Namazi i Teravive nga imam Vehbi Sulejman Gavoçi


Nga: Shejkh Vehbi Sulejman Gavoçi

Pak fjalë për Teravinë

Jena mësu qyshë të vegjë me e falë Teravinë në xhaminë e Garucit Shkodër me 20 reqatë. U rritme
e shkuam në Siri (Damask) e edhe atje Teravinë e falshim me 20 reqatë. Shkova në Egjipt me mësue për fenë
Islame ku qëndrova 10 vjet edhe atje e falshim Teravinë me 20 reqatë. Po në atë mënyrë e falshim Teravinë
edhe në Mekke e në Medine ku qëndrova për 8 vjet, edhe sot përsëri e falin Teravinë me 20 reqatë me të
mirën e Zotit (xh.sh).Teravia ashtë synet jo farz se farzet janë siç e dimë vetëm pesë. Mirëpo syneti në Ramazan ka sevapin e farzit siç e kena përmendë ma përpara. Prandaj duhet me u mundue mos me u kursue për këtë kohë që falena në
të mbasi ka atë sevapë aq të madh. Mirëpo i sëmuri, i xanuni me punë të huaja, studenti me studime e provime bajnë mos me e falë Teravinë, mirëpo duhet me u mundue sadopak për me falë Teravinë, qoftë edhe dy reqatë mbasi na ka premtue Profeti (a.s.s) falje gjynahesh kur ne falena në Ramazan në Teravi. Kjo ashtë një gja themeltare që duhet mos me u
harrue. Këtu po përmendim disa fakte që na mësojnë me falë Teravinë me 20 reqatë siç e kemi përmendë ma sipër.

1) Qyshë në kohë të z.Umerit e të khulefave, mbas tijë janë falë njerëzit në Teravi në muajin e Ramazanit me 20 reqatë, kjo tregon se syneti ashtë i forcuar, mbasi vetë Profeti (a.s.s) ka thënë: “Punoni me synetin tem dhe të khulefave mbas meje”. (Hadithi Bukhari)
Kjo d.m.th se me falë ma pak se 20 reqatë ajo gja ashtë e papëqyeshme.
2) Thotë Abdullahi djali i Mesudit:
“Çka shofin myslimanët se ashtë gja e mirë, ajo ashtu ashtë e mirë te Zoti
(xh.sh)”. (Hadithi Ahmed)
3) Thotë Profeti (a.s.s):
“Unë nuk e di sa jetoj mbas sodit pra, ndiqni ato që vijnë mbas mejet, Ebu Bekrin dhe Umerin”. (Hadithi Tirmidhi)
4) Katër medhhebet:
Hanefi, Shafii, Maliki e Hanbeli thojnë dhe e falin Teravinë me 20 reqatë, asht zor me kujtu dhe me mendu se ato katër medhehebe kanë gabuar.
5) Përmendi Bejehkiu nga Saibi dhe thotë: “Janë falë njerëzit në kohën e z.Umerit në Ramazan Teravinë
me 20 reqatë”. (Hadithi Bejheki)Thotë Sujuti: U quajt kjo falje Teravi si ato që falen e pushojnë mbas
katër reqatësh.
6) Ka ardhë një hadithë jo i fortë nga Ibni Abasi ku thotë: “Profeti (a.s.s) falte në Ramazan 20 reqatë, e mandej vitrin tre reqatë”.
(Hadithi Tabarani)
7) Profeti (a.s.s) ka pasë falë çdo natë 8 reqatë, pra fjala e Zojës Aishe se ai Zotni nuk ka falë as në Ramazan
e as në kohë tjera ma tepër se 8 reqatë, atëherë mund të thona që se ai Zotni nuk ka falë Teravi, e si ka mundësi që vetë Profeti (a.s.s) me na urdhërue me e falë Teravinë, e Ai vetë me falë me 8 reqatë.Pra, ajo Zojë na tregon për ato 8 reqatë e nuk flet për Teravinë, sepse u pa se kur mblodhi z.Umeri njerë-zit me falë Teravinë, as zoja Aishe, as z.Aliu (r.a), as kërkush tjetër nuk kundërshtoi.
Megjithëse z.Aishe na tregon se Ai Zotni nuk ka falë ma tepër se 8 reqatë, vetë ajo Zojë na tregon se Ai Zotni ka falë 13 reqatë, dhe kur thirrte Sabahin falte 2 reqatë. (Hadithi Bukhari)Vetë ajo Zojë na tregon se Profeti (a.s.s) ka kenë falë natën me 13 reqatë, mandej na tregon se ka falë 11 reqatë e para se me vdekë Profeti (a.s.s) ka falë 9 reqatë.
Na tregon z.Aliu (r.a) se Profeti
(a.s.s) ka kenë falë 16 reqatë jashta farzit. (Hadithi Ahmed, hadith i pranuar)Pra, mbasi pamë se Sahabet qyshë në kohë të z.Umerit e deri më sot janë mbledhë e kanë falë Teravinë me 20 reqatë, pra le të dijmë se ky ashtë syneti e duhet mos ta lajmë pa e falë veç me pasë ndojë pengesë nga ato që kemi përmendë ma sipër.Para nja 200 vjetësh kanë dalë disa Ulema në Indi dhe kanë pa me falë Teravinë veç me 8 reqatë sipas fjalës së tyre ashtë lehtësim dhe e pëlqen
njerëzija, erdhi në vendet arabe dhe e mori atë fjalë një shqiptarë që merret me hadithe e hala përhapet ajo fjalë.Shkurtas duhet me ditë e me lexue se Sahabet janë ma të dijshëm e ma të interesuar për fe se sa ato, edhe se mijëra dijetarësh e vendesh që e falin Teravinë me 20 reqatë janë ma të dijshëm.
Pra, le të falim Teravinë me 20 reqatë. Zoti (xh.sh) na ndihmoftë

Nga: gazeta “Udha Islame” korrik 2013

Leave a Reply