
Në emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! Të nderuar besimtarë myslimanë të rrethit Pukë, Sot shënojmë mbylljen e muajit të bekuar të Ramazanit, një muaj i mbushur me adhurim, përkushtim ndaj Allahut të Madhëruar. Një muaj që na ftoi drejt lutjes, veprave të mira dhe kërkimit të faljes për gabimet tona. Me këtë rast, lus Allahun e Madhëruar t’i ketë pranuar agjërimin, ibadetet dhe lutjet e secilit prej nesh, duke na shpërblyer me mëshirën dhe begatitë e Tij të pakufishme. Le të shërbejë ky muaj si një fillim i ri për të gjithë ne, për një jetë më të pastër shpirtërore, të mbushur me dashuri, mirëkuptim dhe respekt ndaj njëri tjetrit. Atmosfera e bekuar e Ramazanit kurorëzohet nesër, datë 20 mars 2026 me festën e madhe të Fitër Bajramit. Me këtë rast, uroj që kjo festë të sjellë gëzim, paqe, begati dhe harmoni në çdo familje pukjane dhe në mbarë botën. Një urim i veçantë shkon për diasporën pukjane, e cila, ndonëse larg vendlindjes ka dëshmuar gjithmonë lidhje të fortë me rrënjët dhe përkushtim ndaj familjes dhe Atëdheut të tyre. Në këtë atmosferë feste dhe gëzimi, ju uroj nga zemra të gjithë besimtarëve myslimanë të rrethit Pukë: Gëzuar Festën e Fitër Bajramit!
Pukë , më 19 mars 2026