Myslimanët: Shqiptarët po i mashtrojnë për xhihadin në Siri

TIRANE– Për Komunitetin Mysliman të Shqipërisë nuk ka asnjë dyshim se nëse ka shqiptarë që kanë shkuar në Siri, ata janë mashtruar dhe gënjyer.

N/Kryetari i KMSH Gazmend Aga
N/Kryetari i KMSH Gazmend Aga

Gazmend Aga, nënkryetar i Komunitetit Mysliman në vendin tonë, në një intervistë për “Shqiptarja.com” thotëë se nisma të tilla bien ndesh jo vetëm me ligjet e shtetit, por edhe parimet bazë të fesë.

Ai u bën thirrje besimtarëve myslimanë që nëse duan të bëjnë një gjë për këtë vend, atëherë mund ta bëjnë me anë të lutjes, dhe jo të braktisin atdheun dhe familjen e tyre, detyrimet që kanë ndaj fëmijëve, prindërve dhe shoqërisë.

“Madje këto janë realisht përgjegjësitë obligative për një besimtar, krahas adhurimit ndaj Zotit”, – përfundon apeli i kreut të KMSH-së, për të gjithë myslimanët.

A ka Komuniteti Mysliman dijeni për këtë fakt?
Kryesisht kemi dëgjuar nëpërmjet medias dhe çfarë flitet informalisht. Nuk kemi ndonjë ankesë zyrtare prej besimtarëve apo funksionarëve të KMSH që një gjë e tillë të bisedohet në xhamitë të cilat janë nën juridiksionin e KMSH. Por gjithsesi, që në momentin që filluan të qarkullonin probleme të tilla në publik, ne i kemi porositur punonjësit tanë që tu tërheqin vëmendjen besimtarëve që të jenë të kujdesshëm ndaj çdo thirrjeje e nxitjeje të tillë shumë të dëmshme dhe tragjike për shoqërinë tonë.

Nga influencohen besimtarët tanë, në lidhje me fenomenin e fundit që marrin gratë dhe fëmijet me vete?
Nëse ka qytetarë që kanë shkuar nga Shqipëria, mendoj që janë të gënjyer e të mashtruar. Ndoshta ka njerëz që shfrytëzojne gjendjen ekonomike, morale apo mendore të njerëzve të ndryshëm, sepse është realisht shqetësuese që një shqiptar të përzihet në një konflikt me të cilin nuk e lidh asgjë. Nëse ka prej atyre që përpiqen ti veshin një justifikim fetar nismave të tilla, abuzojnë shumë rëndë me fenë, e cila ka ardhur për paqen, sigurinë e mirëqenien. Është totalisht e papranueshme që të bëhen thirrje dhe nxitje për të shkuar në Siri. Jo vetëm në xhami që është e patolerueshme një gjë e tillë, por mendoj që nxitje të tilla duhet të denoncohen dhe të merren masa nga strukturat kompetente.

Cili është qëndrimi i Komunitetit Mysliman për të gjithë ata besimtare që nisen në Siri për Xhihad?
Është shumë e gabuar dhe nuk shoh asnjë llogjikë që një Shqiptar të braktisë atdheun dhe familjen e tij, detyrimet që ka ndaj fëmijëvë, prindërve dhe shoqërisë; madje këto janë realisht përgjegjësitë obligative për një besimtar, krahas adhurimit ndaj Zotit.  Shoqëria sot funksionon në bazë të ligjeve, kushtetutave, marrëveshjeve e normave ndërkombëtare dhe janë institucionet përkatëse që bëjnë rregullatorin në momentin e padrejtësive të mundshme. Ajo që predikojmë dhe këshillojmë besimtarët është që të jenë pararojë dhe shembuj të respektimit të ligjit dhe të normave morale të bukura që ka feja jonë për mbarë shoqërinë.

Ndërsa nisma të tilla mendoj se bien ndesh në mënyrë të plotë qoftë me ligjet e shtetit dhe ato ndërkombëtare, po ashtu dhe me normat njerëzore dhe obligimet fetare, të cilat nuk bien ndesh me ligjin. Ne si besimtarë, shqetësohemi e lëndohemi kur preken njerëzit e pafajshëm, kur lëndohen fëmijët, të pastrehët e civilët. Por ajo që mund të bëjmë në këtë rast, është të lutemi që konflikti të mbarojë sa më shpejt. Iniciativat personale për çështje shtetërore zakonisht sjellin kaos dhe probleme të mëtejshme. Feja ka këshillën, lutjen, moralin dhe edukimin.

A ndikojnë në harmoninë ndërfetare fryma të tilla?
Iniciativat e nxitura nga ndjenja e urrejtjes, luftës dhe konfliktit në rradhë të parë dëmtojnë individin, familjen, shoqërinë dhe vetë fenë Islame nëse pretendojnë se e bëjnë në emër të fesë. Sigurisht që çdo sipërmarrje radikale prish edhe harmoninë. Është mjaft e qartë që këto janë fryt i padijes dhe manipulimeve. Feja Islame është simbol i paqes, butësisë, mëshirës, harmonisë dhe respektimit të dinjitetit njerëzor. Interpretimet e tjera që nxisin urrejtje dhe konflikt burojnë nga kapriçot e individëve apo grupeve margjinale.

Shkrimi u publikua sot (10.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

http://www.shqiptarja.com/news.php?IDNotizia=195050&NomeCategoria=aktualitet&Titolo=mysliman-t-shqiptar-t-po-i-mashtrojn-p-r-xhihadin-n-siri&IDCategoria=2731&page=2

Leave a Reply