përdorur në ndërtim, materialet në fjalë duhet të kenë tipare izoluese të nxehtësisë dhe të zhurmës, etj.”, tregojnë nxënësit.
Materiali që u zgjodh për këtë studim ( MnO2 ), ishte i përshtatshëm për t’u përdorur në ndërtim, gjithashtu edhe në një fushë tjetër të pazbuluar, nanoteknologji. Për të realizuar këtë projekt, i cili zgjati rreth 7 muaj, nxënësit kanë zhvilluar eksperimente të ndryshme në bashkëpunim me profesorë të fushës përkatëse. Gjithashtu mjediset mësimore moderne të Medresesë së Tiranës i dhanë mundësi dhe një shtysë të fuqishme realizimit me sukses të këtij projekti që u kurorëzua me çmim të parë në SHBA.
Në historinë e medreseve pjesëmarrja në konkurse të tilla nuk është një gjë e re. Çdo vit nxënës të këtyre shkollave marrin pjesë në gara të rëndësishme kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare, ku kanë fituar medalje argjendi dhe bronzi, në olimpiadat I – SWEEEP dhe İntel (SHBA), İnespo Holandë, İnepo (Turqi, Azerbajxhan), etj. Këto rezultate të larta shpjegohen nga fakti se në Medresenë e Tiranës, por edhe në medresetë e tjera në vend i kushtohet një rëndësi e madhe krahas lëndëve fetare edhe lëndëve të shkencave të natyrës që zhvillohen në gjuhën angleze.
Medresistët e Tiranës tregojnë se kanë marrë komplimente dhe urime nga të afërmit, mësuesit, si edhe nga shumë persona të ndryshëm, të cilët janë ndier krenarë për ngritjen e flamurit tonë në një përfaqësim të tillë të përmasave botërore.
Ata flasin me entuziazëm për këtë eksperiencë të veçantë të tyren teksa shprehen “konkurruam në fushën inxhinierisë e mjedisit, ishim mjaft të përgatitur dhe besojmë se ia dolëm. Edhe në shumë olimpiada të tjera ne kemi marrë mjaft çmime, në olimpiadën e Turqishtes, Matematikës, Letërsisë, etj., por ky ishte goxha i rëndësishëm”.
Ndërsa Enesi, njëri nga nxënësit fitues, nuk nguron të shprehë atdhedashurinë dhe krenarinë e të qenit shqiptar. “Jemi krenarë për rezultatin që arritëm, por mbi të gjitha për faktin që përfaqësuam denjësisht Shqipërinë”, thotë ai.
Çfarë është I SWEEP
Olimpiada ndërkombëtare e zhvillimit të ideve të reja inxhinierike, energjetike dhe mjedisore, e njohur ndryshe si “I SWEEP”, funksionon në mënyrë të tillë që, nga secili vend i botës dërgohen projekte nga shkolla të ndryshme të mesme, më pas juria përzgjedh për fazën finale vetëm disa prej tyre.
Në këtë konkurs morën pjesë dhe u vlerësuan parauniversitarët nga 70 shtete të botës. Kompeticioni zhvillohej në dy ditë dhe vlerësimi bëhej nga katër juri, tre prej të cilave asistonin ditën e parë të projektit dhe një tjetër ditën e dytë. Skuadrat e vendeve pjesëmarrëse ishin të përbëra nga 2 nxënës, të cilët janë përzgjedhur nga olimpiadat kombëtare të vendeve pjesëmarrëse.
“Ne aplikuam në këtë kompeticion dhe u përzgjodhëm. Kishim gati 7 muaj që përgatisnim këto projekte dhe u shpërblyem. Kjo është shumë e rëndësishme për ne dhe për shkollën tonë. Kjo nuk është hera e parë që medresistët shqiptarë marrin një çmim të rëndësishëm ndërkombëtar në të tilla evenimete dhe ky fakt ne si mësues na gëzon dhe entuziazmon pa masë”, tregon profesori i Fizikës, Fatih Karaosmanoglu.
I pyetur se ç’do të thotë kjo për një shkollë si medreseja, Karaosmanoglu tregon se, është një gjë mjaft e rëndësishme për shkollën dhe një vlerësim i një pune 7 mujore që nxënësit ia kushtuan përgatitjes, në disa raste deri në orët e vona pas mesnate.
/drita islame/