LINDJA E PROFETIT, PIKË KYÇE NË HISTORINË E NJERËZIMIT

Muhammed a.s.
Muhammed a.s.

Për këtë vit, tetori i datës 28 shënon lindjen e bekuar, lindjen e vulës së profetëve, Hz. Muhamed (s.a.s.). Të gjithë kombet e popujt e ndryshëm, sipas rastit e vendit, festojnë ditëlindjen e njerëzve të tyre me zë, të dalluar për vepra trimërie, bamirësie, letrare, filozofike e shkencore, duke i shërbyer jo vetëm kombeve përkatëse, por edhe mbarë njerëzimit. Këta njerëz të mëdhenj, jo vetëm i kanë sjellë dobi e përfitim popujve të ndryshëm, por bëhen më vonë shembuj për brezat e ardhshëm që të shkelin në gjurmët e tyre. Po, nëse ka një ngjarje, e cila mund të shkaktojë me të vërtetë gëzim dhe pjesëmarrje të përbotshme, ajo është pa dyshim, lindja e Profetit të bekuar, Muhamed Mustafasë (a.s.). Ai i solli mbarë botës mesazhin e paqes dhe harmonisë në atë kohë, kur ajo kishte nevojën më të madhe për të.

Hz. Muhamedi (a.s.) erdhi në këtë jetë me datën 12 të muajit Rebiul-evvel, ditën e hënë të vitit 571. Ditëlindja e të dërguarit të Allahut, profetit të islamit, është ngjarja më e rëndësishme në të gjithë historinë e njerëzimit, sepse me këtë burrë, i madhi Zot do të derdhte mëshirën e Tij mbi të gjithë botët, do të ndriçonte mendjet e nxira nga padija e politeizmit, do të lartësonte dhe do të vinte personalitetin e njeriut në vendin që i takon. Kjo lindje është një favor i Allahut për të gjithë njerëzimin. Zoti ynë i Lartë urdhëron kështu në Kur’an: “…Duke iu dërguar njerëzve, nga mesi i tyre, një profet që t’u këndojë ajetet e Allahut, t’i pastrojë, t’u mësojë librin dhe urtësinë, Allahu u ka bërë një dhuratë të madhe besimtarëve![1]

Shikoni bujarinë, ndihmën dhe favorin e Allahut, që u dërgon njerëzve për profet njërin nga mesi i tyre, nga origjina e tyre, i cili ndan me ta të njëjtat ndjenja e mendime, i cili është udhëzues e prijës i tyre në rrugën që shkon te e Vërteta, i cili mund të dalë në krye të tyre nëse është nevoja për imam, i cili mund të hipë në minber nëse është nevoja për hatib, i cili mund të vejë vulën e të presë monedha nëse është nevoja për një drejtues shteti, i cili mund t’i komandojë ata në mënyrën më të përkryer nëse është nevoja për t’i komanduar…

Profeti Muhamed (a.s.) është profeti i fundit që Allahu i dërgoi njerëzimit. Ai është njeriu më i lartë, më me vlerë dhe më i respektuari nga të gjitha krijesat e tjera. Ai është profeti i mëshirës dhe i dashurisë. Allahu e dërgoi atë si mëshirë për gjynahqarët e të devotshmit, për gratë e fëmijët, për besimtarët e mohuesit, për njerëzit e xhindet. Madje, Allahu praninë dhe ekzistencën e Muhamedit (a.s.) në tokë, e bëri garanci dhe siguri për të gjitha krijesat, kur thotë: “Ne të dërguam ty veçse mëshirë për botët[2]

Profeti i fundit është krijesa më e dashur tek Allahu (xh.sh.) dhe, duke qenë i tillë, ashtu duhet të jetë edhe për ne që pretendojmë se ndjekim rrugën e tij. Dashuria për profetin (a.s.) është njëkohësisht dhe dashuri për bukurinë e fisnikërinë e karakterit të tij, për drejtësinë, modestinë dhe forcën e brendshme të njeriut dhe që profeti e zotëroi në shkallën më të lartë. Myslimanët obligohen që dashurinë ndaj tij ta vendosin mbi dashurinë ndaj çdo krijese tjetër, përfshi këtu veten dhe të dashurit e tyre. Për këtë, në hadithin e transmetuar nga Enesi (r.a.), Profeti (a.s.) ka thënë: “Askush prej jush nuk do të jetë besimtar i vërtetë, derisa të bëhem për ju më i dashur se prindërit tuaj, fëmijët tuaj dhe të gjithë njerëzit e tjerë.”[3]

Profeti ishte njeriu i paqes e i qetësisë. Ne e dimë dhe e besojmë kategorikisht se mesazhi që solli ai, gjithashtu ishte një burim paqeje e qetësie dhe historia është dëshmitarja më e madhe e kësaj. Ja pra, e vetmja zgjidhje për ta bërë njerëzimin që ta shijojë përsëri këtë paqe e qetësi, është që t’ua bëjmë të njohur njerëzve Atë dhe dritën që solli Ai. Sepse, në raport me sa do të njihet ai dhe në sajë të asaj dashurie, do të ndërrojë fytyra e shoqërisë. Kështu njerëzimi, do të shpëtojë së bredhuri pa drejtim e së qeni lodër në duart e kohës, do të shpëtojë nga mjerimi i ndëshkimit në të dy botët dhe do të ngjitet në qiellin e të qenit njeri.

Duke përkujtuar ditëlindjen e tij, nuk bëjmë gjë tjetër veçse i bëjmë thirrje vetes që të njihemi sa më mirë me jetën e Profetit tonë. Vetëm duke njohur figurën e pastër dhe të bekuar të Hz. Muhamedit (a.s.) dhe duke i vënë vetes detyrë të zbatojmë urdhrin e Allahut (xh.sh.) për të pasur atë model në jetën tonë, do të bëhemi më njerëzorë dhe me lejen e Allahut do të jemi myslimanë të vërtetë, që do të thotë njerëz të bindur me vetëdije për ta kaluar jetën e kësaj bote në përputhje me urdhrat e Kuranit dhe porositë e të dërguarit të Tij.

Jetesa e Profetit (a.s.) nga njëra anë na nxit të lakmojmë arritjen e përsosmërisë dhe nga ana tjetër na ndihmon të pranojmë paaftësinë tonë për të qenë të pagabueshëm duke na shtyrë të jetojmë në paqe me veten si robër të penduar të Zotit, me shpresë në mëshirën e madhe të Tij. Që besimi ynë të jetë i shëndoshë dhe i plotësuar, duhet ta duam Profetin tonë duke ndjekur rrugën e tij dhe duke u lutur për të sipas urdhrit kuranor: “Padyshim që Allahu e bekon të dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë. O ju që keni besuar, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam[4].

Dorian Demetja

Marr nga: https://dritaislame.al/lindja-e-profetit-pike-kyce-ne-historine-e-njerezimit/


[1] El-Imran, 164 

[2] Enbija, 107

[3] Buhari-Muslim

[4] Ahzab, 56

Leave a Reply